Vetëm dy ndeshje pas fillimit të sezonit të ri në Bundesliga, e ardhmja e Erik ten Hag te Bayer Leverkusen është vënë seriozisht në pikëpyetje.

Trajneri holandez, i cili mori drejtimin e skuadrës pas largimit nga Manchester United, është përballur me kritika të ashpra brenda klubit, ndërsa drejtuesit kanë refuzuar të japin mbështetje publike për të.


Sipas raportimeve të Kicker, drejtuesit e Leverkusen kishin dyshime për Ten Hag që para javës së dytë të kampionatit, ndërsa atmosfera në klub është përshkruar tashmë si “kritike”.

Barazimi 3-3 ndaj Werder Bremenit të shtunën, ku skuadra humbi avantazhin duke pësuar dy gola të vonshëm kundër një ekipi me 10 lojtarë, vetëm sa ka thelluar krizën.

Ajo që bie në sy është heshtja e drejtuesve, veçanërisht e drejtorit sportiv Simon Rolfes, i cili nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike në mbështetje të Ten Hag.

Kjo mungesë qëndrimi zyrtar po interpretohet si një sinjal alarmi për trajnerin, duke e lënë autoritetin e tij në dhomën e zhveshjes në pozitë të dobët.

Nëse drejtuesit tashmë ndihen sikur kanë gabuar me emërimin e tij, largimi i parakohshëm i Ten Hag mund të jetë një vendim drastik, por domethënës.

Fati i Ten Hag pritet të vendoset pas mbylljes së afatit kalimtar të hënën mbrëma. Nëse rezultatet dhe performanca nuk përmirësohen në mënyrë të shpejtë, ndryshimi në pankinë duket i pashmangshëm.

Holandezi është duke e humbur kohën për të bindur drejtuesit se është njeriu i duhur për të udhëhequr ‘Aspirinat’./Telegrafi/

telegrafi sport app