Lista Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit fitoi mbi 6 për qind të votave, duke siguruar shumicën e ulëseve në parlamentin e Kosovës nga ana e minoritetit serb. Por, kjo nuk ia garanton asaj hyrjen në qeveri, nëse nuk arrin një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, thotë se qeveria e ardhshme duhet të jetë pa Listën Serbe, pasi që konsideron se kjo parti do t’i sjell vetëm probleme Kosovës.

Ai thotë se Kurti e ka obligim të ketë një ministër serb, por jo me çdo kusht ai duhet të jetë nga radhët e Listës Serbe. Beson se Kurti nuk do të varet nga kjo listë, pasi që i ka votat për të formuar qeverinë me shumicë shqiptare.

“Qeveri pa Listën Serbe duhet të ketë. Sepse Lista Serbe politikisht nuk i bën mirë Kosovës dhe kjo Listë nuk është në bashkëqeverisje në qeverinë e Kosovës. Nuk besoj se do ta ketë partner të koalicionit Albin Kurti dhe nuk besoj se do ta pres 10 orë sa e priti Haradinaj kur u themelua qeveria e tij për t’ia bërë votat. Me Kushtet duhet të jetë një serb etnikisht serb që përcaktohet edhe një i minoriteteve të tjera nëse qeveria i ka dy ministra. Por jo i partisë politike që nuk është në koalicion”, thotë Tahiri, për EkonomiaOnline.

Madje politologu Tahiri thotë se Kurti nuk ka asgjë të përbashkët me Listën Serbe, ashtu sikurse me PDK-në, ndërsa shton se dallimet me LDK-në dhe Nismën mund t’i eliminojë përmes programit të përbashkët qeverisës.

“Albin Kurti nuk ka asgjë të përbashkët me Listën Serbe. Ato që i ka me LDK-në edhe dallimet që i ka edhe me Nismën ai i sublimon në program qeveritar. Por nuk ka të përbashkët me PDK-në dhe thotë jo nuk do të bëj koalicion, ose me AAK-në. Është e drejtë e tij sepse populli ia ka dhënë vullnetin ta bëjë qeverinë vet”, thotë ai.

Përveç që do të arrijnë marrëveshje për të bashkëqeverisur me vendin, Tahiri beson se një qeveri e përbërë nga VV-ja dhe LDK-ja do të arrijë edhe marrëveshjen me Serbinë.