LAJMI I FUNDIT:

Tatimi në pronë, Murati: U takon komunave të tregojnë se çfarë duan të bëjnë, të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese për ulje të tatimit

Tatimi në pronë, Murati: U takon komunave të tregojnë se çfarë duan të bëjnë, të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese për ulje të tatimit

Ministri i Financave, Hekuran Murati sot në një konferencë për media tha se është e padrejtë nga disa komuna që kanë bërë politikë me çështjen e tatimit në pronë, pasi siç tha ai tatimi në pronë mblidhet nga komuna dhe janë të hyra komunale dhe kjo ishte përcaktuar me Ligjin e miratuar në vitin 2018. 

Ai në këtë konferencë tha se u takon komunave të tregojnë se çfarë duan të bëjnë tash, pasi sipas tij, Ministria është e gatshme të mbështesë çfarëdo kërkese që kanë komunat për ulje të tatimit të vitit aktual.


“Duhet të sqarohet se tatimi mblidhet nga komuna dhe janë të hyra komunale”, tha Murati, duke shtuar se ka pasur pretendime se Qeveria ka rritur tatimet për të rritur të hyrat.

“Mirëpo meqenëse janë të hyra të komunave, u takon komunave të na tregojnë se çfarë duan të bëjnë. Ne si ministri, qeveri, jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese që kanë komunat për ulje të tatimit të vitit aktual, qoftë duke shkuar për të gjithë njësoj, ose duke marr një prag ose përqindje të rritjes për ta falur si tatim në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët.

Synimi i qeverisë është të ndihmohen qytetarët në këto kohë të vështira, por është e padrejtë që nga disa komuna është bërë politikë me këtë çështje”, tha ministri Murati, raporton Telegrafi.

Ministri i Financave më tej ka sqaruar se si ka ardhur deri te rritja e tatimit në pronë.

Sipas tij, neni 7 i Ligji për Tatimin në Pronë i miratuar në vitin 2018 thekson se hyn në fuqi zbatimi i tij në vitin e pestë, e që i bie pikërisht viti 2023.

“…Këtu duhet të kthehemi tek Ligji që ka qenë i miratuar në vitin 2018 për Tatimin në pronë. Ky Ligj fillimisht ishte miratuar nga Qeveria Mustafa, më 4 maj 2017 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Por, ky Ligj nuk arriti të miratohej në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi sepse Qeveria kishte rënë, një javë më vonë…

Më pastaj, i njëjti ligj është proceduar në qeverinë Haradinaj disa muaj më vonë… më 26 janar 2018 është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. E tash, ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte të cilat i obligojnë institucionet e vendit të respektojnë, sepse janë obligime ligjore.

D.m.th ky ligj i miratuar në vitin 2018 ka paraparë që sipas nenit 7 të këtij ligji në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave, më përpara nuk ka qenë tatimi i tokave. Prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat.

Viti i pestë, viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji dhe nuk është marrë asnjë vendim, dhe s’ka pas nevojë të merret asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, ka shpjeguar Murati.

Ai bëri të ditur më tej se arsyeja e dytë ka të bëjë edhe me vlerësimin e pronave rezidenciale, por edhe shkallën tatimore.

“…Në këtë aspekt Ligji obligon dy palë. Për vlerësim obligon Ministrinë e Financave, Departamenti i Tatimit në Pronë që të bëjë vlerësimin me automatizëm e është kusht ligjor që çdo tri apo pesë vite të bëhet vlerësimi i ri. E me Udhëzimin administrativ të nënshkruar në vitin 2018 kur ministër ka qenë Bedri Hamza, me këtë udhëzim është përcaktuar që rivlerësimi për pronat rezidenciale të bëhet çdo tri vite pas vlerësimit fillestar.

Edhe kjo është caktuar më herë që vlerësimi të bëhet me kushtet e tregut…”, tha ai.

Sipas tij, kushti i dytë ka të bëjë me shkallën tatimore që obligon komunat që të përcaktojnë shkallën tatimore sipas nenit 9.

“Neni 9 thotë se shkallët tatimore përcaktohen për llojet e pronave dhe ka një interval prej 0.15% për qind deri në 1 për qind që komunat mund ta përcaktojnë për të rritur apo të ulur tatimin në pronë.

Normalisht, meqë një pjesë e madhe e komunave kanë qenë në pragun ligjor prej 0.15 për qind siç edhe e kanë thënë e kanë pasur të pamundur që të shkojnë më poshtë. Mirëpo, kjo nuk është paraqitur si brengë nga shumica e komunave.

Ka pasur disa vërejtje nga tri komunat e që janë adresuar, mirëpo komuna tjera nuk kanë reaguar, e kanë mirëpritur vlerësimin e ri. Vlerësimi i ri mundëson një vlerë reale qoftë edhe për vetë qytetarët kur i duhet për ta lënë si hipotekë në bankë ose për çështje të trashëgimisë”, ka thënë ndër të tjera ministri.

Murati gjithashtu theksoi se Ministria e Financave është aktualisht në proces të hartimit të ligjit të ri për tatimin e pronave, i cili synon adresimin e vështirësive dhe probleme të shfaqura në procesin e tatimit të pronave.

“Përkatësisht, ligji i ri parasheh lirimin nga tatimi për pronën primare, si dhe fleksibilitet më të lartë në përcaktimin e normave tatimore nga komunat”, tha ai.

Duke konsideruar situatën aktuale dhe vështirësitë që vlera e shtuar e faturave mund të ketë në mirëqenien e qytetarëve, Murati shprehu gatishmërinë që në ligjin e ri të përfshihet një dispozitë kalimtare që parasheh lirimin nga një pjesë e barrës tatimore për faturat tatimore të këtij viti.

Mirëpo, meqenëse të hyrat nga tatimi në pronë janë ekskluzivisht të hyra të komunave do të duhet konfirmimi i komunave për të ndërmarrë një hap të tillë”, u shpreh Ministri Murati. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Viva Fresh Store renditet si grupi i pestë më i madh i shitjeve me pakicë në Ballkanin Perëndimor!

Viva Fresh Store renditet si grupi i pestë më i madh i shitjeve me pakicë në Ballkanin Perëndimor!

Viva Fresh Store
Bëhu banor i kryeveprës së Prizrenit - Grand Residence

Bëhu banor i kryeveprës së Prizrenit - Grand Residence

Grand Residence Prizren
Kurrë s’e ke pas ma lehtë se me Telegrafi Jobs me gjetë punë!

Kurrë s’e ke pas ma lehtë se me Telegrafi Jobs me gjetë punë!

Telegrafi Jobs
Policia me apel për qytetarët: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

Policia me apel për qytetarët: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

Ekonomi
Vlerat ushqyese të qumështit

Vlerat ushqyese të qumështit

Ekonomi
Qysh bohet kerri i vogël, kerr i ri!

Qysh bohet kerri i vogël, kerr i ri!

Auto Mita
Kalo në kategori