Një burrë që qëlloi dhe plagosi rëndë kryeministrin sllovak Robert Fico në një sulm vitin e kaluar, është dënuar me 21 vjet burg pasi u shpall fajtor për terrorizëm.

Juraj Cintula, një pensionist 72-vjeçar, qëlloi pesë herë kryeministrin në maj 2024, kur ai ishte në një vizitë në Handlova, rreth 180 km nga kryeqyteti Bratislava, transmeton Telegrafi.


Personi i armatosur qëlloi Ficon nga një distancë shumë e afërt, pikërisht kur ai po i shtrinte dorën - duke menduar se ishte një mbështetës.

Në gjykatë, Cintula mohoi se u përpoq ta vriste kryeministrin, duke thënë se qëllimisht i kishte drejtuar larg organeve të tij jetësore.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin një burrë që ngrinte një armë dhe qëllonte drejt kryeministrit përpara se të ‘nutralizohej’ nga truprojat.

Anëtarë të tjerë të ekipit të sigurisë së Ficos e futën kryeministrin me nxitim në makinën e tij. Ai u plagos rëndë në bark dhe u transportua me helikopter në një spital aty pranë për ndërhyrje kirurgjikale, me gjendjen e tij të përshkruar si kërcënuese për jetën.

Sulmuesi, një poet amator në të 70-at, pretendoi se donte vetëm ta plagoste Ficon për të ndaluar politikat që ai besonte se po dëmtonin Sllovakinë.

Kryeministri është përpjekur të fajësojë opozitën për sulmin dhe për nxitjen e urrejtjes, megjithëse ai vetë është i njohur për retorikën thellësisht përçarëse.

Cintula u dënua me akuza për terrorizëm, me gjyqtarin Igor Kralik që deklaroi: "Gjykata e konsideron të provuar se i pandehuri nuk sulmoi një qytetar, por konkretisht kryeministrin".

Avokati i personit të armatosur ishte përpjekur ta ulte akuzën në sulm ndaj një zyrtari publik, i cili ka një dënim më të ulët, por kjo u refuzua nga gjyqtari. /Telegrafi/