Përdorimi i suplementeve ushqimore është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë persona që merren me fitnes, sport apo thjesht synojnë një formë më të mirë trupore.

Por sa të nevojshme janë realisht ato dhe kur mund të bëhen të rrezikshme?


Këto dhe shumë dilema të tjera u trajtuan në episodin e 60-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ku i ftuar ishte trajneri i fitnesit Arbër Peci.

- YouTube www.youtube.com

Gjatë bisedës, Peci theksoi se suplementet nuk janë zëvendësim i ushqimit, por vetëm një shtesë për të plotësuar mangësitë e një diete që nuk realizohet siç duhet.

“Ushqimi është baza, suplementi është vetëm plotësues”, ishte mesazhi kryesor i tij, duke sqaruar se në shumë raste njerëzit nuk kanë fare nevojë për suplemente nëse ushqehen mirë.

Një pjesë e madhe e diskutimit iu kushtua proteinës, veçanërisht dallimit mes Whey dhe Casein-ës.

Sipas Pecit, Whey përdoret kryesisht pas stërvitjes për shkak të përthithjes së shpejtë, ndërsa Casein preferohet para gjumit, pasi tretet ngadalë dhe ushqen muskujt gjatë natës.

Ai sqaroi gjithashtu se nevoja për proteinë ndryshon nga personi në person, varësisht peshës trupore dhe qëllimit – mirëmbajtje, dobësim apo rritje të masës muskulare.

Në episod u sqarua edhe roli i aminoacideve dhe BCAA-ve, duke theksuar se ato nuk janë të domosdoshme për këdo.

Ai tha se nëse një person ushqehet rregullisht dhe mjaftueshëm, këto suplemente shpesh janë të panevojshme.

Ndërkohë, kreatina u cilësua si një nga suplementet më të studiuara dhe më të sigurta, kur përdoret në mënyrë korrekte dhe pa teprime.

Një nga momentet më të rëndësishme të podcastit ishte paralajmërimi për rreziqet e keqpërdorimit të pre-workout.

Peci theksoi se ky suplement mund të rrisë ndjeshëm energjinë dhe performancën, por në rastet e mbidozimit ose te personat me probleme shëndetësore të fshehura, mund të shkaktojë pasoja serioze, përfshirë probleme me zemrën dhe ankth të theksuar.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital. /Telegrafi/