LAJMI I FUNDIT:

Egoja e madhe: Të dashurosh vetveten

Egoja e madhe: Të dashurosh vetveten

Narkissos - quhej kështu ai djalë i bukur grek, i cili ra në dashuri me portretin e tij të pasqyruar në ujë. Prej dashurisë së paarritshme, subjekti i kësaj dashurie të konsumuar u shndërrua më në fund në një lule narcise. Metamorfoza e kohës së sotme është sidoqoftë më pak subjektive dhe e dëmshme...

Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Neuropsikiatër
Tel: 044 502 508

Narcizmi si personalitet karakteristik, tashmë i ka preokupuar për një kohë të gjatë psikologët, veçanërisht psikoanalistët – me vlerësimet e tyre të ndryshme. Zigmund Frojdi, psh. e konsideron narcizmin si një shqetësim të patrajtueshëm të personalitetit. Në ditët e sotme, shkenca i afrohet fenomenit më me qetësi dhe shtrin bërrylin e saj nga sjelljet normale deri tek sëmundjet.


Personat me çrregullim të personalitetit karakterizohen me sjellje jo fleksibile, devijante, janë të papërshtatshëm, antishoqëror, nuk mësojnë nga pësimet, janë të çuditshëm, emocionalisht me defekte, me reagime të pa matura, ulje të konsideratës ndaj autoritetit, raporte të dëmtuara kudo që gjenden; kërkojnë automatikisht t’iu plotësohen dëshirat. Kanë afinitet për përdorim të substancave narkotike dhe alkoolit, kryerës të veprave të ndryshme penale.

Çrregullimet e personalitetit ndahen në tri grupe:

▪ paranoid, skizoid, skizotipik
▪ antisocial, Borderline-kufitar, narcistik, histrionik
▪ obsesiv-kompulsiv, të varshëm

Përhapja e çrregullimeve të personalitetit në popullatë është sipas llojeve: çrregullimi paranoid, 0.5 – 2.5%, skizotipik 3%, antisocial 3% te meshkujt dhe 1% te femrat, Borderline – kufitar 2%, histrionik 2.3%, narcistik 2-16%, shmangës 0.5-1%, obsesiv-kompulsiv 1%.

John William Waterhouse – Echo and Narcissus

Narcizmi përfshin të gjitha grupet shoqërore. Shkalla është e gjerë për të dashuruarit pas vetes, prej të parëndësishmes deri tek shqetësimet e vështira të sëmundjeve.

Sipas Frojdit, rëndësi të veçantë ka periudha e muajve të parë pas lindjes, i quajtur narcizmi primar, kur përvoja e përjetimit të objektit të jashtëm nga ana e fëmijës është traumatike. Është regresion dhe fiksim në stadet pregjenitale të seksualitetit infantil, kur subjekti vetvetes i bëhet objekt libidioz.

Narcisoizmi paraqitet në fillim të 18- tave, por edhe më vonë. Karakteristikë themelore e tyre është nevoja për mburrje, veçanti, bukuri (të dashuruar në vetvete), nevoja e pafund për lëvdata, idealizim të tepruar dhe të paskrupullt të gjërave dhe veprimeve të tyre. Egocentrik dhe jo empatik (të paaftë për bashkëpërjetim), të painteresuar për nevoja të të tjerëve.

Flasin në veten e parë, unë, unë dhe vetëm unë… të mijat, më takojnë mua…më i madhi, më i mençuri, më i bukuri, kërkojnë gjithnjë përkrahje, janë vetjak dhe nuk e kanë ndjenjën e reciprocitetit.

Bindjet dhe ndjenjat e tyre për madhështi janë fantazi të pabazuara, zbehen shpejt, ata shpesh bien në depresion, pozita inferiore, zhgënjime dhe dinë të bëhen tejet të papërshtatshëm, arrogant, kërkojnë plotësim pa kushte të kërkesave të tyre, sepse këta kanë të drejtë…i kuptojnë vetëm personalitetet e larta profesionale dhe jo gjithkush… etj. Ata lodhin bashkëbiseduesin me sukseset e tyre, me arritjet e fëmijëve te tyre, me takimet, me personat e rëndësishëm rreth tyre.

Giovanni Antonio Boltraffio -Narcissus at the Fountain

Kompleksohen shpejt, një ndryshim i vogël në trup, një puçërr tek ata është vragë-lëndim i rend i figurës së tyre, lëndim sepse nuk është realizim dhe idealizim i unit të tyre.

Disa autor narcizmin e ndajnë në narcizëm të nevojshëm, klinikë dhe të thellë. Narcizmi i nevojshëm vërehet te përpjekjet dhe mburrjet rreth sukseseve të fëmijëve, dmth., disa nga prindërit janë ata që manifestojnë një dozë narcizmi që mendohet se është i domosdoshëm. Por, ka raste kur ata e lodhin bashkëbiseduesin dhe i ekzagjerojnë gjërat. Grupi i dytë dhe i tretë janë përshkruar lartë.

Trajtimi i personave me çrregullim narcistik të personalitetit është mjaft i vështirë, ata nuk duan të takohen me psikiatrin ose psikologun. Ata mund të trajtohen vetëm kur bien ndesh me ligjin dhe kur sjellja e tyre i pengon familjarët, punëdhënësit, ata iu japin edhe një shansë. Të rrallë janë ata të cilët dëshirojnë ta ngrisin vetëkritikën dhe sadopak ta ç’vendosin libidon nga vetja. Ata mund të marrin trajtim psikoterapeutik, punë individuale dhe grupore me terapeutin, në rastet tjera edhe psikofarmak.

Narcisët mendojnë se mund të varen nga vetja, ose nga të tjerët. Ata jepen sikur kanë njohuri të mjaftueshme, por në thellësinë e natyrës së tyre, ata e ndjejnë humbjen dhe shterpësinë. Në mënyrë që të përsosen, narcisët janë të zënë gjithë kohën me këtë gjë, me anën adekuate të saj, pushtetin dhe bukurinë, statusin e tyre, provën e prestigjit dhe superioritetin që kanë. /Telegrafi/