LAJMI I FUNDIT:

Të përdhunuarat pa përkrahje, përdhunuesit të pandëshkuar

Të përdhunuarat pa përkrahje, përdhunuesit të pandëshkuar

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, nga pozita dhe opozita takuan sot zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e cila ishte e shoqëruar me eurodeputetet: Dubravka Shuica, përfaqësuese në PE nga Kroacia dhe Julie Word, përfaqësuese në PE nga Mbretëria e Bashkuar.

Përmes një komunikate thuhet se GGD është e përqendruar në angazhimin që kanë të bëjnë me promovimin e barazisë gjinore, marrjen e masave afirmative për ta fuqizuar gruan dhe demokratizuar vendin.


Kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu-Kodra ka falënderuar eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës.

“Me lejoni t’ju falënderoj për kontributin tuaj dhe të t’ju uroj për arritjen tuaj dhe tonë , që për Kosovën të ketë rekomandime pozitive për liberalizimin e vizave dhe po ashtu inkuadrimin e Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare. Ne Grupi i Grave Deputete vlerësojmë shumë që me gjithë agjendën tuaj të ngjeshur gjithmonë len kohë për takim me GGD-në”, ka thënë kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu-Kodra.

“GGD-ja, me gjithë vështirësitë, është mjaft aktive dhe është grup gjithëpërfshirës që i ka në përbërje të gjitha grupet parlamentare dhe nacionalitetet ne Kuvend”, ka thënë ajo, duke shtuar se “GGD e ka të përqendruar në angazhimin aktivitetet që kanë të bëjnë me promovimin e barazisë gjinore, marrjen e masave afirmative për ta fuqizuar gruan dhe demokratizuar vendin”.

Deliu-Kodra ka shtuar më tutje se “në këtë drejtim akoma mbetet sfidë e jona rritja e zbatimit të Ligjit për barazi gjinore i aprovuar me pare i cili kërkon përfshirjen e gruas në të gjithë institucionet dhe sektorë të ndryshëm me 50%. Po ashtu duhet bërë shumë që të sigurojmë përfshirjen e gruas dhe fuqizimin e saj për kandidatura për kryetare komune dhe pozita të rëndësishme drejtues në nivelin lokal”.

Bëhet e ditur se ajo gjithashtu përmendi që gratë e dhunuara gjatë luftës ende nuk kanë përkrahje e për më keq ende asnjë nga dhunuesit nuk është ndëshkuar për krimet e bëra.

Kurse Lunacek në këtë takim ka thënë se priten lajme të mira për Kosovën.

“Së shpejti presim lajme të mira për Kosovën. Ne besojmë që në Parlamentin Evropian me shumicë do të votohen për rekomandimet për liberalizimin e vizave, por duhet bërë më shumë që kjo të kalojë edhe në Këshillin e ministrave”, ka thënë ajo.

Lidhur me angazhimin e Kosovës për t’i përmbushur detyrat e veta, sidomos në harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së, foli deputetja Lirie Kajtazi.

Kurse deputetja Shqipe Pantina përmendi që Kosova duhet bëjë akoma më shumë në luftë kundër korrupsionit. Deputetja Emilia Rexhepi, ndërkaq, tha se ka interesim që pakicat të kenë përfshirje në institucionet publike.

Edhe deputetet Time Kadriaj e Shukrie Bytyqi folën për rritjen e rolit të gruas në shoqëri dhe nevojën për një angazhim më të madh për të luftuar dhunën në baza gjinore.

Në fund eurodeputetja Lunacek i dhuroi GGD-së një top me simbolin e Bashkimit Evropian, duke thënë se “Kosova ka dhënë gol shumë të madh me inkuadrimin në UEFA dhe FIFA, por tani duhet të jap gola të vërteta në ballafaqim me kundërshtarët”. /Telegrafi/