Në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit: Gjermanët, më mirë se askush tjetër në Evropë, e dinë se ç’do të thotë një atdhe i ndarë. Andaj, ata më shumë se askush tjetër, mendoj se duhet ta kenë mandatin që ta mbrojnë Kosovën nga rreziku i shkëputjes eventuale të Mitrovicës, e cila është bërë sot nyje e problemit më të madh në republikën tonë. Ata do të duhej të ishin të parët dhe me veprime konkrete kundër shndërrimit të Mitrovicës në një Berlin të dytë në Evropë

Jemi sot nën atmosferën e 3 Tetorit, përvjetorit jubilar të rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të shtetit dhe të kombit gjerman.

Njëzet vjet më parë në Evropë ndodhi një ngjarje e madhe që shënoi kthesën historike për kombin gjerman dhe për proceset tjera në Evropë, në funksion të lirisë së popujve nga fantazma e kuqe – komunizmi.

Më 3 Tetor të vitit 1989, në zemër të Evropës ra një mur që e ndante padrejtësisht një popull, dhe në të njëjtën kohë nisi edhe rrënimi i Perandorisë së Kuqe – komunizmit, që në emër të ideologjisë ndante shumë popuj dhe e përgjysmonte botën.

Rrëzimi i Murit të Berlinit ishte një ngjarje me rëndësi për të gjithë, e, po ashtu edhe për popullin shqiptar në trojet e veta në Ballkan. Ne e ndamë gëzimin me popullin gjerman. Edhe sot, si përherë, kjo festë kombëtare e gjermanëve, është edhe festë e jona.

Komuniteti ynë i besimit dhe institucioni që përfaqësojmë, Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike, me selitë në Gjakovë e Prizren, me këtë rast jua përcjellë të gjithë gjermanëve me mision në Kosovë, përfaqësuesve diplomatike, ushtarëve gjermanë të KFOR-it dhe familjeve të tyre, urimet më të përzemërta, me lutjet që askush në botë të mos përjetojë kurrë më ndarje, hekura e mure të tilla.

Duke e çmuar rolin dhe kontributin e vazhdueshëm, mbështetjen në të gjitha format nga populli dhe qeveria gjermane, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të gjithë ne shpresojmë fuqishme tek Qeveria gjermane dhe te të gjitha qeveritë demokratike dhe liridashëse të botës, që të na mbështesin edhe më tej në ndërtimin, zhvillimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës dhe të popullit tonë në familjen e madhe evropiane, aty ku vërtet ishte dhe do të jetë vendi ynë.

Ne, gjithashtu, shpresojmë shumë që Gjermania, si vend mik i yni, duke e përdorur edhe ndikimin e saj në vende të botës, nuk do të lejojë ndarje të tjera, sidomos do të bëjë çmos që të mos bëhet edhe një mur apo edhe një ndarje e re në shtetin më të ri të botës, pra që të mos ndahet veriu i vendit tonë.

Gjermanët, më mirë se askush tjetër në Evropë, e dinë se ç’do të thotë një atdhe i ndarë. Andaj, ata më shumë se askush tjetër, mendoj se duhet ta kenë mandatin që ta mbrojnë Kosovën nga rreziku i shkëputjes eventuale të Mitrovicës, e cila është bërë sot nyje e problemit më të madh në republikën tonë. Ata do të duhej të ishin të parët dhe me veprime konkrete kundër shndërrimit të Mitrovicës në një Berlin të dytë në Evropë.

Shqiptarët kishin përjetuar një ndarje të padrejtë më 1913, dhe një ndarje tjetër do të ishte shumë më e rëndë, për ne, për Evropën dhe për stabilitetin rajonal.

Në këtë ditë të madhe jubilare të bashkimit të kombit gjerman, i ftojmë që bashkërisht të jemi kundër ndarjeve dhe në funksion të ruajtjes së tërësisë së popujve dhe të terrioreve - në këtë rast në funksion të ruajtjes së Kosovës dhe të tërësisë sonë territoriale.
Zoti e bekoftë Gjermaninë! Zoti e bekoftë kombin gjerman, në këtë ditë të madhe!

(Autori është Postmbajtës i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, me selitë në Gjakovë e Prizren)