LAJMI I FUNDIT:

Të spastrohet veriu

Ka dy gjëra të cilat Prishtina nuk duhet ta pranojë kurrsesi kur të ulet sërish në një tryezë bisedimesh me Serbinë, paralajmërimi për të cilat është dhënë tashmë edhe zyrtarisht. E para është ajo që e kanë përsëritur në vazhdimësi presidenti dhe kryeministri i vendit, se mund të bisedojnë vetëm në nivel të barabartë, pra si dy shtete të pavarura. Momentalisht kjo duket e pamundur pasi presidenti serb, po refuzon samit pas samiti rajonal, sepse se duron dot prezencën e Kosovës.

Por gjithsesi bisedime do të ketë dhe çdo nivel tjetër përveç atij shtetëror do të ishte vetëvrasje për pavarësinë…


Dhe gjëja e dytë që kurrsesi nuk duhet ta pranojë qeveria e Kosovës është zhvillimi i bisedimeve nën presionin e incidenteve dhe mungesës së stabilitetit në Mitrovicë. Do të ndalem në këtë të dytën.

Dy ngjarjet e fundit, njëra prej të cilëve me pasojë vdekjen e një mjeku boshnjak, janë mënyra më efikase për të ngritur Kosovën në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo e fundit është suhmë e ndjeshme kur është fjala për sigurinë. Nuk ka ndonjë dyshim se ajo që pret të korrë frute nga këto incidente, është Serbia. Autorët e krimeve mund të mos gjenden kurrë, sic është bërë zakon tashmë në Kosovë por nëse ndjekim linjën e përfituesve, nuk është e vështirë për të gjetur drejtimin se nga duhet drejtuar gishti.

Dhe gishti tani duhet drejtuar nga elita politike e shteti serb, e cila në mënyrë urgjente mblodhi këshillin e sigurisë kombëtare, dënuan shefin e ICO-së Piter Faith dhe nxituan të thërrasin një sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Është e qartë se kjo mbledhje nuk do të prodhojë ndonjë gjë konkrete përveç dënimit të incidenteve; në rastin më të mirë përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë, apo disa vendeve të tjera t’ia thonë në sy Serbisë, në mënyrë diplomatike se pas këtyre incidenteve qëndrojnë pikërisht ata.

A janë pjesë e një skenari të tillë pra, nga qyteti i trazuar i Mitrovicës deri në OKB, shpërthimi që ndodhi në lagjen e Boshnjakëve, gjatë një proteste kundër zyrës për regjistrim civil të hapur nga qeveria e Kosovës dhe ai i plagosjes së deputetit serb, pjesë e Kuvendit të Kosovës. i cili tashmë mori një mesazh të qartë?
Logjika e ngjarjeve të thotë po.

Logjika e zhvillimeve të vazhdueshme të thotë se Mitrovica po shihet nga ana e Serbisë si pjesa e tortës, që i takon si shpërblim, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe humbjes përfundimtare të saj. Sipas Beogradit, jo vetëm që i takon, por edhe nuk do të lërë gurë pa lëvizur për ta marrë. Incidentet e këtyre ditëve më parë, nuk janë fillimi, dhe sigurisht që nuk janë as fundi i lojës.

Tashmë që Serbia ia ka dalë mbanë t’iu pëshpëritë në vesh idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, disa ndërkombëtarëve, qofshin ata politikanë apo institute, procese të tilla destabilizuese nuk do të ndalen. Bomba e kurdisur- veriu do të shpërthejë sa herë që nevojat e politikës së Beogradit do ta aktualizojnë. Ata do të vazhdojnë të hedhin gurin dhe të fshehin dorën me qëllimin e vetëm: të ndikojnë sa të mundin negativisht mbi proceset nëpër të cilat kalon Kosova.

Është vështirë të besohet se veprime si këto do të kenë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë tek gjykatësit e GJND-së, vendimi i së cilës është bërë e ditur se pritet të jepet me 22 Korrik. Këto gjykatës janë të regjur me çështje të tilla nëpër botë, e madje shumë më të vështira dhe të ndërlikuara, me forma të tilla presioni e me dinakëri diplomatike. Por nuk mund të thuhet se një pikturë negative e Kosovës do t’i bënte mirë procesit të njohjeve pas vendimit të kësaj gjykate. (Për investimet e huaja nuk ia vlen të flasim; Kosova ende perceptohet si një zonë lufte)

Me gjithë përpjekjet e SHBA-së apo Britanisë për t’i sjellë Kosovës më shumë njohje, numri i tyre nuk pritet të ndryshojë në mënyrë dramatike as pas vendimit të GJND-së. Ajo që pritet dhe duhet të ndryshojë është situata në veri.

Vendosmëria e ministrit të Brendshëm të Kosovës, zotit Rexhepi për të mos u tërhequr, pra mbyllur zyra e regjistrimit civil në Lagjen e Boshnjakëve, pas presionit të radikalëve serbë në veri, duhet mbështetur. Ashtu sikurse duhet studiuar me vëmendje sugjerimi i ICO-së për të bërë të kundërtën.

Duhet studiuar pasi është një tregues se si institucionet ndërkombëtare në Kosovë UNMIK, KFOR janë sjellë në të shkruarën me këtë pjesë. Si pasojë e tolerancës së tyre, tërheqjes ose më saktë dorëzimit sa herë që grupe serbësh kanë protestuar, kanë lënë trashëgim këtë gjendje që është sot. Shembuj ka sa të duash madje edhe të freskët, siç janë rivendosja e doganave ne veri apo ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në kroin e Vitakut.

Nuk ka asnjë dilemë se po të kishin qenë të vendosur këto institucione, qyteti i Mitrovicës sot nuk do të ishte bërë simbol i ndarjes, e as i krimit dhe bandave ta radikalëve serbë.
Shumë kohë është humbur për zgjidhjen e këtij problemi i cili vetëm sa ka ardhur duke u bunkerizuar.

Por shpresa nuk duhet humbur. Siç thotë DaVinci koha është e mjaftueshme për gjithkënd që di ta shfrytëzojë.

Është momenti kur qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje nga KFOR-i dhe EULEX të merren seriozisht me spastrimin e veriut. Çfarë nënkupton kjo?
Së pari një kontroll më i rreptë i kufijve në veri. Kur është çështja te siguria kombëtare cdo shtet normal merr të gjitha masat për të mos lejuar të tjerët t’ia rrezikojnë. Vetëm Kosova ëstë si han pa porta, dhe koncepti i sigurisë kombëtare është një term fluturak për ta.

Së dyti, Kfori duhet të fillojë një aksion gjithëpërfshirës për aktivitet e paligjshme, sidomos atë e posedimit të armëve. Nuk ka justifikim se pse se ka bërë këtë deri tani por më mirë vonë se kurrë. KFOR-i ka pasur dhe ka informata më se të mjaftueshme, të mbledhura nga shërbimet inteligjente në terren se madje disa institucione të shërbimeve publike, në pjesën veriore të Mitrovicës kanë shërbyer dhe shërbejnë edhe tani si depo armësh dhe për aktivitete të tjera të paligjshme. Ka informacione se Spitali në krye të të cilit ka qenë Marko Jakshiq psh është një i tillë.

Qendrat mjekësore janë përdoruar për veprime të tilla edhe në pjesë të tjera të Kosovës, psh në Graçanicë brenda ndërtesë se shtëpisë së shëndetit deri para pak kohësh kanë funksionuar zyra të regjistrimeve të paligjshme dhe ato të MUP-it.

Në veri këto veprime s’kanë nevojë të kamuflohen kaq shumë pasi për dhjetë vjet nuk ua ka prishur njeri tymin.

Po kështu ekziston lista e njerëzve që merren me aktivitetet të paligjshme në veri. Mes tyre ka edhe përfaqësues politikë. Sërish është e pajustifikueshme që deri tani asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj tyre, dhe ata janë të lirë të qëndrojnë në krye të mbretërisë së krimit.

Së treti, edhe pse do të ishte jo realiste të pretendohej që të eliminohej plotësisht, duhet të bëhen përpjekje për të eliminuar prezencën e shërbimeve sekrete dhe të MUP-it. Janë pikërisht këta, organizatorët e protestave që për një minutë i nxjerrin në rrugë 1500 apo 3000 serbë, janë këta që shkaktojnë incidentet, hedhin bomba apo gjuajnë me armë, janë këta që gjuajnë me gurë shqiptarët ndërsa ata ndërtojnë shtëpitë e tyre apo shantazhojnë qytetarët e thjeshtë serbë që banojnë në veri.

Ky lloj spastrimi i veriut është i domosdoshëm. EULEX-i gjithashtu duhet të ndajë kompetencat me policinë e Kosovës dhe ta lejojë atë të hyjë në veri. Gjithkush duhet të fillojë të mësohet me prezencën e shtetit atje, pavarësisht se mund të mos ju pëlqejë.

Pasi të merren këto masa që janë vetëm hapi i parë edhe pse më i vështiri, për vendosjen e sundimit të ligjit, Prishtina do të duhej t’i kthente përgjigje Brukselit se do të marrë pjesë në bisedime më Serbinë. Jo të pranojë pa këto kushte, e të ulet në tryezë nën trysninë e Mitrovicës së incidenteve.