LAJMI I FUNDIT:

Të mbijetuarit e masakrës së Qyshkut refuzojnë të dëshmojnë në Beograd

Të mbijetuarit e masakrës së Qyshkut refuzojnë të dëshmojnë në Beograd

Dy dëshmitarë kyç që i mbijetuan një masakre të shqiptarëve të Kosovës në fshatin Qyshk në vitin 1999 refuzuan të dëshmojnë në atë që e quajtën një gjyq “qesharak” për krime lufte, ndaj 10 trupave të ushtrisë jugosllave.

Rexhë Kelmendi dhe Isa Gashi, dy të mbijetuarit e sulmit nga forcat serbe në fshatin Qyshk në maj të vitit 1999, ku vdiqën 44 persona, i thanë gjykatës në Beograd se nuk duan të paraqiten si dëshmitarë në gjyqin e 10 ushtarëve të ushtrisë ish-jugosllave.


“Jemi informuar se Rexhë Kelmendi dhe Isa Gashi nuk duan të marrin pjesë në gjyq”, tha në një seancë të mërkurën Vladimir Duruz, kryetari i trupit gjykues për çështjen.

Kelmendi dhe Gashi thanë se ata ishin “tradhtuar” nga gjykatat serbe, të cilat sipas tyre nuk mund të sigurojnë drejtësi për ta, dhe për këtë arsye ata nuk duan të marrin pjesë në atë që e quajtën një “gjyq absurd”.

Njoftimi i tyre vjen pasi gjykata e apelit në Serbi, në shkurt të vitit të kaluar liroi ish-anëtarët e Skuadrës 177 të Ndërhyrjes së Ushtrisë Jugosllave, të cilët vranë të paktën 118 shqiptarëve të Kosovës në katër fshatra rreth qytetit të Pejës në prill dhe maj 1999. Burrat ishin shpallur fillimisht fajtorë nga gjykata e lartë dhe u dënuan gjithsej me 106 vjet burgim. Çështja është tashmë në rigjykim.

Të dy, Kelmendi dhe Gashi dëshmuan në gjyqin fillestar, duke dhënë dëshmitë kryesore që hodhën dritë mbi ngjarjet e 14 majit 1999, kur rreth 150 anëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe rrethuan fshatin Qyshk, duke vrarë 44 persona, duke plaçkitur dhe djegur shtëpitë. Gratë, të moshuarit dhe fëmijët u dëbuan.

Të dy burrat dëshmuan në vitin 2011 në Beograd në lidhje me mënyrën se si arritën t’i mbijetojnë sulmit.

Fshatarët shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në qendër të Qyshkut, ku burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët.

Burrat e moshës mbi 16 vjeç u detyruan më vonë të hyjnë në tre shtëpi, ku ushtarët qëlluan mbi ta dhe i vunë zjarrin shtëpive.

Kelmendi mbijetoi duke u hedhur nga dritarja, ndërsa ushtarët po grindeshin, ndërsa Gashi u shtir si i vdekur, i fshehur mes trupave të bashkëfshatarëve të tij, derisa serbët u larguan.

Që nga fundi i luftës në qershor 1999, burrat kanë dhënë disa dëshmi në organizata ndërkombëtare dhë gjykata në Serbi dhe Kosovë.

Dëshmitë e tyre ndihmuan edhe hulumtuesit nga Human Rights Watch në vitin 2001 për të identifikuar autorët e dyshuar të krimit.

Raporti i Human Rights Watch dhe dëshmitë e tyre çuan në një padi në vitin 2011. Autorët e dyshuar të përmendur në raport janë aktualisht në gjyq në Beograd.

Pa dëshmitë e Kelmendit dhe Gashit, rezultati i rigjykimit është i pasigurt.

Besimi i të mbijetuarve shqiptarë të Kosovës në sistemin juridik serb ka rënë ndjeshëm vitin e kaluar pasi autoritetet serbe vendosën të ndalojnë përfaqësimin në gjykatë të viktimave nga avokatët e Kosovës.

Ndalimi u vendos për shkak se avokatët nga Kosova nuk janë anëtarë të dhomës serbe të avokatëve.

Masa erdhi pasi misioni i BE në Kosovë për Sundimin e Ligjit, ndaloi avokatët serbë nga mbrojtja e serbëve që po gjykoheshin në Kosovë, sepse nuk ishin anëtarë të dhomave të avokatëve në Kosovë.

Si rezultat, disa gjyqe për krime lufte janë vonuar, ndërsa viktimat kanë hyrë në mëdyshje për pjesëmarrjen e tyre në seanca.

Çështja Peja është konsideruar si një nga më të mëdhatë në lidhje me krimet e luftës në Kosovë të hetuara nga gjykatat e Beogradit, ku seancat në gjyqin fillestar zgjatën për katër vjet.

Në gusht të vitit 2014, prokuroria serbe e krimeve të luftës ka nisur një hetim mbi Dragan Zhivanoviç, ish-komandant i Brigadës 125 të Ushtrisë jugosllave, me dyshimin se nuk ka bërë asgjë për të parandaluar vrasjet e shqiptarëve dhe shkatërrimin e shtëpive dhe pronave në katër fshatra.

Deri tani megjithatë asnjë aktakuzë është ngritur.

Sulmet ndaj katër fshatrave dhe përpjekjet pasuese për të mbuluar krimin janë hulumtuar në dokumentarin: “Të Paidentifikurit” nga BIRN. Dokumentari paraqet rrëfime të hollësishme të sulmeve nga të dyshuarit si autorë dhe nga viktimat, përfshirë Rexh Kelmendin.

Ushtari konfirmon pretendimin e prokurorisë

Duke dëshmuar të mërkurën, ish-ushtari jugosllav, Svetozar Joviç konfirmoi pretendimin e prokurorisë se Skuadra 177 e Ndërhyrjes së Ushtrisë Jugosllave i bindej udhrave të Brigadës 125 në kohën e sulmeve dhe kështu nuk po vepronte e vetme.

“Nuk jam shumë i sigurt se çfarë date ishte, por ka qenë ose fund prilli ose fillim maji… Urdhrat u dhanë nga [komandati i Brigadës 125] Dragan Zivanoviç”, tha Joviç në gjykatë.

Që kur gjyqi filloi, prokuroria ka argumentuar se sulmet mbi katër fshatrat ishin urdhëruar nga komandantët më të lartë, ndërsa disa avokatë të mbrojtjes kanë argumentuar se vrasësit ishin paraushtarakë që nuk ishin në kontrollin e ushtrisë jugosllave./BIRN/