Të merren parasysh mesazhet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mendon se përvoja e deritanishme e politikës kosovare ka treguar se mesazhet e faktorit ndërkombëtar për institucionet e Kosovës, çdoherë kanë qenë kruciale për sjelljen dhe vendimet e lidershipit të Kosovës.
Sipas tij, thirrjet e faktorit ndërkombëtarë për zhvillimin e një procesi elektoral të lirë, të drejtë dhe demokratik në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, do ta kenë peshën e vetë në këtë proces.
Selmanaj ka theksuar se zgjedhjet e 3 nëntorit duhet t’i shërbejnë klasës politike që proceset demokratike, përfshirë edhe proceset elektorale duhet ta kenë përkushtimin e gjithë klasës politike dhe mekanizmave institucional, pa pasur nevojë, sipas tij, për këshilla apo rekomandime të fuqishme nga faktorët relevant ndërkombëtarë.
Shqipe Pantina nga Qendra për Politika dhe Avokim, shprehet se partitë politike si dhe çdo individ tjetër që do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, nuk do duhej të përfshiheshin në manipulime, sepse kjo do përbënte shkelje të ligjit.
Megjithatë, mesazhi i ambasadores së SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, dhe përfaqësuesve të BE-së për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është i mirëpritur sipas saj, ndaj beson se do ketë ndikim.
“Dua të besoj se nuk do ketë tentime për manipulime në këto zgjedhje. Vetëm dua të përkujtoj se për shkak të përfshirjes në manipulime në zgjedhjet e kaluara, rreth 400 komisionerë janë dënuar me burg dhe aktakuzat janë ngritur për mbi 100 tjerë. Besoj se kjo është edhe një arsye shtesë që t’i emancipojë qytetarët për mos përfshirje në manipulime. Është koha e fundit që edhe ne të sillemi si popujt e qytetëruar të Evropës, ku synojmë të bëhemi pjesë”, ka thënë Pantina. /Telegrafi/


















































