LAJMI I FUNDIT:

Të këqijat dhe të mirat që na la Trumpi

Të këqijat dhe të mirat që na la Trumpi

Ajo çfarë ndodhi në Kapitol, ishte e pafalshme dhe do regjistrohet si një gjë e tmerrshme në histori, si maja e katër viteve të tmerrshme. Problemi me presidencën e Donald Trumpit, duhet të ishte jashtë normave. Dhe, unë si amerikan e kuptoj këtë. Edhe si diplomat. Duam që të heqim gjërat e tepërta. Por, ka një arsye përse punët bëhen në një mënyrë të caktuar, me procedurë të caktuar, ligj të caktuar, që janë rregulluar me kalimin e kohës, bile me shekuj. Quhet traditë. S’ka rëndësi çfarë je politikisht, si gjini apo racë, je pjesë e asaj trashëgimie. Por, ne nuk kemi nevojë për revolucion si ai i Trumpit; kemi nevojë për praktika inovative dhe krijuese. Në këto katër vjet s’ka asgjë të mirë për të kujtuar, përveçse mësuam ca gjëra për veten. Se i morëm ca gjëra si të mirëqena dhe se tani na duhet të rindërtojmë vendin tonë.

Unë p.sh. u rrita në Kolorado, por mbarova universitetin në Uashington. Iu bashkova shërbimit diplomatik. Kurrë nuk e kam cilësuar veten si elitist, por me miqtë dhe përvojat, si në Shqipëri e vende të tjera, pata shans të provoja gjëra që shumë amerikanë nuk mundën. Për shkak të këtyre përvojave, ndihem patriot dhe vlerësoj se çfarë quhet amerikan. Por, nëse ti jeton në Amerikë, por nuk ke një pasaportë dhe nuk ke udhëtuar kurrë e rri me njerëz që janë të ngjashëm me ty, atëherë fillon të mendosh se këta diplomatët kujdesen më shumë për vendet e tjera, sesa për Shtetet e Bashkuara. Në fakt është e kundërta. Por, zgjimi me të cilin përballemi është se ne që kemi shkollimin, përvojat për ekonominë, biznesin dhe besimin tek globalizmi dhe rolin unik që ka Amerika në drejtimin e botës, duhet të mendojmë se ka miliona amerikanë që nuk ndajnë këndvështrimin tonë dhe duhet të mendojmë se nëse edhe këta amerikanë do t’i dinin gjërat që ne dimë, do të kishin një pikëpamje tjetër për Amerikën dhe për botën. Duhet t’i përshtatemi këtij fakti. Të gjithë kemi të drejtë të kemi opinionet tona, por nëse pikëpamja e tyre është e ndryshme për Amerikën tonë të përbashkët, na duhet të mendojmë shumë për këtë.


Donald Trump bëri dy gjëra të mira në politikën e jashtme. Amerika është e përfshirë në ato që po quhen luftëra pa fund, por besoj se një nga kritikat e mia është mbi konfliktet ushtarake, industriale dhe humanitare. Ka shumë kaos dhe rrëmujë në botë dhe djemtë më të mirë amerikanë në ushtri u duhet të merren me gjithë terroristët e diktatorët e botës dhe më pas na duhet edhe t’i rindërtojmë këto shoqëri dhe këto vende. E kuptoj dëshirën për të bërë mirë, po ka një tendencë në Amerikë se ne duhet ta riformatojmë botën dhe t’i japim asaj formën tonë. Këtë e mendojnë shumë veta në Departamentin e Shtetit. E unë sot mendoj se kjo gjë duhet të ndryshojë. Unë mendoj se Amerika mund të vazhdojë të mbetet simbol shprese edhe në të ardhmen, por duhet t’i ikim kompleksit të Mesias. E dyta: duhet të mendojmë më shumë për Kinën pa harruar Rusinë që mbetet kundërshtar i joni. Për shkak të ekonomisë së Kinës dhe ndërlidhjes e rolit të saj të madh në ekonominë globale, shumë mendojnë se duhet të bëjmë lojën e saj për shkak se është shumë e madhe. Ndërsa, unë mendoj se duhet të mbajmë një qëndrim më të fortë.

Trumpi gjënë më të keqe që bëri është se vuri amerikanët kundër njëri-tjetrit dhe mbolli farën e dyshimit tek mendjet e gjithë amerikanëve, pro dhe kundër tij, për ëndrrën amerikane, mënyrën sesi shohim njëri tjetrin. Trumpi arriti të na hutojë.

të gjithë duam gjithçka që do të sjellë marrëdhënie më të mira mes Kosovës dhe Serbisë. Unë personalisht kam dyshime mbi agjendën personale të Richard Grenellit dhe mund t’ju them juve se nuk ka qënë përparësi e administratës Trump, ndaj kam dyshuar se ka një histori të fshehtë nga pas. Është diçka që duhet të mbështetet nga vetë popujt në Ballkanin Perëndimor. Unë kam pak përvojë në Shqipëri dhe e di se disa njerëz që janë ekspertë, ishin kritikë ndaj kësaj marrëveshjeje. Ndaj, megjithëse nuk kam dot një opinionin timin pasi nuk jam ekspert, i besoj këtyre ekspertëve dhe shqetësimeve që ata kanë.

Sigurisht pritshmëritë ndaj administratës Biden janë të larta dhe ka shumë gjëra që kjo administratë duhet të ribëjë për Amerikën, por duhet të jem i hapur dhe i ndershëm: Joe Biden është person shumë i mirë dhe shumë i ndershëm, si dhe një politikan I talentuar. Ndroja ime është se ai është i thyer në moshë dhe shumë tradicional në mënyrën e tij të të menduarit. Bidenin nuk e kam takuar kurrë, por ndihem sikur e njoh nga afër. Mendoj se ai menjëherë do të hidhet tek historitë e viteve 1980, kur bashkëpunonte me republikanët për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme. Kjo është fantastike. Por, jemi në vitin 2021 dhe peizazhi është shumë i ndryshëm. Lidershipi republikan duhet të ndajë përgjegjësi për shumë nga gjërat që ndodhën në periudhën e Donald Trumpit.

Ne nuk i shohim gjërat njësoj. Republikanët nuk janë armiqtë tanë dhe sigurisht që duhet të gjejmë një mënyrë të punojmë me njëri-tjetrin, por Joe Biden duhet të jetë i fortë dhe kam frikë se kjo nuk është në natyrën e tij. Më pëlqen roli i tij pajtues, por na duhet një lidership i fortë. Tani baza demokrate amerikane ka pritshmëri të tjera. Po ashtu edhe qytetarët amerikanë. Por, ka shpresë dhe kjo është një e mirë.

Donald Trump duhet të hetohet dhe gjykohet dhe s’duhet lejuar të kandidojë më. Por, ne jemi vend i ligjeve ndaj për këtë duhen prova të forta, juri dhe proces ligjor.