LAJMI I FUNDIT:

Sveçla: Vendimi për reciprocitet është legjitim, janë lëshuar 9 mijë targa të përkohshme

Sveçla: Vendimi për reciprocitet është legjitim, janë lëshuar 9 mijë targa të përkohshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se vendimi për targat e përkohshme për ata që hyjnë nga Serbia në Kosovë është legjitim.

Sveçla në një konferencë për media, tha se janë duke u përhapur dezinformata dhe lajme të rrejshme sa i përket sigurisë së përgjithshme në komunat veriore të Kosovë.


“Pas vendimit legjitim të Qeverisë së Kosovës për targat të regjistruara nga strukturat paralele e të mbështetura nga strukturat e Serbisë, ata tashmë janë dujke përhapur dezinformata dhe lajme të rrejshme sa i përket sigurisë së përgjithshme ne komunat veriore të Kosovë”, pohoi ai.

Ai shtoi se janë duke vazhduar hetimet për qendrën e regjistrimit që u dogj në Zubin Potok, ku në të njëjtën kohë janë hedhur edhe dy bomba dore në qendrën e regjistrimit në Zveçan.

“Deri tani kemi mbi 9 mijë targa të përkohshme të lëshuara. Sot pas mesnate nga një akt kriminal me elemente terroriste nga persona të dyshuar është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok. Përafërsisht në të njëjtën kohë janë hedhur edhe dy bomba dore në qendrën e regjistrimit në Zveçan”.

Sveçla ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallim që të mos bien pre e provokime të ndryshme.

“MPB ju bëjnë me dije se është garant i veprimeve sovrane të Qeverisë së Kosovës dhe pavarësisht tendencave për manipulim të opinionit ato nuk do të ndikojnë në asnjë mënyrë në zbatimin e vendime që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim të mos bien pre e provokime të ndryshme”, tha Sveçla.