Çdo të diel mbrëma, e të hënën në mëngjes autobusët e relacionit Prizren–Prishtinë janë plot e përplot. Pa dyshim kjo u konvenon kompanive të transportit, madje shpesh ndodh që ata të nisen me nga dy autobusë në të njëjtën kohë. Bagazhet janë të stërmbushura me rroba, turshi e ajvar.

Pse studentët e mundojnë kaq shumë veten? Për asgjë tjetër veçse për idealin që e kanë ushqyer me vite të tëra. Ata janë gjithnjë të motivuar për të nxënë dituri, kudo qoftë ajo. Ne na u mundësua shkollimi në Universitetin Publik të Prishtinës, por, si duket, gjërat do të ndryshojnë për gjeneratat pas nesh.


Hapja e Universitetit Publik të Prizrenit

Kjo është tema qendrore që zhvillohet gjatë udhëtimit. “Kur do të nisemi në fakultet veç me libra?”. Shumë shpejt. Kjo, sipas kryeministrit Thaçi, i cili më në fund mori një vendim kaq madhor për qytetin historik. Ish-ministri i MASHT-it, Agim Veliu, në fund të mandatit të tij, pati firmosur për një “Prizren Universitar”, por qe do kur u desh të rimerret vendimi në fjalë përsëri para zgjedhjeve.

Ndikimi i universitetit në qytetin e Prizrenit do të jetë jetik, shumë gjëra do të duken ndryshe, pesë mijë studentë të cilët sigurisht që nuk do të jenë vetëm vendës, por edhe nga rrethina, në mos më shumë do ta gjallërojnë këtë qytet të bukur. Të gjithë prizrenasit janë të vetëdijshëm që në Prishtinë është Kosova, atje është gjallëria atje janë administrata, universiteti dhe ambasadat. Që të paktën ta ruajnë “kapitalin” brenda, një universitet është fillim i mbarë.

Vendet përreth, të cilat gjithashtu shpresojnë që nxënësit më të mirë të tyre t’i shkollojnë sa më afër familjes, janë një arsye shumë e fortë që mos të bëhen lojëra politike, sepse elektorati mund t’i ndëshkojë mashtruesit.

Rrethina e Opojës deri në Prishtinë i bën 4 orë udhëtim edhe i duhet që të ndërrojnë së paku dy autobusë, studentët e Gjakovës e kanë më të arsyeshme të lëshohen në Prizren, se sa te ngjiten në Prishtinë. Viteve të fundit vërehet një ardhje e studentëve nga vendet veriore të Shqipërisë si Kukësi, Bajram Curri e Tropoja, studentë të cilët në numër të konsiderueshëm po studiojnë në Prishtinë, e me infrastrukturën në përmirësim e sipër, në Prizren do ta kenë shumë më përshtatshëm. Kjo infrastrukturë dhe investimet e planifikuara qytetin e kulturës padyshim se do ta bëjnë qendër të shqiptarëve ashtu siç ishte dikur.

Por, vallë, kur ëndërrojmë për projekte të mëdha, a duhet t’i kujtojmë premtimet e parealizuara!, që, thënë të drejtën, nuk kanë qenë të pakta. A duhet që të shqetësohemi se pushtetarët luajnë me ne sa herë që duan ta marrin mandatin e radhës?, që si mandat ndërron destinim, por strategjia mbetet e njëjtë.

Kësaj radhe, duket se gjërat janë marrë më me seriozitet. Deri kur u konfirmua fitorja e kandidatit të PDK-së, ndieja një lloj frike, çka nëse kjo parti e humb këtë komunë, a do ta kishte këtë vullnet kryeministri Thaçi të angazhohej kaq shumë. Mund të ndodhnin edhe dy të këqija së bashku. Po qe se LDK-ja do të fitonte sigurisht se do të çonte krye dhe do ta rishikonte pozicionin e saj në koalicionin qeverisës e kjo automatikisht do të thoshte se s’ka universitet në Prizren.

Tash me gjasë edhe LDK-ja do ta ulë kryet e do të punojë në këtë qeveri për të mirën e qytetarëve, kuptohet në bashkëpunim me PDK-në. Ne prizrenasit mund të jemi të kënaqur pas këtyre zgjedhjeve jo pse fitoi PDK-ja por sepse nuk u ndërrua pushteti. Kjo mund të tingëllojë si një thënie e një militanti, por kujtoj se për të mirën e Prizrenit, cilido që të fitonte, do të duhej ta uronim. Këtë herë disa ëndrra jetike për Prizrenin do të realizohen më lehtë me këtë qeverisje. Prizreni në tetor do të gumëzhijë nga studentë që do të studiojnë dikush Juridikun, dikush Ekonomikun, dikush TI-në e kështu me radhë. Atëherë Prishtinës mund t’ia mësyjnë vetëm ata që kanë dëshirë ta bëjnë këtë, sepse edhe Prizreni me gjasë do të ofrojë kushte maksimale për studime.

Shenjat janë tashmë: 22 hektarë janë ndarë për ndërtimin e Universitetit, nuk janë pak, konkursi ndërkombëtar për rektor është shpallur, Ministria ka deklaruar se i ka evidentuar kuadrot që ka Kosova për të kontribuar në këtë impiant të dijes, vend do të ketë për të gjithë studentët sepse ndërtimet nuk kanë të ndalur. Mund të ndodhë vetëm një ndryshim që çmimet e qirave të ngrihen në hava për nja 2 a tri vjet, përderisa në Prishtinë do të duhej të ndodhte e kundërta. Prizreni tash e ka mundësinë të zhvillohet ekonomikisht. Shpresoj se fjalën e ka pikërisht ky dhe duhet ta shfrytëzojë maksimalisht. Vetëm përpara!

(Autori është student i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)