Në Kuvendin e Kosovës të dielën, më 26 tetor, do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë konfirmuar për Telegrafin se seanca pritet të fillojë në orën 10:00.


Më 11 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.

Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.

Ndryshe, Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare në shkurt të këtij viti dhe ende nuk ka qeveri të re të formuar nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /Telegrafi/