LAJMI I FUNDIT:

Sveçla: Në dëbimin e shtetasve turq ka shkelje të rënda, shkelësit të vihen para drejtësisë

Sveçla: Në dëbimin e shtetasve turq ka shkelje të rënda, shkelësit të vihen para drejtësisë

Xhelal Sveçla, kryetar i komisionit hetimor parlamentar për dëbimin e shtetasve turq ka thënë se i kanë mirëpritur deklaratat e Ambasadës Amerikane dhe mbështetjen e Ambasadës Gjermane, si dhe asaj Britanike për punën e komisionit në lidhje me dëbimin e gylenistëve.

Në një prononcim për Telegrafin, Sveçla ka thënë se në punën e tyre si komision kanë gjetur shkelje të ndryshme.


“Ne e përshëndesim qëndrimin e Ambasadës Amerikane, po ashtu mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Britanike për punën e komisionit, si dhe kërkesën e tyre që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend me rastin e dëpërtimit të 6 shtetasve turq. Ne si komision jemi munduar që të përfundojmë mandatin tonë ashtu siç parashihet me ligjin për hetim parlamentar, dhe gjatë gjithë punës sonë kemi ardhur deri tek të gjeturat të cilat janë cekur në ekspertizën e ekspertit të pavarur dhe listën e shkeljeve e cila përbëhet nga shkelje qoftë kushtetuese, qoftë ligjit apo rregulloreve të brendshme, por po ashtu edhe të Konventave Ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sveçla ka theksuar se shkeljet janë aq të rënda dhe se duhet që shkelësit të vihen para drejtësisë.

“Shkeljet janë aq të rënda sa që është plotësisht e papranueshme që këto të identifikohen dhe shkelësit të vihen para drejtësisë. I gjithë aksioni ka qenë me qëllim që plotësohen dëshirat, kërkesat, urdhërat e një individi i cili mendon se vetë Kosova është pronë e tij. Ne kërkojmë që në parim Kryesia e Kuvendit të ulet dhe të shqyrtojë vazhdimin e mandatit të komisionit edhe për një muaj, ndryshe presim vendimin e Gjykatës rreth padisë sonë që i kemi bërë vendimit të paligjshëm të Kryesisë së Kuvendit. Ne presim që Prokuroria të përmbushë mandatin e saj ligjor – jo vetëm që të fillojë hetimet, por edhe të ndërmarr hapat e parë rreth vendosjes së drejtësisë për këtë rast”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa Ambasada e SHBA-së, përmes një deklarate, ka shprehur pakënaqësinë e saj rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe ua kujtoi liderëve të Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”. /Telegrafi/