Të mendojmë më ndryshe
E jetojmë një tranzicion shumë konfliktual politik ku laramania dhe polarizimi i alternativave oponente, qoftë brenda subjekteve politike, qoftë në rrethana të tjera shoqërore, është shumë i pranishëm. Mendimet ndryshe janë pjesë e pandashme e të gjithë neve në mjediset tona intime, por që, të shtrohen nëpër forume apo t’i bëjmë ato publike, edhe pse në kushtet e pluralizmit dhe demokracisë ekzistojnë hapësirat e nevojshme, ngurrojmë shumica.
Në këtë fazë foshnjore të pluralizmit politik dhe partiak që mbretëron tek ne, duhet pranuar faktin që “mendimin ndryshe”, nuk e mirëpresim e nuk dimë ta vlerësojmë. Dhe jo rrallëherë personat që kanë më shumë guxim t’i thonë hapur mendimet e tyre, edhe sulmohen e denigrohen në forma të ndryshme me pretekstin se gjoja gjenerojnë debate shterpe me sensibilitete false.
Raste të tilla, përveç që kemi mjaftë brenda subjekteve politike, kohe pas kohe ndodh të kemi edhe nëpër medie të ndryshme.
Gjithsesi, do doja të besojë që në themel të këtyre “konflikteve”, më shumë qëndrojnë faktorë moral se sa politik, por tek ne, në të shumtën e rasteve politika po e nënshtron e politizon edhe vet moralin. Dhe si rrjedhojë, varësisht prej pozicionimeve, shumica të moralshme, po i konsiderojnë vetëm gjërat që atyre ua përmbushin interesin apo që i bëjnë të ndjehen mirë, dhe të pamoralshme – ato që i bëjnë të ndjehen keq. Pra janë vetëm praktika të sojit, predikoje e mos ju përmbajë, dhe përmbaju se na leverdisë por mos e prediko se nuk duhet dhe nuk është e mirë!
Sido që të jetë, për ta kuptuar se sa ka moral në politikën tonë, për të qenë edhe më pragmatik dhe empirik, mund të gjykojmë edhe në bazë të ngjarjeve të fundit, gjegjësisht ndryshimeve në kursin politik të vendit, si dhe thuthuqeve të vazhdueshme që bëhen nga partitë, në adresë të njëra-tjetrës.
Protagonistët konfliktual duket sikur më shumë po flasin me gjuhën e urrejtjes sesa me atë të arsyes, dhe si pasojë skena politike në vend më shumë po zotërohet nga grindjet e mëritë personale e klanore sesa nga dallimet në bindje, pikëpamje dhe alternativa.
Pamje kjo, e cila, partitë tona politike po i bënë të duken më shumë si kazerma sesa grupime ku frymon demokracia. Për këtë, ka mjaftuar vetëm që gjatë muajve të lënë pas, të shkojmë në ndonjërin prej mitingjeve të tyre që t’i shohim ngjashmëritë: Uturimat “poshtë” dhe “lartë” nuk kishin të ndalur!
Është një fakt i njohur se me alergjinë ndaj ideologjive dhe shndërrimin e partive, në parti për elektorat, i është hap rruga një politike utilitare, të varfër në ide dhe ideale, duke zbehur e ngushtuar kështu edhe dimensionin që lidh politikën me moralin. Shumë analistë të huaj shprehen se me shkatërrimin e ideologjive politike, interesi i ngushtë vetjak është forca shtytëse e proceseve politike, prandaj edhe ne tani po jetojmë vetëm politika serike që përmblidhen, po ashtu, vetëm nëpër “xhepa” politikanësh.
Një politikë e tillë, pa ide dhe pa vlera intelektuale nuk ka ndonjë forcë tërheqëse, sidomos për inteligjencën, e cila, si rregull, nuk është e prirë për t’u marrë me politikë. E që për ne, në këtë fazë që gjendemi, është më e nevojshme se çdo herë tjetër.
Dhe jo pa të drejtë, Dritero Agolli, heshtjen e intelektualeve në kohë krizash politike e krahason me heshtjen e studentit në provim. Prandaj edhe ata, nuk duhet pritur deri sa të derdhët “kupa e mbushur”, por pikërisht, duhet që tani të jenë sizmografët e ndryshimit.
Kuptohet, tërheqja e “trurit” nuk realizohet me thirrje patetike dhe as joshje me anë të karrigeve që u bëjnë partitë, sepse intelektualët e vërtetë nuk e shesin lirinë e tyre për këto gjëra, por duke u bërë mjedis i përpunimit dhe përhapjes së vlerave jokonformiste, dhe jo vetëm ambient sjelljesh që i ngjasojnë sjelljes së ujit pa formë, që rrjedh vetëm sipas pjerrësisë që gjënë.
“Zotërinj, ju nuk jeni këtu për të pasur një mendje me mua, por për të shfaqur pikëpamjet tuaja”- u drejtohej Napoleoni vartësve të vet (Emil Ludvig, Napoleoni, fq. 128-129).
Edhe në shoqërinë tonë çdo gjë flet për rolin dhe nevojën për ta zgjuar ndërgjegjen jokonformiste, sepse çdo individ brenda partive politike apo organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, në të cilën bënë pjesë me vullnetin dhe dëshirën e tij të lirë, duhet të mbajë përgjegjësi morale për fatin e saj, dhe jo vetëm të konfirmohet e të veprojë sipas motos: “Si gjithë të tjerët!”.
E jokonformistët, nuk kanë sesi të mos u përshtaten normave të vendosura dhe vendimeve të marra bashkërisht, por përshtatja duhet të arrihet nëpërmjet relativizimit dhe rezultateve, pra rritjes së përgjegjësisë vetjake.
Për të vlerësuar etikën e bindjeve dhe konceptin “mendim ndryshe”, dhe shtensionuar këtë politikë konflikutuale e kuptuar funksionimin normal dhe demokratik të partive si jo vetëm “hile politike” apo mjet riciklimi të politikanëve të ndryshëm, nevojitet të kuptohet së pari nga vetë partitë se demokracia është vlerë, kulturë, edukim, stimul dhe arritje njëherësh. Është e sotmja dhe e ardhmja në lidhjen e tyre dialektike të zhvillimit shoqërorë.
Sepse, si duket, natyra tranzitore e tyre reflektohet edhe në marrëdhëniet reciproke mes njëra-tjetrës, që shpesh edhe marrin formën e një polarizimi banal.
Dhe, përderisa veprohet sipas logjikës së disa partive: "Ose ne, ose ata" apo edhe thirrjeve "poshtë" dhe "lartë", tregojnë që nuk njohin asgjë të mesme.
E, më tutje, përderisa edhe vet aspak më të mirë nuk janë, kjo gjë nuk çon askund tjetër përveç në një edicion të ri të monomanisë!
Për këtë logjikë, ironia e Vilhelm Rajh'it është diagnoza më e mirë: "Mjaftë më me thirrje të tilla, sepse ato nuk çojnë asnjë hap përpara, drejt qëllimit të popullit, njeruc!".



































