LAJMI I FUNDIT:

Taksa ndaj mallrave serbe dhe arrestimet në veri, të mos shihen si luftë politike mes liderëve shtetërorë

Taksa ndaj mallrave serbe dhe arrestimet në veri, të mos shihen si luftë politike mes liderëve shtetërorë

Veprimet e fundit, si vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë nga 10 për qind sa ishte në 100 për qind, si dhe arrestimi i disa personave të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Mitrovicës,  nuk duhet të konsiderohen si qërim hesapesh-hakmarrje politike mes udhëheqësve shtetërorë, kryeministrit Ramush Haradinaj në një anë, si dhe presidentit Hashim Thaçi në anën tjetër.

Kështu vlerësuan në një prononcim për Telegrafin analisti Imer Mushkolaj dhe politologu, Musa Preteni.


Mushkolaj ka thënë se  udhëheqësit shtetërorë ndaj këtyre veprimeve do të përfitojnë poena politikë pas dështimeve të njëpasnjëshme, sidomos për INTERPOL-in.

Sipas tij, veprimet e tilla duhet parë si shtetërore.

“Veprimet e fundit udhëheqësit shtetërorë nuk duhet t’i konsiderojnë as si hakmarrje, as si goditje ndaj njëri-tjetrit. Natyrisht, ata do të përpiqen që nga këto veprime të përfitojnë poenë politikë, pas dështimeve të njëpasnjëshme, ndër të cilët i fundit mos anëtarësimi në Interpol. Veprimet e tilla duhet parë si shtetërore edhe pse, fatkeqësisht, siç ka ndodhur edhe më herët, ato keqpërdoren për qëllime individuale”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe Preteni, u shpreh se  vendimi i Qeverisë përkon me kohën kur Kosova mori një goditje të madhe nga mos anëtarësimi në INTERPOL.

Ai tha se ky vendim mori mbështetje të madhe nga pothuajse të gjithë krerët institucional dhe politik në vend, me përjashtim të presidentit Thaçi i cili nuk dha asnjë koment.

“Konsideroj që vendimi i Haradinajt prek direkt pozicionin e Thaçit duke ia vështirësuar atij edhe më shumë afrimin drejt një marrëveshje me Vuçiqin, pasi që tash pas këtij vendimi në lojë hyn edhe vet Haradinaj nga një pozicion shumë i rëndësishëm në raport me Serbinë dhe vendimmarrjen në Kosovë”, theksoi Preteni.

Ai po ashtu komentoi dhe situatën e së premtes ku tha se ngjarjet nuk janë të rastësishme, duke e vendosur përballjen Haradinaj – Thaçi në një rrafsh tjetër pas deklaratave publike.

“Një ditë më pas ndodhi aksioni i policisë në veri duke tentuar edhe arrestimi e ‘bosit’ të asaj pjesë Milan Radojiçiq që cilësohet si njeri i afërt me krerët e shtetit në Kosovë. Thaçi është politikani që vazhdon të ketë ndikimin më të madh në sektorin e sigurisë në Kosovë sidomos brenda policisë së Kosovës dhe konsideroj që ngjarjet e djeshme nuk janë të rastësishme, duke e vendosur përballjen Haradinaj – Thaçi në një rrafsh tjetër pas deklaratave publike. Por ajo që është e rëndësishme në gjithë këtë ‘katrahurë’ politike mendoj që gjithçka po shkon në drejtim të përshpejtimit të zgjidhjes përfundimtare mes dy vendeve duke e bërë situatën alarmante në funksion të marrëveshjes përfundimtare që gjithsesi për momentin është shumë e paqartë”, tha ndër të tjera politologu, Musa Preteni.

Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e taksës doganore për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është arsyetuar si përgjigje ndaj shtetit fqinj për fushatën e ulët që po bën ndaj Kosovës, veçmas asaj kundër anëtarësimit në INTERPOL.

Ndërsa, media dhe analistë të ndryshëm këtë veprim të Qeverisë Haradinaj e kanë parë edhe si një përgjigje të kryeministrit Haradinaj ndaj idesë së plasuar nga presidentët Thaçi e Vuçiq për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Vetë, kryeministri Haradinaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Ndërsa, Policia e Kosovës të premten ka realizuar një operacion arrestimi në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.  /Telegrafi/