LAJMI I FUNDIT:

Tekstilet e Andeve, si gjurmë të një kulture të lashtë dhe komplekse

Tekstilet e Andeve, si gjurmë të një kulture të lashtë dhe komplekse

Nga: Julia Wolkof/Artsy
Përktheu: Gazmira Sokoli

Në një rajon që përfshin shkretëtirën deri në malësitë e asaj që sot quhet Peru dhe Bolivia veriore, tekstilet kanë luajtur – dhe vazhdojnë të luajnë – një rol të rëndësishëm, si në jetë edhe në vdekje. Tekstilet janë bërë një mjet thelbësor komunikimi në qytetërimin e lashtë të Amerikës së Jugut, një gjuhë vizuale që përshkruan konceptet themelore të jetës së përditshme, botët e natyrshme dhe ato të mbinatyrshme dhe jetën e përtejme. Ata zbukuronin muret e shtëpive dhe tempujve, visheshin si rroba dhe përdoren edhe sot në rite fetare, përfshirë edhe ceremonitë e varrimit.


Një ekspozitë e fundit në Institutin e Arteve të Çikagos, “Tekstilet e Andeve”, paraqiti më shumë se 60 tekstile dhe qeramikë nga koleksioni i muzeut, dhe nxori në pah modelet e ndërlikuara dhe teknikat inovative që karakterizojnë tekstilet e prodhuara në pesë komunitete të veçanta të zonës bregdetare të Andeve: Paracas (vitet 500 p.e.s. – vitet 500 e.s.), Nazca (1-700), Chancay (1000-1450), Lambayeque (1000-1476) dhe Rimac (1100-1470), si dhe komunitete moderne të zonave malore që i mbajnë këto tradita të gjalla edhe sot. Këto teknika të lashta tani po i sjellin energji të reja mendimit tradicional për prodhimin e tekstileve në rang global.

Historikisht, studiuesit e kanë parë tjerrjen dhe endjen e tekstileve kryesisht si punë të grave. Ka një lidhje femërore që vijon në artin e tekstileve në të gjithë botën. Megjithatë, nuk ka asgjë veçanërisht “femërore” në lidhje me motivet që shfaqen në tekstile dhe qeramikë nga të gjitha këto kultura. Pavarësisht nga dallimet, ato ndanë besimet fillestare, veçanërisht respektin për natyrën, një lidhje gati hyjnore midis domeineve njerëzore dhe shtazore dhe vazhdimësinë midis jetës dhe vdekjes

Në ekspozitë, artizanati i grave përfaqësohet me një tas qeramike me një vizatim të ndërlikuar që i përket periudhës mes shekullit të dytë dhe atij të tetë. Një grup grash që qëndrojnë ulur dhe endin me zell, janë vizatuar në buzën e brendshme të tasit. Paraqitja e kujdesshme e endëseve në artifakt flet për rëndësinë që kishte prodhimi i tekstilit në rajonin antik të Andeve.

Tunikat dhe mantelet me fije të holla të zbukuruara me qëndisje shumëngjyrëshe, të cilat visheshin në evente politike dhe fetare nga klasa drejtuese e parakasve, të cilët banuan në bregdetin jugor të Perusë për rreth 1.000 vjet, nga viti 500 p.e.s. në vitin 500 e.s., tregonin qartë statusin e lartë social dhe pasurinë e tyre. Një mantel që daton rreth viteve 100 p.e.s. – viti 200 e.s. ka mbi 50 figura të qëndisura përgjatë gjithë pëlhurës me ngjyra. Tunikat, kapelat dhe ornamentet që mbaheshin në vesh tregojnë statusin e tyre hyjnor. Figurat zakonisht janë kafshë shtëpiake – ajo që studiuesit e identifikojnë shpesh si macja e Pampasit, një grabitqar që frikësonte brejtësit dhe kafshët e tjera që dëmtonin të lashtat. Është e paqartë se çfarë kuptimi kanë motivet me dredha që dalin nga gojët dhe duart e tyre. Në tekstin që i shoqëron në ekspozitë thuhet “se ato imitojnë gjuhët e zgjatura të maceve dhe nënkuptojnë përpjekjen për të mishëruar forcat e mbinatyrshme që qeverisin botën natyrore.”

Veshje të tilla ishin aq të rëndësishme saqë shpesh ata i merrnin me vete në varr. Gjatë gërmimeve në fillim të shekullit XX, arkeologët zbuluan varreza të njerëzve me status të lartë, ku të vdekurit ishin mbështjellë me dhjetëra tekstile, të veshura gjatë ritualeve të shenjta që i përgatisnin për jetën e përtejme. Në një varr të vetëm u zbuluan mbi 400 copa të tilla.

Gjeografia dhe ekonomitë e larmishme të kulturave bregdetare përgjatë Andeve ndikuan gjithashtu në artin e tyre. Nazca, të cilët jetuan përgjatë bregdetit jugor të Perusë nga viti 1 deri në 700, ishin një shoqëri kryesisht bujqësore. Çdo aspekt i kompozimeve të tyre të detajuara, nga tema e tyre deri te ngjyrat me bazë bimësh si indigo, nxjerr në pah bollëkun e natyrës. Tekstilet e tyre ndajnë motive me parakasit bashkëkohës, por ata kanë përdoruar teknika komplekse endjeje për të krijuar figura tredimensionale bimësh dhe kafshësh me ngjyra të gjalla.

Një nga trashëgimitë më të qëndrueshme dhe ekzotike të qytetërimeve antike të Andeve është padyshim sakrifica njerëzore. Rituale të kësaj natyre janë të pranishme në objekte zbukuruese të endura dhe qeramike, të shoqëruara me “aspirata” më urbane si dhuratat dhe sezon io mbarë të korrash. Një fragment tekstili tregon një skllav që është zgjedhur për t’u sakrifikuar. Ai është veshur përulësisht me një copë që i mbulon barkun dhe gjysmën e këmbëve, ndërsa luftëtarët që e rrethojnë duken si pallonj të fryrë. Duke ecur nëpër galeri, gjen një tas prej qeramike, i cili tregon pasojat e ngjarjes: Bimë të pikturuara depërtojnë nëpër gojët e kokave të prera, një shenjë e qartë e “mirësive që vijnë nga sakrifica”, thuhet në tekstin e murit.

Shumë aspekte të kulturave të Andeve, përfshirë mënyrat e prodhimit të tekstilit, u lanë në hije nga kolonizatorët spanjollë në shekullin XVI. Ekspozita ka për qëllim të nxjerrë në pah dhe të vlerësojë komunitetet e vogla në fshatrat malore të Perusë dhe Bolivisë që e kanë rikthyer këtë aspekt të rëndësishëm të identitetit të tyre kulturor. “Ndikimi i fuqisë koloniale është sigurisht shkatërrues, por nuk është një forcë totale për të eliminuar fuqinë dhe artin e popullatës indiane të Andeve”, vuri në dukje kuratorja e ekspozitës, Erica Warren.

Sot, artizanët bashkëkohorë i mbajnë gjallë traditat duke endur me materiale të tjera. Në epokën moderne, kur moda lëviz me shpejtësi, tekstile të tilla rrallë janë simbol i statusit, por ato ende mund të nënkuptojnë rezistencë. Në Cuzco, ka një përpjekje të artistëve për të rikuperuar teknikat e humbura të endjes dhe ngjyrosjes. “Shumë punë po bëhen nga mjeshtrat e bojërave në përpjekje për të riprodhuar llojet e ngjyrave natyrore që janë përdorur dikur”, thotë Warren.

Në trend Kultura

Më shumë
I kanë thënë të mençurit...

I kanë thënë të mençurit...

Kulture
Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve

Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve

Kulture
Barra naziste e familjes sime dhe dhimbja për Gazën

Barra naziste e familjes sime dhe dhimbja për Gazën

Kulture
AJO

AJO

Kulture
Historia 2300-vjeçare e “shqiptarëve” të Qafiristanit

Historia 2300-vjeçare e “shqiptarëve” të Qafiristanit

Kultura
PËRMBLEDHJE

PËRMBLEDHJE

Poezi
Kalo në kategori