LAJMI I FUNDIT:

Tajvani ende mund të shmang fatin e Ukrainës

Tajvani ende mund të shmang fatin e Ukrainës
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Xi Jinpingu mendon se historia po lëviz në drejtimin e tij. Kur e vizitoi Vladimir Putinin në Moskë në marsin e kaluar, udhëheqësi i Kinës i tha presidentit rus: “Momentalisht po shohim një ndryshim të paparë në njëqind vjetët e fundit dhe këtë ndryshim ne së bashku po e shtyjmë para”.


Ky shkëmbim mendimesh u dëgjua në mbarë botën. Fjalët e Xisë u panë si miratim i qartë i pushtimit rus të Ukrainës – dhe si sugjerim se edhe Kina së shpejti do ta luajë rolin e vet në “shtytjen e këtij ndryshimi”. Implikimet për Tajvanin ishin rrëqethëse, duke pasur parasysh kërcënimet e kahershme të Kinës për ta pushtuar ishullin.

Në mënyrë të pashmangshme, këto kërcënime pushtimi janë përsëri në agjendën globale – pas zgjedhjeve presidenciale të kësaj fundjave në Tajvan. Në prag të votimit të së shtunës, Partia Komuniste kineze paralajmëroi votuesit e Tajvanit që të bëjnë “zgjedhjen e duhur” midis paqes dhe luftës. Por, Tajvani bëri zgjedhjen “e gabuar”, siç e sheh Pekini – duke zgjedhur kandidatin Lai Ching-te të Partisë Demokratike Progresive [DPP] të cilin Pekini e sheh si separatist të rrezikshëm.

Ka disa ngjashmëri të qarta midis pozicionit të rrezikshëm të Tajvanit dhe të Ukrainës së para vitit 2022.

E para është se si Putini ashtu edhe Xi e konsiderojnë Ukrainën dhe, respektivisht Tajvanin, si territor që me të drejtë i përket kombit të tyre. Ishte i pasinqertë pranimi retorik i Putinit për një Ukrainë të pavarur. Ndërsa, është politikë e kahershme kineze përpjekja për të “ribashkuar” Tajvanin me kontinentin.

Lidhja e dytë është se si Putini ashtu edhe Xi argumentojnë se Ukraina dhe Tajvani nuk kanë ndonjë autonomi reale dhe se përdoren si mjete të një Amerike hegjemoniste dhe agresive. Pra, rikthimi i Ukrainës/Tajvanit në atdhe do t’i shërbente një qëllimi të dyfishtë. Do të përmbushte fatin historik të Rusisë/Kinës. E, pushtimet e suksesshme do ta jepnin goditjen masive kundër fuqisë globale të ShBA-së në dy skenat kyçe: në Evropë dhe në Azi. Prandaj, këto janë ndryshimet “e papara në njëqind vjet”.

Me siguri, për një udhëheqës të fortë është joshëse mundësia për të qenë figurë historike botërore. Dhe, Putini dhe Xi i përshtaten kësaj forme të njeriut të fortë. Udhëheqësit rusë dhe kinezë kanë ndryshuar kushtetutat e vendit për të zgjatur periudhat e tyre në pushtet – ndoshta për gjithë jetën. Të dy burrat kanë inkurajuar gjithashtu një kult të personalitetit dhe kanë futur frikë tek ata që i rrethojnë.

Putinit i pëlqen të frikësojë në kamera bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ndërsa ka burgosur, ka vrarë ose ka dëbuar në mërgim kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Xi ka kryer spastrime të përsëritura të lidershipit të lartë të Kinës. Sa më gjatë të jenë në pushtet, aq më shumë që të dy këta liderë janë të prirë të jetojnë në vendin e tyre në histori.

Ky preokupim me historinë ka bërë që të dy udhëheqësit të fokusohen në Luftën e Dytë Botërore. Putini ka fetishizuar fitoren ruse në “luftën e madhe patriotike” kundër nazistëve. Xi, ashtu si Putini, pretendon një rol kyç për Kinën dhe Partinë Komuniste në mposhtjen e fashizmit.

Edhe pse ata këmbëngulin se historia po ecën në drejtimin e tyre, si Putini ashtu edhe Xi tradhtohen nga ankthi se ngjarjet në të vërtetë mund të lëvizin kundër tyre. Vendimi i liderit rus për të nisur një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ndoshta pjesërisht u nxit nga frika se Ukraina po rrëshqiste në mënyrë të pakthyeshme nga kontrolli i Rusisë. Nëse nuk do të vepronte shpejt, rrezikonte të binte si cari që “humbi Ukrainën”.

Ekziston rreziku i qartë se Xi do të arrijë në të njëjtin përfundim për Tajvanin. Pas tetë vjetëve të presidencës së DPP-së nën Tsai Ing-wenin, Kina shpresonte se zgjedhjet e fundit do të bënin që lavjerrësi të kthehej te Kuomintangu që është më pro-Pekinit. Përkundrazi, fitorja e Lait sugjeron se DPP-ja tashti është partia e natyrshme e qeverisë së Tajvanit.

Kjo ka implikime të zymta afatgjata për aspiratat e Kinës. Numri në rritje i tajvanezëve që identifikohen kryesisht si tajvanezë, jo si kinezë, është gjithashtu fakt shqetësues për Pekinin. Edhe një herë, ka paralele të dukshme me Ukrainën, ku theksi i shtuar mbi kulturën ukrainase i ofendoi dhe i alarmoi nacionalistët rusë.

Por, a do të thotë kjo që Xi përfundimisht do të vendos se duhet të ndjek shembullin e Putinit dhe të përdor forcën për të realizuar ambiciet e tij personale dhe kombëtare?

Kostot katastrofike që Rusia ka paguar për pushtimin e saj fatkeq, me siguri do t’ia japin Xisë një pauzë. Zyrtarët kinezë ndonjëherë argumentojnë se forcat e tyre janë më të mëdha dhe më të frikshme se ato të Rusisë. Por, Putini kishte në dispozicion një ushtri të përgatitur nëpër beteja – të cilën e kishte përdorur me sukses në Siri, në Gjeorgji dhe në Çeçeni. Kina nuk ka shkuar në luftë që nga viti 1979 dhe udhëheqja e lartë e ushtrisë vazhdimisht është spastruar për dyshimet për korrupsion.

Ekziston gjithashtu një ndryshim thelbësor në pozicionin e Amerikës. Qeveria amerikane mbështeti pavarësinë e Ukrainës, por presidenti Joe Biden e bëri të qartë se ShBA-ja nuk do të shkonte në luftë për të mbrojtur vendin. Në rastin e Tajvanit, pozicionet janë të kundërta. Amerika nuk e njeh pavarësinë e Tajvanit dhe e përsëriti këtë qëndrim pas zgjedhjeve të kësaj fundjave. Por, Bideni vazhdimisht ka thënë se ShBA-ja do të luftojë për ta mbrojtur Tajvanin.

Dhe, pastaj është gjeografia. Rusia ishte në gjendje të pushtonte Ukrainën përtej kufirit tokësor dhe prapë u bllokua. Kina do të duhet të tentojë pushtimin amfib i cili është shumë më i vështirë.

Megjithatë, ShBA-ja beson se Xi u ka thënë forcave të veta që të jenë gati për ta pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027. Detyra e Tajvanit dhe Amerikës është të sigurohen – kur të vijë kjo datë – se Xi do të vendosë se ka ende shumë rrezik për të pushtuar. Udhëheqësi kinez mund të mos i shohë kurrë “ndryshimet e papara për një shekull” që ai i ëndërron. /Telegrafi/