Jo çdo muzikë ndihmon, disa madje e rëndojnë gjendjen

Të përzierat dhe marramendja gjatë udhëtimit janë simptoma të pakëndshme që prekin shumë njerëz. Por lajmi i mirë është se ato mund të zbuten me një mënyrë të thjeshtë dhe të këndshme – përmes muzikës. Një studim i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Human Neuroscience ka zbuluar se dëgjimi i disa llojeve të muzikës ka ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e këtyre shqetësimeve.


Deri më tani ishte e njohur se muzika ndihmon në rikuperimin e organizmit pas traumave fizike dhe emocionale, por sipas studiuesve kinezë që kryen eksperimentin me 30 pjesëmarrës në një simulator të makinës, për herë të parë u vërtetua se ajo mund të lehtësojë edhe simptomat e të përzierave gjatë udhëtimit.

Cila muzikë ndihmon dhe cila e përkeqëson gjendjen?

Sipas të dhënave të studimit, muzika e gëzueshme uli simptomat tek 57,3% e pjesëmarrësve, ndërsa muzika e qetë pati efekt pothuajse të njëjtë, duke ndihmuar 56,7% të tyre. Në vend të tretë ishte muzika ritmike, që solli lehtësim në 48,3% të rasteve. Për krahasim, grupi kontroll që nuk dëgjoi muzikë, raportoi përmirësim në 43,3%, ndërsa muzika melankolike tregoi efektin më negativ, vetëm 40%, pra edhe më keq se mosdëgjimi i muzikës. Këto shifra i publikoi fillimisht portali The Times, duke iu referuar punimit shkencor.

Edhe ScienceAlert thekson se muzika e gëzueshme dhe ajo e qetë kanë treguar ndikimin më të madh pozitiv, ndërsa këngët e trishtueshme vetëm sa e kanë përkeqësuar gjendjen e pjesëmarrësvem transmeton Telegrafi.

gettyimages

Pse ndodh kjo?

Shpjegimin e jep portali News-Medical, sipas të cilit muzika e qetë ul tensionin emocional – një nga faktorët kryesorë që nxit të përzierat. Ndërkohë, muzika e gëzueshme dhe ajo ritmike shpërqendrojnë mendjen, aktivizojnë sistemin e shpërblimit në tru dhe nxisin çlirimin e hormoneve të lumturisë, duke bërë që ndjesia e diskomfortit të zbutet ndjeshëm. Në anën tjetër, New Atlas shkruan se muzika melankolike përforcon emocionet negative dhe për rrjedhojë e shton marramendjen dhe ndjesinë e pakëndshme.

Nevoja për kërkime të reja

Megjithëse rezultatet janë inkurajuese, vetë studiuesit theksojnë se kërkimi është bërë mbi një numër të vogël pjesëmarrësish dhe në kushte të simulimit, jo në udhëtime reale. Prandaj, sipas Frontiers in Human Neuroscience, nevojiten hulumtime të tjera më të gjera dhe në situata të përditshme, për të nxjerrë përfundime përfundimtare. /Telegrafi/