LAJMI I FUNDIT:

Të dhënat e paqarta të rritjes ekonomike të Kosovës

Të dhënat e paqarta të rritjes ekonomike të Kosovës

Kosova gjatë pandemisë COVID-19 vlerësohet të ketë shënuar rënie ekonomike, ndërsa për vitin 2021 parashikimet sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vendin tonë do të rikuperohet.

Nga të dhënat e fundit të institucioneve kryesore financiare, rritja ekonomike do të jetë ndërmjet 3.7 dhe 4.5 për qind.


Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e vendit gjatë vitit 2020 kishte rënë për 3.9 për qind.

BQK thotë se rënia ishte kryesisht përmes sektorit të jashtëm të ekonomisë.

“Në vitin 2020, sipas vlerësimeve tremujore të Agjencisë së Statistikave (ASK), ekonomia e Kosovës ka shënuar rënie vjetore prej 3.9 për qind. Rreziqet e rritura si pasojë e pandemisë dhe masat e ndërmarra për të frenuar përhapjen e COVID-19 konsistuan kryesisht me masa kufizuese në udhëtim. Kjo është reflektuar në rënie të aktivitetit ekonomik veçanërisht në tremujorin e dytë dhe të tretë, dinamika që u përkthyen në rënie të theksuar në eksportin e shërbimeve në kuadër të bilancit të pagesave. Konkretisht, rënia e vizitave të diasporës në Kosovë si pasojë e drejtpërdrejtë e masave kufizuese për të menaxhuar me krizën shëndetësore ka rezultuar në rënie reale të eksportit të shërbimeve, duke ndikuar në thellimin e deficitit tё eksporteve neto”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Banka Qendrore: Ekonomia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka rënë për 3.9 për qind, papunësia mbeti pothuajse e pandryshuar
Lexo po ashtu Banka Qendrore: Ekonomia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka rënë për 3.9 për qind, papunësia mbeti pothuajse e pandryshuar

Për sa i përket vitit 2021, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në Kosovë do të rikuperohet drejt nivelit para pandemisë COVID-19. Megjithatë, rreziqet ndaj aktivitetit ekonomik mbesin tё larta, ku sipas BQK-së kjo është e ndërlidhur me vaksinimin masiv të popullsisë.

“Sa i përket vitit 2021, projeksionet e BQK-sё sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet drejt niveleve të para krizës, me një rritje reale prej rreth 4.4 pёr qind. Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme dhe neto eksportet. Megjithatë, rreziqet ndaj aktivitetit ekonomik mbesin tё larta, ndërlidhur me vaksinimin masiv dhe përmbylljen e pandemisë”, thotë BQK.

Vlerësimi i rritjes së PBB-së | Burimi: Fondi Monetar Ndërkombëtar

Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi projeksionet e rritjes ekonomike në botë, pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet për 4.5 për qind.

“Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike. Gjatë viti 2020, rënia e vlerësuar ishte 6 për qind, kurse ekonomia e Kosovës për vitin aktual pritet të rritet 4.5 për qind”, tha FMN në raport.

FMN: Ekonomia e Kosovës pësoi rënie për 6 për qind gjatë pandemisë COVID-19, pritet të rritet 4.5 për qind gjatë vitit 2021
Lexo po ashtu FMN: Ekonomia e Kosovës pësoi rënie për 6 për qind gjatë pandemisë COVID-19, pritet të rritet 4.5 për qind gjatë vitit 2021

Banka Botërore në raportin “Perspektiva ekonomike botërore”, thekson se pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik prej minus 8.8 për qind në vitin e kaluar, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike me 3.7 për qind në vitin 2021.

“Një rimëkëmbje e theksuar nga pandemia COVID-19, në fund të vitit 2020 ndërpreu rimëkëmbjen fillestare ekonomike, duke përkeqësuar dhe Indeksin e Prodhimit në të gjithë rajonin. Ekonomitë e goditura më shumë nga pandemia janë ato vende me lidhje të forta tregtare ose financiare, të varura shumë nga shërbimet dhe turizmi (Kroacia, Kosova, Mali i Zi)”, thuhet në raportin e BB-së, shkruan Telegrafi.

Vlerësimi i rritjes së PBB-së | Burimi: Banka Botërore

BB thotë se pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë mundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë – duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës.

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 3.7 për qind
Lexo po ashtu Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritet të jetë 3.7 për qind

Kurse, kryeministri Albin Kurti në prezantimin e punës 100-ditëshit të Qeverisë së Kosovës tha se rritja ekonomike për vitin 2021 pritet të jetë 7.9 për qind.

Kurti ka shtuar se brenda pesë muajve, aktiviteti ekonomik është rritur për 15 për qind.

“Në krahasim për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar eksporti është rritur 66 për qind, aktiviteti ekonomik për 15 për qind dhe të hyrat buxhetore për 30 për qind. Në pesë mujorin e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës për herë të parë ka mbledhur mbi 500 milionë euro të hyra, ndërsa ATK ka raportuar se ka inkasuar 60 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar. Bazuar në këtë, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhet mbi 2.5 miliardë euro, sipas të cilit projektohet rritje ekonomike prej 7.9 për qind, për dallim prej 5.2 për qind që parashihej vitin e kaluar, për te cilave buxhetit do t’i shtohen 155 milionë euro më shumë nga çfarë parashikohej”, kishte thënë Kurti.

Anketën e Fuqisë Punëtore të prezantuar nga ASK, shkalla e papunësisë për tremujorin e katërt 2020 në Kosovë ka arritur në 27 për qind, krahasuar me tremujorin paraprak që ishte 24.6 për qind, pra që i bie se brenda tre muajve papunësia është rritur për 2.4 për qind. /Telegrafi/