Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, lidhur me mëvetësinë e Kosovës, është një moment shumë i rëndësishëm në programimin dhe marrjen e hapave politik e diplomatik të Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve aleate drejt shtimit të numrit të njohjeve. Ky vendim e ka sjellë Kosovën në një pozitë tjetër shumë pozitive, pasi që, edhe një herë, kësaj radhe në organizmin më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, është folur, dhe vlerësuar për Kosovën. Ky ndërkombëtarizim i mirëseardhur duhet që të përdoret nga institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës, që vendet e pa interesuara dhe të pa informuara rreth kontestit Kosovë - Serbi të njoftohen me vullnetin e popullit të Kosovës, ndërsa vendet që kundërshtojnë mëvetësinë e Kosovës, të zbehin qëndrimin e tyre, tashmë kur përpara kanë një vendim të një gjykate ndërkombëtare.

Shih për këtë, është e pa falshme pushimi kolektiv që morri Kuvendi Popullor i Republikës së Kosovës pikërisht tani kur bota po flet për neve! Të qëndrosh nëpër plazhet e Mesdheut kur mundesh të punosh pa masë sikur të ishe në detyrë, është jo vetëm papërgjegjësi e njerëzve të votuar nga populli dhe që duhet të përfaqësojnë popullin, por është edhe përçmim i punës së shumë zyrave diplomatike të vendeve mike të Kosovës, që nuk po përtojnë fare të kalojnë verën nëpër zyrat e tyre, vetëm për hir të Kosovës. Hëpërhë, pushimet e Kuvendit të Kosovës do të ishin arsyetuar sikur të ishte situatë e përditshme në politiken kosovare, por, tani kur bota po zien me emrin Kosovë, një luks i këtillë është i pa arsyeshëm.


Po ashtu, edhe qeveria e Republikës së Kosovës, duhet ndërmarrë hapa më të shumtë, dhe më ambicioz lidhur me procesin e lobimit. Figura e kryetarit të shtetit, dhe atij të qeverisë, janë profilet më përfaqësuese të politikës së një shteti. Të mjaftohen të dy zotërinjtë e lartpërmendur me një reagim bërë për BBC-në në Shqip, është thjesht mosnjohje e paradigmave dhe fronteve politike botërore.

Dhe në fund, habitem shumë kur dëgjoj, shoh apo lexoj në mediet e Kosovës për një fushatë lobimi që siç thuhet “po e bën Ministri i Punëve të Jashtme gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ku takon ambasador të ndryshëm të vendeve që nuk e kanë njohur akoma Kosovën”. Çfarë përbuzjeje me vlerat e rregullit politik botërorë. Kush ka parë, apo dëgjuar që një ambasador të marr vendimin që vendi i tij ta njoh një vend që kërkon shkëputjen nga një vend tjetër, si shtet sovran e të pavarur?. Ambasadorët janë thjesht zëdhënës së politikës së vendit të tyre, në vendin pritës, dhe vendime të tilla të rëndësishme që kanë të bëjnë me rregullin ndërkombëtarë, marrin vetëm qeveritë, pas konsultimeve me Parlamentet dhe burrështetasit e vendeve të tyre, në pajtim me interesat e tyre politike ndërkombëtare. Prandaj, të takosh ambasador është vetëm përpëlitje e çakërdisur dhe pa orientim të mirëfilltë politik.

Lobimi bëhet pikërisht aty ku janë qeveritë, pra në kryeqytetet e vendeve të botës, duke takuar përfaqësues të lartë politik të këtyre vendeve si fjala vjen kryetarë, kryeministra e ministra të jashtëm, qoftë në vendet e tyre, qoftë në forume rajonale, kontinentale apo globale. Pra mjeshtëria e lobimit është një element shumë i hollë që kërkon angazhim nga të gjithë, por në nivele të dëshmuara vendim-marrëse. T’i shfrytëzojmë ato siç duhet!

(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)