LAJMI I FUNDIT:

Të bashkuar drejt bashkimit

Në këtë nëntor po e festojmë 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Po festojmë aq shtet sa na mbeti nga ai që e kërkuam dhe për të cilin u përpoqën shumë breza. Po e festojmë një të arritur shumë të madhe për kombin, përkundër dhembjes për atë që ende mbetet jashtë saj. Megjithatë, ne festojmë! Kjo do të thotë se ne ndihemi Një.

Pra, ne sot jemi Një, megjithëse të ndarë. Ne sot jemi të ndarë, por kemi një ëndërr, e ajo ëndërr është që të mos vazhdojmë të jemi të tillë. Për sa të ketë një ëndërr të tillë ne gjithmonë do të festojmë nëntorë të festës dhe të dhembjes.

U desh një shekull që edhe një pjesë e atdheut të mbetur në robëri të çlirohet. Kjo e dëshmon se sa e vështirë, sa e domosdoshme dhe sa e vlefshme në të njëjtën kohë është liria. Megjithatë, kjo u arrit. U arrit falë sakrificës së jashtëzakonshme të anëtarëve më të mirë të familjes sonë të madhe, për të cilët, në këtë përvjetor shprehim respektin dhe nderimin më të madh të mundshëm.

Ne, në këtë nëntor, si komb, jemi më mirë se dje, por shikimin gjithmonë duhet ta mbajmë kah e nesërmja. Ne sot duhet të festojmë, por pas festës nuk duhet të flemë. Kemi ende rrugë për të bërë dhe kjo rrugë nuk është e lehtë, por nuk është as e paarritshme.

Lëvizja për Bashkim, bashkë me urimin për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, i fton të gjithë shqiptarët që të jemi të bashkuar në përpjekjet tona për përmbushjen e idealeve të shpallura këtu e 100 vjet më parë – bashkimin kombëtar e territorial të popullit shqiptar.

Gëzuar!