Strukturat që mbajnë peng rajonin
Unë jam për ndërtimin e marrëdhënieve mes shoqërisë kosovare dhe të gjitha shoqërive që bashkëjetojnë në kufijtë e saj, përfshirë këtu edhe shoqërinë serbe. Mirëpo, këto marrëdhënie nuk duhet të dominohen nga strukturat e ngritura në kohën e Millosheviqit, sepse ato dominohen nga serbë ekstremistë, prapa-ngrehës dhe me tendenca të forta të lidhjes me krimin. Si kaunterpartë në Kosovë këto struktura kanë xhuxhamanë me komplekse të forta inferioriteti.
Në një intervistë të liderit serb Vuk Drashkoviq, dhën gazetës së përditshme Blic ai pohon se strukturat e krimit në ekonomi të ngritura në kohën e Millosheviqit janë duke kontrolluar akoma strukturat e sigurisë në këtë vend dhe vetë politikën. Në kohën e sanksioneve ndaj Serbisë dhe derisa ishte në fuqi regjimi autoritar struktura të tëra “biznesmenësh” u bënë milionerë duke përfituar nga biznese ilegale dhe nga vetë lufta. Kjo strukturë ishte homogjene dhe kishte krahët e vet edhe në Kosovë. Shumë biznesmenë kosovarë njiheshin si partnerë me ata serbë, e këta të fundit kishin një partneritet me Millosheviqin.
Këtyre strukturave me kohën iu çiftëzuan edhe fytyrat politike edhe veglat e tyre në siguri. Është interesante që ato vepronin në mënyrë shumë homogjene jo vetëm në Serbi, por edhe përtej saj dhe sidomos funksiononin ngushtë me strukturat e “tajkunëve” kosovarë. Qindra, e ndoshta mijëra njerëz iu shërbenin këtyre tajkunëve për tërë periudhën e regjimit të Millosheviqit dhe përtej. Ata nuk ishin vetëm në siguri e politikë, por ata ishin edhe në media dhe pore tjera të shoqërisë. Siç na e konfirmon Drashkoviq ata kanë ngelur vendimtar në sigurimin serb sepse mbrapa kanë të njëjtit tajkunë që kishin qysh prej viteve 80-ta. Në Kosovë konfirmohet lehtë se kaunterpartët e këtyre biznesmenëve serbë vazhdojnë të dominojnë tregtinë kosovare dhe si rezultat edhe pjesë të tjera të shoqërisë, përfshirë këtu edhe njerëz në media.
Në dëgjojmë vazhdimisht informacione që shpesh ngelin në nivel të thashethemeve por ndonjëherë edhe konfirmohen që këto struktura po rivendosin lidhjet me kolegët e tyre në Serbi. Ditëve të fundit e pamë që rezultat i një ambienti të tillë njerëz të rëndësishëm të jetës publike kosovare janë përfshirë në biznese me serbë që madje kontribuojnë në strukturat paralele serbe. Me një fjalë, biznesi në Kosovë e Serbi në masë të konsiderueshme ka rimarrë formën e periudhës së Millosheviqit. Mund të jetë ndonjë rast që për shkak të kalimit të kohës këtë rol e kanë marrë pasardhësit e njerëzve të lidhur me këto struktura, por përgjithësisht kjo vazhdon të funksionojë me një logjikë të njëjtë.
Natyrisht e tërë kjo nuk do duhej të ishte apriori ndonjë problem i madh. Në fund të fundit pasurim joligjor dhe ndikim të tajkunëve ka pasur dhe ka gjithkund në botë dhe pse të mos ketë edhe në Kosovë e Serbi. Megjithatë, në Kosovë është vështirë të jesh indiferent ndaj një dukurie të tillë. Fatkeqësia qëndron që këto struktura kosovare, qoftë ato të sigurisë qoftë ato ekonomike, gjithmonë kanë qenë inferiore ndaj atyre serbe. Derisa tajkunët serbë janë treguar si nacionalistë e ekstremistë, duke financuar edhe njësitet që ushtronin terror në Bosnje e Kosovë, përfaqësuesit e kësaj shtrese në Kosovë ngelin xhuxhamanë. Të vegjël, josinjifikativë, të padijshëm e të pakultivuar, për pasojë shërbyes dhe servilë kanë ngelur “tajkunët” kosovarë ndaj padronëve serbë. Fakti që serbët vazhdojnë ta luftojnë pavarësinë e Kosovës e bën problematike marrëdhënien mes strukturave ekonomike gri serbe e kosovare.
Unë jam për ndërtimin e marrëdhënieve mes shoqërisë kosovare dhe të gjitha shoqërive që bashkëjetojnë në kufijtë e saj, përfshirë këtu edhe shoqërinë serbe. Mirëpo, këto marrëdhënie nuk duhet të dominohen nga strukturat e ngritura në kohën e Millosheviqit, sepse ato dominohen nga serbë ekstremistë, prapa-ngrehës dhe me tendenca të forta të lidhjes me krimin. Nëse lejohet që shoqëria kosovare dhe ajo serbe të kenë këto struktura dominuese në marrëdhëniet e tyre rajoni do të vazhdojë të jetojë në mentalitetin e ndërtuar në kohën e Millosheviqit dhe për pasojë do të ngelet peng e këtyre njerëzve. Shoqëria kosovare dhe ajo serbe duhet të fillojnë komunikimin nëpërmjet pjesëve të civilizuara të saj. Atyre pjesëve të shoqërisë që dinë të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi nga e kaluara e errët.
Siç e thash edhe më lartë gjithmonë këto struktura kanë pasur edhe dyzimin e vet në politikë, por sidomos në media. Mendojeni një gazetar që i ka interesat e ziera me serbë të strukturave paralele të shkruaj mbi protokollet që EULEX-i po i nënshkruan me strukturat serbe të sigurisë që kontrollohen nga tajkunët e ngritur në kohën e Millosheviqit. Sa mund të jenë këta gazetarë e opinionistë të sinqertë? Sa munden ata të përfaqësojnë interesin e qytetarit kosovar kur dihet se ata ndihen xhuxhamanë përballë kaunterpartëve të tyre serbë. Fatkeqësia qëndron aty se këta xhuxhamanë kanë dyert e hapura tek politika sepse duke qenë gazetarë biznesmenë ata tregtojnë edhe hapësirën e tyre mediale me politikën, e politika është e interesuar të blejë hapësirë mediale për hesape të spastrimit të figurës së tyre. Kjo praktikisht e ven shoqërinë kosovare në rrethin viciozë të politikës së ndikuar nga strukturat e ngritura në kohën e Millosheviqit, e cila si shkëmbim prodhon përkrahjen për vazhdimin e dominimit të po këtyre strukturave në sektorët më të rëndësishëm shoqëror.
(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)



































