LAJMI I FUNDIT:

Sulmohet konsullata iraniane në Irak, demonstruesit hodhën gurë dhe ndezën goma – flamurin e Iranit e zëvendësuan me atë të Irakut

Sulmohet konsullata iraniane në Irak, demonstruesit hodhën gurë dhe ndezën goma – flamurin e Iranit e zëvendësuan me atë të Irakut

Një grup prej dhjetëra demonstruesve irakianë kanë sulmuar konsullatën iraniane në Karbali të Irakut, ku në vend të flamurit iranian është vendosur ai irakian.

Forcat e sigurisë kanë shtënë në ajër për të shpërndarë demonstruesit që hidhnin gurë dhe ndiznin goma përreth ndërtesës në Karbali në jug të Bagdadit, transmeton Telegrafi.


Deri më tani nuk raportohet për të lënduar në këtë incident, që ka ndodhur gjatë kohës kur po zhvilloheshin protesta në Bagdad dhe qytetet tjera me shumicë shiite.

Në anën tjetër kryeministri irakian u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protesta që të hapin rrugët duke theksuar se “është koha që t’i kthehen normalitetit”.

Adel Abdul-Mahdi gjithashtu ka bërë thirrje që fabrikat, shkollat dhe universitetit të rihapen pas protestave disa ditore në Bagdad dhe në jug të vendit.

Në komunikatën e lëshuar ai pretendon se mbyllja e hapësirave të natës dhe rrugës i kanë kushtuar vendit miliarda dollarë, duke bërë kështu që të ketë edhe ngritje të çmimeve.

Dhjetëra mijëra demonstrues janë mbledhur ditëve të kaluar në sheshin e Bagdadit në tërë pjesën jugore të Irakut, duke kërkuar ndërrimin e sistemit politik të vënë pas invazionit amerikan në vitin 2003.

Mijëra nxënës nuk kanë shkuar në shkollë vetëm që të marrin pjesë në protesta, duke akuzuar elitën politike për korrupsion, papunësi dhe performancë të dobët në sektorin publik. /Telegrafi/