LAJMI I FUNDIT:

Të mbërthyer prej flamujve joshqiptar

Deri kur kështu? Dje kështu e pyeta vetën. Ndërsa sot, pasi gjeta pak kohë të lirë, nuk dita se si t’i përgjigjem vetës, ngase dje, në kohën kur vetja ime ma bëri këtë pyetje, unë u frikova t’ia japë ndonjë përgjigje, sepse e mendova të nesërmen, mendova se sa shpejtë mund zhytem me vetveten në kundërthënie të pambarimta, shkurtë thënë, – iu frikova dualizmit. Edhe pse iu frikova dualizmit, prapë rashë në dualizëm, ngase vetja ime prej meje sot e kësaj dite pret përgjigje! Në pyetjen deri kur kështu? – në vijim do të mundohem t’i përgjigjem vetës dhe gjithë atyre që gjenden nën ethet e llojit të preokupimit tim.

Sonte në orët e vona të këtij terri, që duket sa s’ka fund, dua të takohem me dritën e diellit, por më kotë, dielli edhe ashtu do ta bëjë të vetën. Kështu që, më duhet të heq dorë nga kjo dëshirë, mbase ndjehem i sfiduar prej ligjit të pandryshueshëm natyror. Sot, si rrjedhojë e aktualitetit tejet të zymtë dhe të pashpresë, dua që sa më parë të takohem me të nesërmen, por prapë ngutja dhe mosdurimi im sfidohet, po prej të njëjtit ligj. E nesërmja më gjeti me po të njëjtat halle, besa edhe me disa halle shtesë, mbase u bëra kinse harrova se në vendin ku jetojë, me kalimin e ditëve vetëm sa shtohen hallet e assesi nuk pakësohen, duke e kërkuar tani me ngazëllim të djeshmen, ngase hallet e sodit më treguan se sa mirë paskam qenë dje, edhe pse dje i urreja skajshmërish lajmet dhe ngjarjet e asaj dite.


Ç’të bësh, kështu është realiteti, realitet tepër i padrejtë! Tani dikush mund të më thotë, – ore nuk mund të jetë realiteti i padrejtë, mund të kemi ose realitet ose padrejtësi!!! Sot isha në Shkup, në çdo skaj të këtij qyteti të lasht Dardan, pashë vetëm flamuj maqedonas, pash edhe shumëçka tjetër, por radha e brengosjes dhe e dëshpërimit tim, kësaj radhe ishin flamujt e shumtë maqedonas. Unë këtë fakt e pranova si realitet që po mbretëron në këto treva, por këtë realitet e konsiderova tepër të padrejtë. Kësi lloj vlerësimesh nuk bëra vetëm unë, por të gjitha ata që gjërat i shohin ashtu siç si janë (kjo ka të bëje me të menduarin real), e jo si duhen të jen, mbase kjo e fundit i përket llafazanit i cili vetëm fletë, por dëshiron të bëhet e kundërta e asaj që e fletë. Kështu, duke menduar, brengosur dhe punuar realisht mbi këtë (jo)realitet, do të mund që praktikisht të dëshmojmë se, me të vërtet jemi duke u mishëruar me këtë gjendje tejet të katandisur dhe të rënduar.

Nuk janë gjë tjetër flamujt maqedonas, pos realitete në Maqedoni, që e kanë pushtuar tërë shtetin. Jo rastësisht këtë flamur po e quajmë, flamur maqedonas e jo të Maqedonisë, ngase shqiptarët që jetojnë në këtë shtet e kanë flamurin e tyre kombëtar, por për fatin e tyre të keq, ende nuk kanë të drejtë ta përdorin nëpër institucione shtetërore, besa disave po i mjafton që dasma dhe syneti të bëhet me flamur kombëtar, këtë pra po e konsiderojnë si të arritur kombëtare! Në hyrje, gjegjësisht në secilin vendkalim kufitar të këtij shteti, fenomeni që së pari të bie në sy, është flamuri i madh maqedonas. Pastaj, ç’të shohësh tjetër, disa fabrika të kohës së ish-Jugosllavisë, të gjithë tanimë të falimentuara e të grabitura, por me rëndësi për shtetarët këtushëm është valimi i flamurit maqedonas mbi këto gërmadha, ku të krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një vend të sapo dalë nga lufta, mbase këta flamuj të vendosur nëpër shtiza të larta, sipas mitologjisë së myktë të tyre sinjalizojnë fitore.

Ndërkaq, realiteti edhe pse shpesh i padrejtë, kësaj radhe po e proklamon të kundërtën e asaj përshtypjeje. Pikërisht, provokimi në kohën e fundit me flamuj dhe lloj-lloj figure antike, tregon afrimin e humbjes së Maqedonisë nga çdo lloj fronti që e ka hapur. Edhe përkundër kësaj shprese dhe sinjali të dashur për mua, prapë ngutja dhe mosdurimi im do të vihet në sprovë, por kësaj radhe kjo sprovë do të ballafaqohen me ligjet njerëzore, duke krijuar kështu një shpresë për mua, mbase ligjet relative jo gjithherë janë të pamposhtura.

Tanimë kamë filluar me të madhe ta urrejë qendrën e Kumanovës, ngase sikur qëllimisht dikush deshi që t’mi rrënon ëndrrat e bukura të kohës së shkollës së mesme, ku qendra në fjalë ishte e përthekuar me bukuri të shumta, duke mos pasur kurrfarë simboli provokues me ngjyrë nacionaliste maqedonase. Tani ç’të shohësh në këtë qendër, përpos flamujve në shtiza të gjata, që gjerësia, gjatësia dhe imazhi i tij i ngjanë helikopterëve që vepronin në vitin 2001, në anën tjetër reklamën e madhe sa ndërtesa të birrarisë “Skopsko” dhe, përballë këtyre simboleve tejet provokuese për shqiptarët, e shohim pijanecin e dikurshëm të Kumanovës, Batko Gjorgjin, të derdhur në bronz, i bërë dërrasë që shumë i ngjanë vetës së tij kur ishte gjallë, mbase ai gjithmonë ishte dërrasë.

Kamë filluar ta urrejë edhe figurën në bronz të Skënderbeut, jo për diçka tjetër, por habitem se pse qëndron aty pa flamurë, kush ia bëri këtë dredhi të madh kombëtare? – unë e di, ata janë mizorët e këtij kombi që dëshirojnë të merren me shpëlarjen e trurit të shqiptarëve, por unë këtyre të ashtuquajturve njerëz nuk ia di emrin, e nuk i njoh personalisht, ndonëse i njoh vetëm përmes veprave të tyre bizare. Në fakt, unë nuk do të duhej ta urreja Skënderbeun, por tanimë do t’i urrej ata që lejuan që Skënderbeu të qëndrojë aty pa flamur! Madje ata harruan se kreatori i finalizimit të këtij flamuri është Skënderbeu. Kësisoj si është e mundur që kreatori i këtij flamuri që ne sot e përdorim e ndjehemi krenar, të qëndrojë pa flamur, fundja e drejta autoriale ngadhënjen mbi çdo ligj tjetër. Trualli ku është vendosur figura e tij, tanimë e ka marrë emrin, “sheshi Skënderbe”, por më kotë, pavarësisht se gjendet në truallin e vetë, është kreator finalizues i flamurit shqiptar, e vendosën shqiptarët aty, por pa flamur, harruan se e lënduan rëndë këtë figurë kombëtare.

Kamë filluar ta urrej edhe kalanë në Shkup, edhe atë për kurrgjë tjetër, pos për vendosjen e atyre flamujve, që prej lartë duket sikur e përdhunojnë dhe ia shëmtojnë bukurinë natyrore kësaj kalaje, vizitorë dhe trashëgimtarë të së cilës ishim ne shqiptarët. Si duket dëshirojnë të na dëbojnë përmes shkarravitjeve me flamuj, por më kotë, unë kamë filluar ta urrej kalanë jo nga hijeshia e saj, por nga flamujt provokues, ndaj nuk do ta braktis së vizituari asnjëherë këtë kala të bukur, por fuqishëm do t’i urrej flamujt.

Kamë filluar të mos e dua edhe erën, që flamujve maqedonas po iu dhuron gjallëri valëvitëse, madje do të jem në gjendje të dergjem prej së nxehtit, vetëm e vetëm që t’i shoh këto flamuj seç vyshken.

Kam filluar të mos e dua edhe diellin, nga shkaku se po i përngjet flamurit maqedonas, ndonëse e kundërta e kësaj mund të jetë e vërtet. Meqenëse flamuri maqedonas po i përngjan diellit, unë nuk do ta urrej diellin, por vetëm kopjuesin.

Kamë filluar ta urrej edhe lëndën e sociologjisë, lëndë që shumë e desha në shkollë të mesme. Ta urrej, sepse prej saj mësova se, identiteti kombëtarë i një popullit përbëhet prej: gjuhës, flamurit, emblemës shtetërore, emrit të shtetit, himnit dhe valutës së shtetit. Kësisoj, shteti në të cilin jetojmë, edhe pse s’ka mëdyshje që jemi autokton, i posedojmë të gjitha vlerat tona kombëtare, prapë në nivel zyrtar e shtetëror ballafaqohemi dhe domosdoshmërish duhet t’i pranojmë e përdorim të gjitha vlerat e komponentët që pandehen si të maqedonasve të sodit. Jam i vetëdijshëm se, lënda e sociologjisë nuk ka dot faj për këtë, por mua sikur nuk më pëlqen t’i di ato gjëra, që realisht ma kujtojnë përditshmërinë zymtë.

Përskaj gjithë kësaj, mua më kujtohet viti 1997, ku ranë 4 njerëz dëshmorë dhe mbi 200 u plagosën, u maltretuan dhe u burgosën. Ky skenar me autorët Branko-Kiro, i përkrahur në heshtje prej qyqeve të PPD-së, rrodhi nga shkaku se kryetari, patrioti e intelektuali Rufi Osmani veprojë në suaza të të drejtave njerëzore dhe ligjore, të drejta që përkonin me ngritjen e flamurin në godinën e Komunës së Gostivarit. Për të qenë tmerri edhe më i madh, pjesëmarrësi në qeverinë e asaj kohe, z. M. B., pas këtij aksioni gjakatar, deklaroi se aksioni i policisë ka qenë i ekuilibruar.

Nuk ishte i vetmi që pohonte kështu, ashtu siç nuk është i vetëm që sot në cilësinë e analistëve shesin mend, kinse duke u brengosur për kauzën e shqiptarëve të këtushëm. Këta si të dështuar politikisht ashtu edhe njerëzisht, përmes pseudo-analizave nuk janë duke bërë gjë tjetër, pos në mënyrë perfide po e heqin maskën e hipokrizisë, duke e zbuluar kështu fytyrën e vërtetë të dyfytyrësisë. Kësisoj, gazetat dhe televizionet për hir të dëshmorëve të të gjitha kohërave, si dhe për hir të informimit të drejtë, urgjentisht duhet t’i bojkotojnë këta të dështuar dhe të marrë, sepse analizat e tyre i ngjajnë rojtarit i cili vjedh së bashku me hajdutët.

Kështu do të jetë i nderuar vetja ime, përderisa të mos ia japim hakun atyre, që as një pik djersë e as një pikë gjak nuk e derdhën për këtë shqiptari, përderisa në vazhdimësi t’i nënçmojmë ata që për këtë atdhe dhanë shumë, atëherë në mungesë të këtij korrigjimi kapital, lirshëm e me krenari do të gjëmojnë luanët e Nikolla Gruevskit dhe kali fiktiv i Dame Gruevskit, për aq kohë sa të pallin shqip e të shesin mend gomarët e Cërvenkovskit, si dhe në përsiatje të këtyre veprave, flamuri maqedonas do të valojë lirshëm e me krenar mbi burrërinë tonë.

Në trend

Më shumë
Holanda përjashtohet nga finalja e

Holanda përjashtohet nga finalja e "Eurovision 2024"

Magazina
“Merre ose lëre”, Marco Reus ka dy oferta të mëdha në tavolinë para largimit nga Dortmundi

“Merre ose lëre”, Marco Reus ka dy oferta të mëdha në tavolinë para largimit nga Dortmundi

Bundesliga
Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Evropa
Kurti i ftoi liderët e opozitës në darkë pune, i përgjigjet Abdixhiku: Jeni vonë

Kurti i ftoi liderët e opozitës në darkë pune, i përgjigjet Abdixhiku: Jeni vonë

Politikë
Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

La Liga

"Deri dje, nuk isha i sigurt se kush ishte lojtari më i mirë në botë, tani e di" - De Ligt me fjalë të mëdha për yllin e Realit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori