Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema tregoi në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania momentet nga vendimi i vendeve të NATO për të ndërhyrë në Serbi pas konfliktit të përgjakshëm që kishte shkaktuar mijëra viktima të pafajshme në Kosovë.
Ai u shpreh se vendimi për një operacion ushtarak, ku gjithmonë ekziston rreziku i viktimave mes civilëve ishte i vështirë, ndërsa shtoi se edhe sot është i bindur se në atë moment ishte gjëja e drejtë që duhej bërë.
Intervista e plotë:
President, shumë faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë në Euronews Albania në këtë ditë shumë të rëndësishme për ne shqiptarët. Dhe pyetja e parë që vjen natyrshëm është si e kujtoni 24 marsin e vitit 1999?
Para së gjithash, faleminderit për këtë ftesë dhe mirëdita. Përshëndes të gjithë spektatorët, telespektatorët. Por kujtimi im fillon ndonjë ditë më përpara, sepse disa ditë më përpara atij 24 marsi, besoj se ishte 15 apo 16, ishte Pashkë, ishin ditët para Pashkës, unë shkova në pikën e kufirit të Kukësit dhe pashë të mbërrinin refugjatët nga Kosova. Një lumë automjetesh dhe njerëzish që arratiseshin nga Kosova.
Dhe i takova këta njerëz dhe fola me ta, dhe e kuptova menjëherë se çfarë po ndodhte dhe Italia po organizonte ndihmat për refugjatët, së bashku me shqiptarët. Unë shkova dhe i takova këta operatorë italianë, ushtarakë, civilë, të cilët së bashku me shqiptarët po u vinin në ndihmë këtyre refugjatëve, lista e refugjatëve dhe rrëfimet e refugjatëve më bindën se duhej bërë diçka, se duhej vepruar. Unë kisha ngurruar shumë, sepse ideja e një ndërhyrjeje ushtarake më dukej negative, edhe për arsye kulturore, unë nuk jam në favor të luftës, jam kundër saj, prandaj. Por e kuptova se duhej vepruar, ndaj edhe kur filloi ndërhyrja ushtarake, natyrisht, unë isha i mendimit se Italia duhej të luante rolin e saj.
Zoti president, kam një pyetje që më vjen natyrshëm, kur të gjithë e mbajmë mend presidentin Klinton, që doli në atë komunikim me qytetarët e tij që i njoftoi për atë çfarë po ndodhte. Kur doli Klinton, a ishte rakorduar me ju për atë çfarë po bënte?
Po, po, kishim pasur një konsultim të vazhdueshëm me aleatët. Klintoni u tregua shumë korrekt në marrëdhëniet me aleatët europianë. Edhe në drejtimin e veprimeve ushtarake Klintoni u tregua shumë, shumë korrekt. Patëm kontakte të vazhdueshme, le të themi, dhe përpara veprimeve ushtarake ne folëm bashkë dhe ai më tha “ne e kuptojmë që Italia është afër, që ka marrëdhënie historike me Serbinë, mund të jetë në një pozicion të vështirë” dhe më tha nëse unë do të preferoja të vija në dispozicion bazat ajrore, pa marrë pjesë drejtpërdrejt.
Por unë i thashë jo, i thashë se unë desha të merrja pjesë në menaxhimin politik të konfliktit dhe kështu që e kuptoja që kjo gjë sillte për pasojë edhe që të merrej përsipër plotësisht përgjegjësia edhe nga pikëpamja ushtarake. Por marrëdhënia me Klintonin qe shumë i ngushtë gjatë gjithë kësaj ngjarjeje. Dhe kjo ngjarje qe shumë komplekse, edhe nën aspektin politik, e pastaj mbase flasim më tej për këtë.
Po raportet tuaja me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, cilat ishin? Kishit kontakte me ta?
Këto kontakte ishin, në nivel ushtarak ishin, por unë duhet të jem i sinqertë, ne… pikëpamja ime ishte ajo që të punonim, në mënyrë që në fund të kishte një zgjidhje politike. Dhe, në fund, pati një zgjidhje politike. Dhe, sipas vizionit tim, personaliteti që mund të ndihmonte për një zgjidhje politike, ishte Ibrahim Rugova, prandaj ne bëmë përpjekje për lirimin e Rugovës. Dhe, për këtë ndoshta kishte ide të ndryshme mes aleatëve, por Klintoni më mbështeti, dhe ne arritëm ta lironim Rugovën, dhe ai erdhi në Itali, me familjen e tij, dhe unë mendoj se kjo ishte, se ideja ishte që të gjendej një zgjidhje dhe, edhe pse Rugova ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme, le të themi, në luftën e popullit kosovar, ishte edhe një njeri i paqes, një njeri që mund të nxiste një proces pajtimi.
Dhe, në të vërtetë, më pas Rugova fitoi zgjedhjet, domethënë, nuk ishte një zgjedhje e pabazuar kjo, por qe një zgjedhje që u duk e drejtë. Por, për fat të keq, Rugova vdiq shpejt, për shkak të sëmundjes, por në atë moment, le të themi, se bashkëbiseduesi im kryesor kosovar qe Ibrahim Rugova, që u bë edhe mysafiri im, me të cilin diskutonim për mënyrën se si duhej përmbyllur kjo ngjarje dhe si ta shpinim drejt një rezultati pozitiv.
Zoti president, në momentet para nisjes së fushatës por edhe gjatë nisjes së fushatës, cili ka qenë momenti më i vështirë në takimet që ju zhvillonit mes aleatëve të NATO-s?
Por ka pasur disa momente të vështira, në të vërtetë, sigurisht ne patëm edhe një moment mospajtimi, sepse as ne, as Gjermania, kancelari Schroeder, ne nuk ishim dakord me bombardimet në qytetet e Serbisë. Ne ishim në favor të sulmeve ajrore kundër trupave serbe në Kosovë dhe për këtë pikë patëm një mospajtim me amerikanët, aq sa është e vërtetë që bombardimet në Beograd u kryen jo me asetet e NATO-s, por me avionë dhe raketa amerikane dhe angleze, sepse brenda NATO-s, disa vende, Italia, Gjermania, nuk ishin dakord me këtë. Edhe për shkak të rrezikut të lartë të viktimave civile, që në fakt pastaj pati.
Një tjetër pikë, një moment serioz diskutimesh, qe edhe mbasi kjo fushatë tashmë po zhvillohej prej disa javësh, nuk po jepte rezultate, kështu që u zhvillua një mbledhje në Uashington, gjatë mbledhjes së nivelit të lartë m rastin e 50-vjetorit të NATO-s, mbas rreth 70 ditësh, le të themi. Atje u zhvillua një diskutim mjaft i vështirë, sepse disa propozonin një ndërhyrje të trupave nga toka, me një fjalë, një pushtim, që vështirësisht mund të kryhej vetëm në Kosovë, pasi mendohej në fakt që të zhvillohej një luftë vetëm kundër Serbisë. Ne u kundërvumë, francezët u kundërvunë, gjermanët u kundërvunë, ndërsa Klintoni e përfundoi duke thënë “do të bëjmë vetëm atë gjë, për të cilën jemi që të gjithë dakord”, kështu që pati një ndalesë, një nismë që unë mendoj se do të kishte qenë katastrofike.
Sepse ideja e pushtimit të Serbisë, le të themi, për të bërë në Europë atë që amerikanët bënë në Irak, do të kishte qenë një ide katastrofike. Ne e thamë që në fillim, se ushtarakët tanë mund të futeshin në Kosovë vetëm nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Aq e vërtetë është kjo, edhe pse nuk kujtohet, por unë dua ta kujtoj, sepse është e vërteta absolute, se kontingjenti që u fut në Kosovë nuk qe i NATO-s, por qe një kontingjent i Kombeve të Bashkuara.
KFOR qe një forcë e Kombeve të Bashkuara. Dhe kontingjenti i parë ushtarak që u fut në Kosovë qenë rusët, të cilët pushtuan aeroportin e Prishtinës, dhe jo perëndimorët, sepse kjo sjellje politike lejoi, më pas u zhvillua edhe veprimi i NATO-s, por më pas, lufta përfundoi me një rezolutë të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, dhe me një mandat të Kombeve të Bashkuara, kështu që në fund, zgjidhja u gjet, le të themi, në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare. Dhe kjo u bë e mundur, sepse gjatë gjithë konfliktit ne mbajtëm një dialog edhe me Rusinë, duke qenë dakord me Klintonin. Mua më kujtohet që i dërguari rus ishte ish-kryeministri i kohës, Cernonerdin.
Cernonerdin vinte në Romë, i telefononim Bill Klintonit, në darkë, dhe mbasi kishim folur me Klintonin, Cernonerdin të nesërmen shkonte në Beograd, për të diskutuar me Millosheviçin dhe me serbët. Kështu që, e them këtë, sepse u zhvilluan veprimet ushtarake, por u zhvillua edhe një aksion i fortë politik, në mënyrë që të kërkohej në fund një zgjidhje e tillë që të mos linte në fund një plagë të hapur, le të themi. Sepse, përfundimisht, objektivi ynë qe paqja.
Një paqe, e cila të respektonte të drejtat e popullit kosovar, por një paqe. Dhe, në fund, flitet shumë për luftën e Kosovës, domethënë që ne kemi bërë luftë. Por le t’i themi gjërat siç janë, luftë po bëhej, nuk e bëmë ne, kishte filluar që më përpara se të ndërhynim ne, ishte një luftë e gjatë, veçse Kosova kishte qenë episodi i fundit i një lufte shumë të gjatë në Ballkan. Ne ndërhymë për ta pushuar luftën, sigurisht që ndërhymë me forcë, por për të krijuar një ekuilibër paqësor, ky ishte objektivi i veprimit të NATO-s dhe kjo ishte arsyeja për të cilën ne ramë dakord.
Zoti kryeministër, kanë kaluar 25 vjet dhe disa informacione kanë dalë, janë deklasifikuar shumë gjëra, ndalemi pak te roli i Shqipërisë. Çfarë mund të zbulojmë nga takimet sekrete që janë zhvilluar nga NATO me qeverinë shqiptare por edhe tuajat personale si kryeministër i Italisë?
Mua më kujtohet që bashkëpunimi ynë me Shqipërinë qe me të vërtetë ekzemplar, sepse ne kishim frikë se arratisja nga Kosova do të shkaktonte një fluks të pamasë refugjatësh në drejtim të Bashkimit Europian, ky rrezik ekzistonte. Nëse ju mendoni për atë që ndodhi disa vjet më vonë, me luftën në Libi, atëherë ne u ndodhëm përballë një emergjence dramatike. Tani, në këtë rast, kjo emergjencë nuk u shfaq, dhe kjo, mbi të gjitha, falë bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, sepse ne e menaxhuam së bashku – dhe duket të them se shqiptarët e bënë këtë me shumë bujari dhe me shumë aftësi – valën e refugjatëve, këta u pritën në pjesën më të madhe në Shqipëri, me ndihmën e ushtrisë italiane, por duke punuar së bashku, dhe shmangëm kështu një katastrofë humanitare.
Nëse ju do të mendoni që u arratisën rreth gjysmë milioni njerëz, qe diçka e jashtëzakonshme, dh nuk u nis asnjë mjet lundrimi në Adriatik. Nuk ndodhi asgjë, gjithçka u qeveris, një pjesë e refugjatëve, qenë ata që kishin më shumë nevojë për ndihmë, u shoqëruan për në Itali, por edhe në vende të tjera, në Austri, në Gjermani, etj., ndërsa një pjesë e madhe u ndihmuan në Shqipëri. Atëherë, gjëja e parë që unë dua të them, është se ai qe një moment i rëndësishëm, pozitiv, i bashkëpunimit humanitar, Itali-Shqipëri, në ndihmë të njerëzve, që besoj se ka qenë një prej momenteve që i kanë çimentuar edhe më shumë marrëdhëniet tona.
Pastaj, sigurisht që Shqipëria qe pjesë e kësaj ngjarjeje, edhe në kërkimin e një zgjidhjeje. Në fund, për shembull, qe shumë e rëndësishme që Shqipëria të mos kapej mbas idesë së Shqipërisë së Madhe, le të themi, që do ta bënte gjithçka edhe më të vështirë. Por, e pranoi idenë e një autonomie, të një pavarësie të Kosovës, Kosova qe e administruar nga Kombet e Bashkuara, pa pretendime me karakter territorial. Kështu që unë duhet të them se gjatë gjithë kësaj ngjarjeje, sjellja e Shqipërisë ka qenë një sjellje shumë e mençur, shumë efikase, unë zbulova një klasë drejtuese që ishte në gjendje të merrte përsipër përgjegjësitë e veta.
President, kthehemi edhe një herë te fushata, sepse përmendet shpesh roli i Francës, në fushatën e bombardimeve të NATO. Cili ka qenë realisht roli i Francës?
Shikoni, secili bëri pjesën e vet, unë nuk dua… nga pikëpamja ushtarake, pesha më e madhe qe ajo e Shteteve të Bashkuara, e pastaj e Mbretërisë së Bashkuar, e pastaj e Italisë, por besoj se këto të dhëna mund të gjenden, le të themi, në kuptimin që NATO-ja është shumë e saktë, si numër misionesh, por po shtoj se ne pastaj kishim edhe të gjitha bazat, ato ajrore, etj., dhe ne morëm përsipër përgjegjësitë tona. Francezët bënë pjesën e tyre.
Ju pyes për rolin e Francës se të gjithë e dinë lidhjen që Franca ka me Serbinë dhe prandaj gjithmonë ngremë pikëpyetje lidhur me rolin e Francës në këtë fushatë.
Por, shikoni, unë besoj se qeveria franceze qe shumë e vendosur, madje në mënyrë të veçantë edhe vetë kryeministri Jospin, ndoshta ai që kishte më shumë dyshime ishte presidenti Chirac, më… por sidoqoftë, në fund, aksioni i NATO-s u vendos nga të gjithë bashkë, nuk besoj që… edhe ne kishim marrëdhënie të mira me Serbinë. Unë u përpoqa që t’i bëja të kuptonin serbët që duhej të vepronin për të shmangur, përpara luftës, unë u takova në mënyrë konfidenciale edhe me Milutinovicin, që ishte atëherë presidenti i Serbisë, ishte një prej personave më të afërt të Millosheviçin. Mendoni që këtë takim e organizova te dentisti, sepse ai vinte në Romë, tek i njëjti dentist ku shkoja edhe unë.
Vinte në mënyrë konfidenciale, dentisti im është istrian, është një dentist i madh, është me prejardhje nga Istria, dhe kështu që kishte shumë marrëdhënie me botën e ish-Jugosllavisë, dhe e organizoi ai vetë këtë takim privat. Dhe unë i thashë “po ju jeni duke bërë gjëra të papranueshme”, kishte pamje nga masakrat që kishin bërë, nga ato grupet e paramilitarëve, etj., “duhet të tërhiqeni, se këtu do arrihet në luftë“.
Ia thashë hapur këto, duke e ftuar që të merrte… dhe ai mu përgjigj duke thënë “por jo, Perëndimi nuk do t’i futet kurrë një lufte, për këta katër rreckamanë… “ Më bëri shumë përshtypje, se tregoi njëfarë arrogance, njëfarë verbërie… por ne u përpoqëm që ta parandalonim luftën, sigurisht duke u përpjekur t’u linim të kuptonim serbëve se duhej të tërhiqeshin, përpara se dikush të ndërhynte për t’i detyruar të tërhiqeshin, le të themi… kështu pra… Ne jemi miq të Serbisë, mbas disa vjetësh, si Ministër i Jashtëm, unë shkova në Beograd për të përuruar Institutin e Kulturës Italiane, dhe, natyrisht, kisha njëfarë tensioni, sepse ishte hera e parë mbas luftës, që unë po kthehesha në Beograd.
Por duhet të them se, duke u takuar edhe me të rinj, me intelektualë, e pastaj ishte edhe Panairi i Librit i Beogradit, etj., gjeta edhe shumë njerëz që më thoshin “në fund të fundit, na ndihmuat edhe të çliroheshim nga Millosheviçi“. Duhet të them se, sigurisht, lufta qe një tragjedi, por në fund të fundit, të paktën një pjesë e opinionit, e të rinjve, e intelektualëve, etj., e kuptonin se nëpërmjet luftës i ishte hapur udha edhe një ndryshimi demokratik në Serbi.
President, këto minuta të fundit dua të ndalem pak te Kosova e sotme, si e shihni Kosovën sot?
Po shikoni, duhet t’ju them të vërtetën… unë besoj se duhet të inkurajohen autoritetet e Kosovës, që të mos përfshihen nga ndjenja nacionaliste, dhe të kërkojnë rrugën e një dialogu me Serbinë, sepse, ndershmërisht, pa prekur pavarësinë e Kosovës, mbi të gjitha, duhet të bëhen përpjekje që të funksionojë më mirë bashkëjetesa, sepse ne e dimë që në Kosovë ka një pakicë serbe, e cila është e kufizuar, por sidoqoftë është e rëndësishme, në një zonë të caktuar të Kosovës, me të cilën duhet të bashkëjetohet. Ndër të tjera, ne e dimë që ka edhe një pakicë shqiptare që ndodhet ende në Serbi, në Preshevë, i dimë të gjitha, le të themi që jemi njerëz që e njohin atë pjesë të botës.
Unë kam bashkëpunuar edhe për një periudhë të shkurtër kohore me qeverinë e Kosovës, në atë periudhë në të cilën Ministër i Jashtëm ishte Behgjet Pacolli, por Kosova duhet të tregohet e kujdesshme që të mos e pushtojë demoni i nacionalizmit, sepse në fund, le të themi, nëse Kosova dëshiron të dalë nga këto kushte gjysmake, se Kosova është një vend që është njohur nga shumë, por nuk është njohur ende nga ca të tjerë, që nuk mund të jetë pjesë e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, dhe madje edhe Bashkimi Europian ka probleme, sepse ka edhe vende brenda Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën. Kështu që, në qoftë se Kosova dëshiron të arrijë të fitojë një status të plotë njohjeje, kjo gjë kalon nëpërmjet dialogut me Serbinë, është e pashmangshme, domethënë nuk është një gjë që mund të shmanget. Kështu pra, nevojitet një klasë drejtuese që të jetë në gjendje ta kërkojë këtë dialog.
Është e kotë të ushqehen elementet e kundërvënies. Edhe Serbia, është e sëmurë nga nacionalizmi, le të themi, por ne e dimë që nacionalizmat në Europë, dhe në mënyrë të veçantë në vendet e Ballkanit, kanë sjellë gjithmonë tragjedi. Kështu që, nëse unë kam një mesazh, është që Kosova duhet të punojë më shumë për dialogun. Nganjëherë unë shikoj shumë më tepër guxim në dialog në udhëheqjen shqiptare, se Shqipëria në këto vite ka luajtur një rol shumë pozitiv në vendet e Ballkanit, ka qenë një vend që ka punuar për stabilitetin, ka punuar për bashkëpunimin. Ja pra, do të doja që mbase ky shembulli shqiptar të ndiqej edhe nga Kosova.
Po si mund të negociosh me Serbinë, kur ata thonë ne nuk e njohim marrëveshjen e Ohrit, nuk zbatojmë marrëveshjen e nënshkruar, nuk njohim pikat e atyre marrëveshjeve, si mund të diskutosh me këtë Serbi?
Unë nuk jam avokati i Serbisë, e di shumë mirë që Serbia ka disa pozicione paksa të ngurta, por njëfarë dialogu midis Vuçiçit dhe Thaçit ishte hapur. Ka pasur momente kur ky dialog duhej se ishte më i mundshëm , nuk e kam hapur unë, e kanë hapur ata. Dhe, e pastaj, ka pasur paqartësi edhe në udhëheqjen kosovare, dhe një kthim mbrapa, le t’i themi gjërat troç si janë. Ju po flisni me dikë që i ka ndjekur këto ngjarje shumë nga afër, jo… Po, ju keni të drejtë, por në të njëjtën kohë, unë nuk jam duke folur për… negociata që duhet të bëhen nesër, e kuptoj që ka vështirësi, por besoj se në qoftë se ka një vullnet nga ana kosovare, për të gjetur udhët e dialogut, ky pozicion është më i fortë, dhe është edhe më e lehtë për komunitetin ndërkombëtar që ta ndihmojë Kosovën, që të ushtrojë njëfarë presioni mbi Serbinë, në qoftë se udhëheqësit kosovarë na ndihmojnë që të kërkojmë një bazë të mundshme për dialog. Kështu pra, unë nuk po flas për negociata që do bëhen nesër, por unë po flas për një qëndrim, ja pra, për një qëndrim që duhet pasur, nuk kemi asnjë interes, bota tashmë është e përfshirë nga konflikte të tmerrshme, nuk duhet të ushqejmë tension në zemër të Ballkanit, që ka përjetuar tashmë shumë e shumë konflikte ndër vite.
Zoti kryeministër, mes shqiptarëve diskutohet shpesh roli i Lajçak dhe Borrell si negociatorë në këtë tryezë bisedimesh lidhur me qasjet e tyre jo shpesh herë në favor të Kosovës.
Nuk e di, unë nuk dua të kritikoj Përfaqësuesin e Lartë, është e qartë që Borrell përfaqëson pozicionet europiane, le të themi, sepse është i kushtëzuar edhe nga pozicioni i Spanjës, ne nuk mund të harrojmë që Spanja është një vend që nuk e njeh Kosovën, kështu është e qartë që ai në njëfarë mënyre duhet edhe t’i mbajë parasysh këto, por nuk e besoj se ai është kundër Kosovës, Sigurisht që ndonjë peshë në pozicionet e tij e ka edhe pozicioni spanjoll.
Kryeministër, nëse do ktheheshit 25 vite më parë, do bënit sërish të njëjtën gjë?
Shikoni, ju siguroj që të marrësh pjesë në një konflikt të armatosur është një përvojë që nuk do të më pëlqente ta përsërisja, le të themi. Ajo qe një përvojë dramatike, ishin ditë shumë të vështira, edhe sepse ndieja peshën e përgjegjësisë, kur shikoja pamjet e bombardimeve, të njerëzve të vrarë, e gjithë kjo prek edhe ndërgjegjen e thellë e përgjegjësve politikë, nëse janë njerëz të përgjegjshëm. Por, vazhdoj të mendoj se në atë moment ishte gjëja e drejtë që duhej bërë, vazhdoj të mendoj se nuk kishte alternativa, vazhdoj të mendoj se… unë i kam parë njerëzit e plagosur, në Kukës, i kam parë njerëzit që arratiseshin, i kam parë të moshuarit që i kishin këmbët të plagosura nga bajonetat, e kam parë me sytë e mi se çfarë po ndodhte, kështu që u binda atëherë dhe mbetem i bindur edhe sot se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndronte pa bërë gjë përballë kësaj tragjedie.
Zoti kryeministër shumë faleminderit, ishte kënaqësi dhe privilegj t’ju kisha në këtë bisedë në Euronews Albania.
Mirupafshim, faleminderit juve, faleminderit juve dhe një përshëndetje të përzemërt telespektatorëve./Euronews/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëMomenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Emisari amerikan Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën
Aksident i rëndë në Veternik flasin nga Emergjenca e QKUK-së: Tetë persona janë duke u trajtuar
Uka: Nëse vërtetohen përgjimet, i bie që është cenuar siguria kombëtare
11 persona lëndohen në një aksident në Veternik, përfshihen 11 vetura dhe një kamion
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Arda Guler nga Turqia i dërgon mesazh Carlo Ancelottit për minutazhën te Real Madridi
Çfarë janë uraganet, sa të rrezikshëm janë dhe çfarë mund të ndihmojë në zbutjen e dëmeve?
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Pamje nga vizita e Jakup Krasniqit te varri i vëllait, më pas i takon familjarët në fshatin e tij
Kaloi 50 mijë konkurrentë në audicion - kush është Nora Tushi, shqiptarja që po mahnit jurinë gjermane
Berisha: Do të dalin audio-incizime të tjera, do të na vijë turp