Është pak të thuash që shqiptarët janë të mërzitur me zhurmnajat e përditshme të politikës sonë që dëgjohen lart e poshtë në media, në rrugë në familje, pra thënë shkurt kudo. Dhe ç’është më e bukura aq shumë janë të pranishme diskutimet politike tek ne sa që tashmë ato na janë bërë si të domosdoshme. Por duke menduar sa shumë bashkëjeton politika në jetët tona me lindi pyetja; a mundet që politika të na japë bukë? Mundet?

Askush nuk ka asnjë dyshim që jo! Debatet e zjarrta që dëgjojmë çdo ditë vetëm sa na mbushin kohën të cilën nuk e kemi të tepërt por që nuk dimë as si ta shfrytëzojmë ndryshe. Kënaqemi me pak ne… ndoshta kjo është një shprehje që shumëkush nuk do ta pranojë, por faktet flasin vetë.


A nuk jemi ne që mbushim çdo shesh me tubimet partiake, qofshin të majta apo të djathta? Përse? Përse o njerëz dalim çdo ditë në shesh për të përmbushur egon personale të një individi dhe nuk përmbushim dëshirat jetësore që ne kemi? Por ne heshtim, nuk reagojmë, a thua jemi të cunguar dhe nuk kemi fuqinë për të folur. Në heshtje nuk thuhet asgjë, nuk arrihet asgjë, përveç nënshtrimit, përçmimit që përpara se t’ia veshim dikujt tjetër si akuzë, duhet të arsyetojmë njëherë me veten tonë. Një njeri që nuk bën për veten e tij si mund ta pretendojë këtë gjë nga të tjerët?
Është koha të reagojmë, ne jemi të lirë.

Jemi të lirë të realizojmë veten tonë, të ngremë zërin e arsyes për varfërinë ku ndodhemi, pavarësisht partive. Nuk ka rëndësi nëse shohim majtas apo djathtas, vuajtja është e njëjtë. Pra para se të mendojmë për politiken duhet ta bëjmë këtë gjë për veten tonë, në mos për vetveten, duhet të reagojmë për fëmijët tanë. Nevojitet që e ardhmja e tyre të jetë ndryshe. Deri këtu jemi dakord! Por si mund ta bëjmë këtë? Duke u zgjuar, duke lënë mënjanë debatet ashiqare që as na ngrënë as na ulin, por vetëm sa na rrënojnë çdo ditë e më shumë.

Ne jemi shtetas shqiptarë dhe si të tillë jemi evropianë, dhe nuk është e drejtë të dëgjojmë se pavarësisht se jemi të dorës së tretë, Evropa na do. Jo ne duhet të jemi pjesë e saj, duhet të jemi ajo. Ndaj është momenti i ndryshimit të botëkuptimit të përditshëm, që këtë liri që kemi të mos e burgosim, por ta udhëheqim në atë, në mënyrë që nesër të jetë ajo që të mirëpresë ne si qytetarë të vërtetë evropianë dhe të denjë për emrin shqiptar.