LAJMI I FUNDIT:

“Super Albini” (Superman) dhe skenarët e EULEX-it

Kosova kohët e fundit është bërë vend i zhvillimeve të ndryshme brengosëse për të gjithë banorët e vendit. Secila prej ngjarjeve ka paradoksin e vet dhe paqartësitë, fundi i të cilave nuk do të duket askund.

Vendin tonë e ka mbuluar një lëmsh i madh i quajtur EULEX, që fillin nuk po mundet ta gjejë askush e as vet punonjësit e tij, por vetëm çka po e ngatërrojnë edhe më shumë.


Rasti i gjykimit të Albin Kurtit ka arritur kulmin, duke sjellë skena shumë qesharake dhe absurde para opinionit kosovar. Por edhe këtij minifilmi që po shfaqet pjesë-pjesë para nesh, nuk besojmë se do t’i vije fundi deri në momentin që vet EULEX-it t’i përfundojë misioni i famshëm në Kosovë.

Kjo nga tregon se Kosova është bërë aeroport në të cilin po aterojnë lloje të ndryshme të kompanive të licencuara e të pa licencuara. Është mbushur me gjykatës dhe policë nga më të ndryshmet vende, që të kryejnë “misionin” e tyre në mënyra të ligjshme e të paligjshme.

Me sa e dimë të gjithë ky mision i tyre nuk është që të udhëheqin me Kosovën dhe resurset e saj, por të jenë këshillëdhënës në fusha të caktuara, por në realitet po ndodh një mënyrë e diktaturës së fshehtë.

Vërtetë është çuditës fakti që EULEX ndërmerr një hap të tillë për të gjykuar Albin Kurtin dhe për të urdhëruar Policinë e Kosovës që ta arrestojë atë, duke pasur parasysh se policët rumunë, të cilët vranë dy djem të rinj në protesta të ligjshme, ishin po ata që para pak kohësh u zunë me “pelë për dore” duke kontrabanduar mallra të ndryshme, por ky nuk duhet të jetë rasti i vetëm i kontrabandës, por i vetmi i zbuluar edhe atë nga një shtet tjetër (Maqedonia), pasi që doganat tona janë të pafuqishme para EULEX-it dhe e kanë të “ndaluar” të kontrollojnë pjesëtarët e tyre dhe të ndërmarrin ndonjë hap tjetër.

EULEX është duke vazhduar me sukses telenovelën të quajtur “Super Albini”, duke aluduar në Supermenin e famshëm të kinematografisë botërore, duke arritur të fitojë shikues të shumtë, por një e metë e kësaj telenovele është se personazhi kryesor po mungon çdo herë dhe po luan rolin e tij në prapaskenë.

Besoj se të gjithë që përcjellin këto shfaqje mbetën të kënaqur me kohëzgjatjen e seancave gjyqësore, rreth 5 minuta për çdo pjesë të saj. Shpresojmë se pas përfundimit të kësaj telenovele, EULEX do të shpërblehet për “punën” e bërë nga skenaristët, regjisorët, aktorët e gjithë stafin tjetër realizues të tij.

Misteri tjetër i kësaj ngjarje është urdhërarresti, që Policia e Kosovës të arrestojë Albin Kurtin, ngjarje e cila po argëton të gjithë njerëzit që janë duke e përcjellë vazhdimisht “Super Albini”, të cilin po është e pamundur të kapet dhe të sillet në gjykatë.

Me siguri të gjithëve ua përkujton filmin “Taxi”, duke mos pasur sukses në arrestimin e ngasësit të veturës së shpejtë edhe pse rregullisht u shfaqet para policëve, njësoj po ndodh edhe me Albin Kurtin, i cili po vazhdon aktivitetet e tij në vende të ndryshme në Kosovë, ndërsa Policia e Kosovës nuk po arrijnë ta arrestojë.

Shpresojmë se EULEX do të përfundojë telenovelën e tij sa më shpejtë se vërtet jemi lodhur nga veprime të tilla, sepse ka çështje shumë më të mëdha në Kosovë që duhet të merret së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe institucioneve tjera shtetërore.

(Autori është student në Master, drejtimi: Menaxhimi në Arsim)