Të hiqet balotazhi në zgjedhjet lokale
Zgjedhjet për pushtetin vendor në Kosovë, përpos ngazëllimit të partive politike, një fushate meritore parazgjedhore dhe një morie kandidatësh nga të gjithë lëmë të jetës, sollën edhe një karakteristikë kryesore e cila do të mbetet si tregim folklorik për maratonën e pafundme të shpalljes së rezultatit përfundimtar. Pa dashur të nënvlerësoj askënd rreth këtij procesi, sepse shpallja e rezultateve përfundimtare edhe në shtetet me demokraci shumë më të përparuar sesa neve në Kosovë zhagmitet shumë (sa për të ilustruar faktin, të kujtojmë mandatin e dytë të ish presidentit Amerikan George W Bush, i cili kundër John Kerryt të Partisë Demokratike Amerikane luftoj deri në votën e fundit të pa vlefshme numëruar automatikisht), po kundërshtoj mbajtjen pezull të rezultatit zgjedhor që nuk ka sesi të kapërdihet. Pyeten anëtarët e KQZ-së gjithmonë kur dalin para mediave se; ‘çka po bëhet me Gjilanin’ dhe gjithmonë marrin të njëjtën përgjigje; ‘është në procedurë’.
Në raundin e parë zgjedhor, askush fare nuk i kontestoj zgjedhjet, njerëzit u bënë tërë sy e vesh për të parë se kush ka kaluar në balotazh dhe kush nga këshilltarët ka hyrë në kuvendet komunale, por kontestimet filluan fill mbas rrethit të dytë zgjedhor. Duke pasur parasysh se në të gjitha rastet, (përpos ndonjë përjashtimi të vogël dhe të papërfillshëm) se fituesi i rrethit të dytë zgjedhor ka qenë po ai person që ka dalë i pari edhe në raundin e parë, duke pasur po ashtu parasysh se loja e pa përgjegjshme politike e raundit të dytë dhe e atij të tretë e disa partive të vogla politike që nëpërmjet një grushti votash që kanë fituar, padrejtësisht fitojnë edhe përfaqësim në qeveritë komunale në disproporcion të hapur me mundësitë e tyre si subjekt zgjedhor, propozoj heqjen e pa kusht të sistemit të balotazhit për kryetarë komunash.
Nuk mundet që kurrsesi të ndodhë që këshilltarët e kuvendeve komunale, të zgjidhen në rrethin e parë zgjedhorë, ndërsa kryetarët në një rreth tjetër, sepse me këtë princip po zbatohen efektet e dyfishta të demokracisë, pra këshilltari është i denjë që të hyj si përfaqësues i popullit në rrethin e parë zgjedhor, por kryetarit i duhet më shumë vota. Kur kihet parasysh po ashtu, edhe pjesëmarrja e ulët e zgjedhësve në rrethet pasuese pas të parit, kjo çon drejtpërsëdrejti në kontestimin e demokracisë sepse votat e rrethit të dytë mund të jenë më të pakta sesa ato të rrethit të parë, çka pastaj do të kontestonte edhe ligjshmërinë e zgjedhjeve të rrethit të dytë.
Në të njëjtin dritëshkrim, duhet parë po ashtu edhe zgjedhjet qendrore në Kosovë, të cilat mbarojnë vetëm me një rreth zgjedhor. Prej këtyre zgjedhjeve dalin institucionet më të larta të vendit, kryetari i shtetit, Kuvendi Popullor, dhe Qeveria e Republikës dhe konsiderohen të denja për demokraci, kurse për kryetarët e komunave, nevojiten standarde tjera, rreth tjetër zgjedhor?!.
Po ashtu për tu shqyrtuar është edhe fakti se fushata zgjedhore për balotazh bëhet më e pabesueshme nga premtimet e jashtëzakonshme që i bëjnë politikanët e detyruar të veprojnë vetëm që të joshin sa më shumë vota, si dhe bëhet edhe më personale lidhur me njerëzit që shkojnë në balotazh duke quar në banalitete situatën.
Dhe së fundmi, mbase edhe argumenti më i fortë për heqjen e balotazhit është se nga koalicionet e pa natyrshme dhe shpeshherë edhe të pa përgjegjshme që krijohen para balotazhit, partitë që mezi njihen në skenën politike, po ngrihen në majat e pushtetit vetëm për një grusht votash, duke bërë që kryetari i kuvendit të komunës të punojë me një qeveri komunale, që nuk ka fare të bëjë me partinë e tij, planin e tij personal për atë vendbanim të caktuar, si dhe me platformën parazgjedhore të cilën ai person e ka mbrojtur gjatë fushatës.
I tillë është rasti me Prizrenin që kryeministri Thaçi me metaforë e quajti Jerusalemin e PDK-së. Porse, tash pas fitores së zotëri Ramadan Mujës në vend të Jerusalemit simbolik me të cilin kryeministri u mundua ta asocionte partinë e tij, ndodhi që fitorja e PDK-së të jetë aq e cunguar në Prizren saqë zotëri Thaçi do të mbetej i gëzuar sikur të kishte në dorë aq sa kanë palestinezët në qeverisjen e tyre në qytetin e kryqëzimit të Krishtit, sepse PDK-ja në Prizren (sipas raporteve mediatike) kontrollon vetëm një nga dhjetë drejtoritë komunale, duke u dhënë me zemër të plagosur partive që ftoj në koalicion para zgjedhjeve më shumë sesa ato bile kanë ëndërruar. A nuk janë këto arsye të mjaftueshme kundër balotazhit?
(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgow, koordinator i politikave bashkëpunuese të sferës së diplomacisë me Universitetin e Varshavës (Poloni) dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)



































