LAJMI I FUNDIT:

Të martën do të inaugurohet impianti për trajtimin e ujërave të zeza

Të martën do të inaugurohet impianti për trajtimin e ujërave të zeza

Do të inaugurohet fabrika e dytë e trajtimit të ujërave të zeza, në vlerë prej më shumë se 700.000 eurove, ku do t’i dorëzohet Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina.

“Ceremonia do të fillojë në orën 10:00, në vendin e fabrikës së sapo ndërtuar të trajtimit të ujërave të zeza, në bregun lindor të Liqenit të Badocit, pranë fshatit Mramor”, ka njoftuar KRU Prishtina.


Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë Ambasadori i Republikës Çeke Ivo Silhavy dhe Drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Çek Pavel Frelich, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, kryetari i Prioshtinës, Shpend Ahmeti, ministrat Albena Reshitaj, Valdrin Lluka dhe Srdjan Popoviq.

Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe demonstrimi dhe shpjegimi i proceseve të trajtimit të ujërave të zeza.

Ndryshe, ky projekt është financuar nga Republika Çeke në kuadër të Programit Çek për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe KRU Prishtina. Ky projekt paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të mjedisit në Kosovë.
Projekti është implementuar nga shoqata e kompanive profesionale nga Republika Çeke – Ircon sh.pk si udhëheqëse e konsorciumit dhe TopolËater. Partneri lokal në Kosovë ishte kompania Projekti Plus L.L.C.

“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi një ndër kompanitë e para çeke që ndihmojnë Republikën e Kosovës për të zgjidhur problemin me ngarkesat ekologjike të ujërave të zeza të patrajtuara. Ky impiant i ri i trajtimit të ujërave të zeza do të pajiset me teknologjitë e fundit efikase në fushën e trajtimit të ujërave të zeza”, tha Jan Topol, drejtor i kompanisë TopolWater.

Kompania zbatuese, përveç ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza, realizoi trajnime për operim dhe mirëmbajtje dhe organizuan fushatë ndërgjegjësimi për banorët, me fokus të veçantë të fëmijët. /Telegrafi/