Tahiri: Pa informacione për presidentin, vendi drejt zgjedhjeve

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion dhe komunikim se do të mbahet sot seanca për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se ende nuk e dinë se kush janë kandidatët konsensualë apo unifikues, të cilët potencialisht mund të marrin 80 vota në Kuvend.
Sipas tij, kjo situatë tregon papërgjegjësinë e lartë të LVV-së si shumicë parlamentare dhe dëshminë se Kosova është në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
“Jemi në ditën e fundit dhe është kah na përsëritet situata e para disa muajve, kur vijmë në ditën e fundit dhe ende nuk e dimë se kush janë kandidatët konsensualë, unifikues, të cilët potencialisht mund të marrin 80 vota në Kuvend. Kjo situatë na tregon papërgjegjësinë e lartë të shumicës parlamentare, na vërteton se Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe na tregon për një eksperimentim të vazhdueshëm politik dhe institucional", tha Tahiri.
Ai ka shtuar se nuk kanë asnjë informacion, asnjë komunikim dhe po presin çka do të ndodhë.
"Këtu jemi”, tha ai para fillimit të seancës plenare të hënën ku pritet të votohen disa marrëveshje ndërkombëtare. /KP/




















































