Tahir Batatina pas finales së Kupës: Finalja duhet të luhet në stadium neutral

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka reaguar pas humbjes së ngushtë 1-0 ndaj Prishtinës në finalen e Kupës së Kosovës, ku skuadra e tij u ndal në prag të trofeut.
Në prononcimin pas ndeshjes, Batatina ngriti shqetësime rreth vendimit për zhvillimin e finales në “Fadil Vokrri”, duke theksuar se Prishtina kishte përparësi si skuadër vendase.
Një gol, një trofe, një Evropë: Prishtina shkëlqen në finale përballë Llapit - fiton Kupën e Kosovës

“FFK duhet të vendos qysh në fillim ku të luhet finalja. Sepse sot Prishtina ishte vendas. Të caktohet stadium neutral, jo një ekip të jetë vendas”, deklaroi Batatina, duke shtuar se një rregullsi e tillë do të garantonte më shumë drejtësi në ndeshjet vendimtare.
Ai vlerësoi përkushtimin e skuadrës së tij dhe mënyrën si u zhvillua takimi.
“Ishte një ndeshje e luftuar. Finalja është finale. Djemtë dhanë gjithçka në fushë. Në aspektin profesional, ne e kemi dominuar Prishtinën në çdo aspekt. E morëm kartonin e dytë në momentet më të këqija. Por ky është futbolli. Jam i kënaqur që arritëm në finale”, shtoi trajneri i Llapit.
Pavarësisht humbjes, Batatina vlerësoi angazhimin e lojtarëve të tij dhe arritjen në fazën përfundimtare të Kupës si një sukses për klubin nga Podujeva. Ai theksoi se Llapi do të vazhdojë të luftojë për objektivat e mbetura deri në fund të sezonit.



















































