Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Grateful Dead e filluan jetën si mbretër të skenës psikodelike të Bregut Perëndimor të viteve ’60 të shekullit XX, megjithëse mbetën të paprekur nga glamuri. Shumë kohë pasi ndjenjat negative dhe komercializmi prishën ëndrrën e hipikëve, përzierja e tyre e fuqishme e improvizimeve të gjata në kitarë dhe festave komunitare mbeti vazhdimisht e pandryshuar, deri në vdekjen e liderit Jerry Garcia - në rehabilitim, në vitin 1995, në moshën 53-vjeçare. Teksa grupet e kohës si Rolling Stones dhe Jefferson Airplane u përshtatën me trendët që ndryshonin, Dead mbetën të thelb të njëjtë.


Nuk ishte aspak një recetë e duhur për super-yje, ndonëse kur revista Forbes renditi 40 artistët më të paguar në botë në vitet 1990-‘91, Grateful Dead u renditën të 20-tët, me rreth 33 milionë dollarë - duke iu afruar sensacionit pop, MC Hammer. Çfarë udhëtimi i gjatë dhe i çuditshëm ka qenë për një grup që kishte filluar tri dekada më parë duke luajtur në sallat viktoriane të San Franciskos si një sfond për eksperimentet me drogë halucinogjene.

Lexo po ashtu:
- Rok-grupi që frymëzoi internetin
- Viti 1969: Kundërkultura, Hëna dhe shqiptarët në dy botë
- Blues për Allahun

Me një ethos jashtëzakonisht jo-komercial, Dead ishin grup vërtet jashtë rrjedhave [underground]. Suksesi i tyre nuk u ndërtua mbi shitjet e albumeve - megjithëse në vitin 1987 ata realizuan një hit të papritur në MTV me Touch of Grey, falë një videoje me skelete kukullash në madhësi reale. Në vend të kësaj, ata kultivuan një fis të përkushtuar të ndjekësve të quajtur Deadheads, që i ndiqnin nga qyteti në qytet në një cirk udhëtues hipik.

Garcia tha në vitin 1988: “Për fëmijët sot, Grateful Dead përfaqëson Amerikën: shpirtin për të pasur mundësinë për të dalë dhe për të përjetuar një aventurë”. Ata kurrë nuk patën shitje të madhe, refuzuan sponsorizimet korporative dhe madje inkurajuan shkëmbimin e incizimeve pirate. Ata gjithashtu krenoheshin me listat e ndryshme të këngëve në çdo koncert, kështu që ndjekësit ende analizojnë ndryshimet e natës të nxitura nga kimia e veçantë e grupit.

Në vitin 1981, programi Newsnight i BBC-së ishte i pranishëm për të dëshmuar entuziazmin e besnikëve për rikthimin e grupit në Londër, pas shtatë vjetësh, me katër net epike në Teatrin “Rainbow”. Në anën tjetër të qytetit, në klubin “Blitz”, skena e romantikëve të rinj [New Romantic] ishte në kulmin e saj, me grupe si Spandau Ballet që reagonin me elegancë ndaj estetikës së shëmtuar të punkut.

Ndërsa lideri i Grateful Dead, Jerry Garcia - i përshkruar nga Robin Denselow i Newsnight-it si “tani si një xhaxha 38-vjeçar” - nuk mund të dallohej më shumë nga këta muzikantë, grupi i tij gjithashtu ishte farkëtuar në zjarrin e nxehtë të një fenomeni nënkulturor. Në vitin 1967, e ashtuquajtura Verë e Dashurisë kishte parë mijëra hipikë që zbarkonin në San Francisko. Periferia e vogël e lagjes “Haight-Ashbury” u bë epiqendra globale e “fuqisë së luleve” dhe Grateful Dead ishin grupi rezident i saj.

Garcia i tha Denselowit se koha mund të kishte ndryshuar, por skena mbetej po aq jetike edhe pas gjithë atyre viteve. “[Hipikët e ‘Haight-Ashbury’-së] ende po bëjnë më shumë ose më pak të njëjtën gjë si atëherë, por ... ndryshimi është se tani ata kanë 15 vjet përvojë dhe janë bërë ekspertë në atë që bëjnë, ashtu siç jemi bërë ne - disi”. Ai tha se kur Grateful Dead kishin filluar, ShBA-ja ishte ende e ngjashme me epokën konservatore të viteve ’50 të shekullit XX: “Shpeshherë hynim në një qytet dhe nuk na lejonin të futeshim në hotel, qoftë edhe kur kishim rezervime ... Sapo shihnin flokë të gjatë dhe ndonjë ekscentrizëm, e dini, kaq ishte”.

- YouTube youtu.be

Megjithëse mund të kenë ardhur në paqe, është e lehtë të kuptohet se si mënyra e jetesës transgresive e këtyre hipikëve me flokë të çrregullt mund të ketë shqetësuar ata që nuk ishin njohur me këtë kulturë. Në fakt, formimi i grupit lidhej pazgjidhshmërisht me lavdërimin e përdorimit të LSD-së. Droga halucinogjene u zbulua në vitin 1938 nga kimisti zviceran Albert Hofmann. Kur disa vite më vonë ai e përthithi aksidentalisht përmes gishtave, përjetoi vizione që i përshkroi si “pamje fantastike, forma të jashtëzakonshme me një lojë të fortë dhe kaleidoskopike ngjyrash”. Ndërsa Hofmann argumentoi për dekada se LSD-ja mund të ndihmonte në trajtimin e sëmundjeve mendore, të tjerët imagjinuan aplikime shumë të ndryshme për vetitë e saj potencialisht të rrezikshme psikodelike.

Në ditët e para të Luftës së Ftohtë, CIA krijoi një program sekret për të studiuar kontrollin e mendjes. I njohur me emrin kodues MK-Ultra, ai financoi eksperimente ndaj pacientëve të pavetëdijshëm, përfshirë njerëz në institucione psikiatrike dhe të burgosur, duke përdorur metoda si administrimi i drogave psikodelike, privimi ndijor dhe trajtimi me elektroshok. Në vitin ’60 të shekullit XX, studiues të financuar nga CIA në Spitalin “Menlo Park” të Kalifornisë ua paguan studentëve 40 dollarë në ditë për të marrë LSD.

Një nga vullnetarët ishte Ken Kesey, i cili më vonë shkroi Fluturimin mbi folenë e qyqes. I mahnitur nga fuqia halucinogjene e drogës që ende ishte legale, Kesey filloi ta shpërndante atë te miqtë e tij dhe ,në vitin 1964, mblodhi një grup njerëzish me mendime të ngjashme të quajtur “Merry Pranksters” dhe u nis nëpër vend me një autobus të pikturuar ngjyra-ngjyra. Udhëtimi u dokumentua nga shkrimtari Tom Wolfe në librin The Electric Kool-Aid Acid Test. Një vit më vonë, në Kaliforni, Kesey filloi të organizonte një seri festash që i quajti Teste Acidi, për të promovuar përdorimin e LSD-së. Ngjarja e dytë, më 4 dhjetor në San Hoze, ishte vendi ku Grateful Dead mbajtën koncertin e tyre të parë. Grupi kishte luajtur më parë me emrin The Warlocks, por doli se kishte një tjetër grup me të njëjtin emër, kështu që grupi i Garcias kaloi në emrin me të cilin do të njiheshin për dekadat në vijim.

Tetë muaj më vonë, Dead u shfaqën për herë të parë në BBC - jo në një emision muzikor, por në programin e lajmeve Panorama. Në një episod të titulluar California 2000, reporteri John Morgan eksploroi sallat e vallëzimit psikodelik të San Franciskos, ku “bota private bëhet publike ndërsa ngjyrat dhe dritat e çuditshme të krijuara nga vaji, uji dhe keçapi pasqyrohen mbi mure dhe njerëz”. Morgan vuri në dukje se synimi ishte “të prodhohen rrethana të një sensoriumi psikiatrik ... perceptime të reja të realitetit të krijuara nga një sulm ndaj shqisave”.

Garcia ishte tashmë pjesë e skenës muzikore të San Franciskos, pasi kishte qenë në disa grupe folk dhe bluz, por LSD ishte ndikim krejtësisht i ri. Në një intervistë pak para vdekjes në vitin 1995, ai i tha BBC-së: “Shpeshherë i droguar, nuk mund të flisja me askënd. Nuk mund të bëja veten të kuptueshëm apo të kuptoja të tjerët, por mund të komunikonim me muzikë”. Ai e përshkroi stilin e hershëm të grupit si “R&B [ritëm dhe bluz] me një sasi të madhe çudie të futur brenda”. Improvizimi, “gjëja e parë që mësova në muzikë”, ishte në qendër. “Papritur, ne mund të luanim një këngë të thjeshtë R&B dhe ajo do të kthehej në diçka 20-minutëshe”, tha ai.

Grupi vazhdoi të tërhiqte breza të rinj ndjekësish, dhe koncertet e tyre të gjata përfshinin ndikime nga blugrasit te xhazi. Për Dead, performanca para publikut ishte gjithçka. Basisti Phil Lesh i tha BBC-së në vitin 1993: “Ajo që Grateful Dead ka bërë është se ka marrë idenë e vjetër për të ndërtuar një audiencë dhe e ka çuar atë në ekstrem, sepse gjithçka që bëjmë është të ndërtojmë audiencën tonë. Mendoj se ideja fillestare ishte të ndërtonim një audiencë për të shitur disqe - ne thjesht ndërtuam audiencën dhe vazhduam të riktheheshim aty për të luajtur”.

Siç tha Garcia në Newsnight: “Ajo që ne vërtet jemi të interesuar të bëjmë është të komunikojmë me mendje”. Kitaristi Bob Weir shtoi: “Mësuam të luajmë më mirë instrumentet tona. Mësuam të luajmë më mirë me njëri-tjetrin. Mësuam të dëgjojmë më mirë njëri-tjetrin. Dhe, në këtë aspekt, mund të luajmë më të përmbledhur. Mund të luajmë më shumë muzikë me më pak nota”. Pas 16 vjetësh në rrugë, Garcia ishte po aq i përkushtuar sa më parë: “Kjo jemi ne. Kjo është ajo që bëjmë me jetën tonë, vërtet”. /Telegrafi/