Pas debaklit të mbrëmshëm kundër PSV-së (1:4), drejtuesit e Liverpoolit mbajtën një takim urgjent në ambientet e klubit për të diskutuar të ardhmen e trajnerit Arne Slot, raporton The Telegraph.

Trajneri holandez ende gëzon besimin e bordit drejtues, por atij i është vendosur një kufi i qartë: tre ndeshjet e ardhshme pritet t’i fitojë në maksimum, me nëntë pikë të plota në lojë.


Liverpooli do të rikthehet në fushë të dielën kundër West Hamit, ndërsa më 3 dhjetor pret Sunderlandin në “Anfield”.

Sfidën e tretë të kësaj serie do ta zhvillojë më 6 dhjetor kundër Leedsit, tri ndeshje që mund të vendosin fatin e stolit.

Edhe pse “The Reds” sezonin e kaluar luajtën futboll të mirë nën drejtimin e Slot dhe këtë verë u përforcuan ndjeshëm, rezultatet e dobëta kanë krijuar alarm.

Humbja kundër PSV-së ishte e nënta në 12 ndeshjet e fundit, duke e vënë seriozisht në pikëpyetje ecurinë e ekipit dhe autoritetin e trajnerit në dhomën e zhveshjes.

Në ndërkohë, drejtuesit e klubit thuhet se kanë kontaktuar Jurgen Klopp për të parë mundësinë e rikthimit të tij, qoftë edhe si zgjidhje e përkohshme.

Klubi raportohet të jetë i gatshëm t’i ofrojë atij riformim të bashkëpunimit pa kontratë afatgjatë, duke qenë të vetëdijshëm se gjermani mbetet idoli dhe dëshira kryesore e shumicës së tifozëve.

Shtatë ditët e ardhshme mund të jenë përcaktuese. Nëse Liverpool nuk merr maksimumin në tri ndeshjet që vijnë, shumë gjëra pritet të ndryshojnë. Në Anfield mund të hapet një kapitull i ri, me ose pa Arne Slot në krye. /Telegrafi/

telegrafi sport app