Struga turpërohet në shtëpi nga Brera

Java e dhjetë e kampionatit ka vazhduar sot me dy duele interesante, ku befasia më e madhe ndodhi në Strugë, ndërsa në Shkup u ndanë pikët pa gola, njofton Telegrafi.
Ekipi i Struga Trim Lum u befasua në terrenin vendas, duke pësuar humbje 2-4 nga Brera, në një ndeshje plot gola. Miqtë nga Strumica merituan fitoren, pasi gjatë gjithë takimit ishin më të organizuar dhe më konkretë në lojë.
Që nga minutat e para, Brera tregoi se kishte udhëtuar drejt Strugës për fitore. Me dy gola të shpejtë në minutat e 3-të dhe 7-të, ata morën epërsinë e hershme dhe paralajmëruan befasinë e madhe që do të pasonte.
Struga reagoi në kohë, kur Zenku shënoi me një goditje të fortë nga distanca, duke ngushtuar diferencën. Megjithatë, në minutën e 21-të Ndzenge riktheu epërsinë prej dy golash për Brerën.
Momenti më i bukur i ndeshjes erdhi në fund të pjesës së parë, kur Besmir Bojku realizoi një gol spektakolar nga rreth 30 metra. Në pjesën e dytë, Struga sulmoi vazhdimisht, por pa sukses. Brera shfrytëzoi hapësirat dhe në minutën e 61-të vulosi rezultatin përfundimtar 2-4, duke marrë tri pikë të mëdha nga kampioni në fuqi.
Në ndeshjen tjetër të javës së dhjetë, Rabotniçki dhe Makedonija Gjorçe Petrov ndanë pikët, pasi sfida e zhvilluar në Shkup përfundoi pa gola (0-0).
Të hënën në Tetovë do të luhet derbi i javës, ku Shkëndija pret Vardarin, dhe nëse njëra nga këto dy skuadra arrin të marrë pikët e plota, do të ngjitet në krye të tabelës së renditjes.
Ndërkohë, dje Bashkimi mundi Shkupin me rezultat bindës 4-1, ndërsa Arsimi arriti një përmbysje spektakolare në Kavadar, duke e mposhtur Tikveshin 4-3. /Telegrafi/


















































