Stresi nuk është vetëm një problem mendor: Po sikur të na dhembin shpina dhe stomaku nga shqetësimet

Dhimbja e kokës mund të shkaktohet nga stresi i fortë, por gjithashtu mund të jetë edhe simptomë e një tumori në tru. Prandaj diagnostikimi i saktë është jetik
Stresi është përpjekja e trupit për t’u përshtatur me ndonjë fatkeqësi, ngjarje të papritur dhe të pakëndshme, apo ndonjë situatë. Ekziston bindja se problemet dhe shqetësimet “grumbullohen” në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që shkakton dhimbje në shpinë, kokë apo bark. Një stres i shtuar dhe i pakontrolluar ndikon jo vetëm në shëndetin mendor, por edhe në atë fizik. Megjithatë, nuk mund të flasim për ndonjë “rezervuar stresi” në “anën e majtë të veshkës”, shpjegon psikologu klinik Steven Tovian nga Feinberg School of Medicine, Northwestern University.
Stresi shkakton reagim dinamik të gjithë trupit
Ideja që stresi ruhet në pjesë të caktuara të trupit është më e vjetër se 100 vjet dhe besohet se buron nga Sigmund Freud.
- Mendohet se në situata kur i shtypim ose i mohojmë emocionet, ato shfaqen përmes trupit dhe manifestohen si simptoma fizike. Për shembull, kur pranojmë një emocion si frikën, pasigurinë apo mosbesimin, simptomat zhduken. Me kalimin e kohës u kuptua se kjo është një shpjegim i thjeshtuar, pasi stresi shkakton një reagim të tërë trupit – për shembull rritet presioni i gjakut dhe niveli i disa hormoneve. Këto ndodhin jo vetëm kur shtypim emocionet, por edhe kur jemi plotësisht të vetëdijshëm për to, shpjegon psikologia prof. Camelia Hostinar nga University of California, Davis, transmeton Telegrafi.
Nuk reagojmë të gjithë njësoj ndaj stresit
Hipotalamusi, nën ndikimin e stresorëve, “orkestron” përgjigjen hormonale ndaj stresit. Gjendrat mbiveshkore lëshojnë hormonin e stresit, kortizolin, në qarkullimin e gjakut, thotë neurologia dr Alicia Walf nga Rensselaer Polytechnic Institute në Nju Jork. Nën ndikimin e stresit, trupi çliron kortizol pasi më parë ka aktivizuar hormonin “lufto ose ik”, si adrenalina. Si rezultat i kortizolit, lirohet edhe glukoza (sheqeri) nga mëlçia, duke dhënë energji në situata stresuese.
Ekspertët theksojnë se nuk do të reagojmë të gjithë njësoj ndaj stresit. Disa persona mund të ndiejnë rritje të oreksit, të tjerë nuk do të jenë në gjendje të hanë. Disa mund të ndiejnë tension në muskuj dhe dhimbje në shpinë apo qafë.
Efektet e stresit mund të ndihen menjëherë, për shembull gjatë një situate të pakëndshme, ose disa ditë më vonë. Nën ndikimin e stresit, mund të kemi rrahje të shpejta të zemrës, qarkullim të dobët të gjakut, ndjesi ftohtësie në duar ose djersitje të pëllëmbëve.
Llojet e stresit
Në trajtimin e stresit ka rëndësi lloji i stresit, frekuenca, intensiteti dhe kohëzgjatja e tij. Ekziston stresi akut, për shembull kur ngecim në trafik dhe vonohemi për në takim; stresi episodik që ndodh zakonisht në punë; stresi kronik që zgjat më gjatë dhe lidhet me ndarje, marrëdhënie të këqija ndërpersonale, etj. Ndërsa stresi traumatik është rezultat i ndonjë ngjarjeje shumë të rëndë si abuzimi në fëmijëri, trauma të hershme, tërmet, zjarr apo përmbytje.
- Stresi nuk është një entitet i vetëm. Stresi akut zakonisht nuk ka pasoja të mëdha dhe mund të kalohet me ushtrime frymëmarrjeje apo aktivitet fizik. Por disa lloje të tjera stresi kërkojnë më shumë kujdes, thotë Tovian.
Stresi godet pikat e ndjeshme
Reagimi ndaj stresit varet nga gjendja e përgjithshme shëndetësore, mosha, gjenetika dhe përvoja.
- Disa persona, me kalimin e moshës, e përballojnë më vështirë stresin, ndërsa të tjerët, falë përvojës, e menaxhojnë më lehtë. Stresi godet zonat që janë tashmë të ndjeshme në trup. Për shembull, nëse kemi disk hernie, është më e mundshme që pas stresit të kemi dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës. Nëse kemi probleme gastrointestinale, ka më shumë gjasa që pas stresit të ndiejmë fryrje apo shqetësime në bark, shpjegon Tovian.
Kur shfaqen problemet organike?
Ai shton se trupat tanë janë të pajisur për të përballuar një nivel të caktuar stresi, por kur ky nivel kapërcen pragun tonë personal, rritet mundësia për shfaqjen e problemeve organike – zakonisht pas disa muajsh ose vitesh.
Disa studime tregojnë se stresi mund të ndikojë në sistemin muskulor, respirator, kardiovaskular, endokrin, gastrointestinal, nervor dhe riprodhues. Ky mekanizëm njihet si somatizim (nga greqishtja soma, që do të thotë “trup”), shfaqja e problemeve psikike përmes simptomave fizike.
- Dhimbje koke, të përziera, lodhje, marrje mendsh, rrahje të forta zemre dhe dhimbje në gjoks, shpinë apo bark janë simptomat më të shpeshta që lidhen me stresin, thotë psikiatrja dr Ashwini Nadkarni nga Brigham Psychiatric Specialties, Brigham and Women’s Hospital në Boston.
Simptoma pa sëmundje të qarta
Stresi i shtuar me kohë mund të kontribuojë në procese inflamatore, probleme me zemrën, migrenë, cikle të rënda menstruale apo ulcera në stomak.
- Somatizimi ndikon në shumë njerëz; rreth një e treta e simptomave në kujdesin shëndetësor parësor janë të pashpjegueshme. Nuk ka prova objektive që të vërtetojnë ndonjë sëmundje biologjike, por pacientët raportojnë simptoma ose ekziston sëmundja, vetëm se simptomat janë më të forta sesa do të prisnim, thotë dr Nadkarni.
Rimëkëmbja nga stresi
Megjithatë, edhe në raste të tilla, profesionistët shëndetësorë do të kryejnë një ekzaminim të plotë për të përcaktuar nëse simptomat kanë bazë organike dhe për të përjashtuar ndonjë sëmundje.
- Dhimbja e kokës mund të shkaktohet nga stresi i fortë, por gjithashtu mund të jetë simptomë e një tumori në tru. Kjo është arsyeja pse diagnostikimi i saktë është thelbësor, thekson dr Nadkarni.
Ekspertët na kujtojnë se është shumë e rëndësishme që pas stresit të fortë të gjejmë mënyra për t’u rimëkëmbur. Disa mjekë theksojnë rëndësinë e grupeve mbështetëse me persona që ndajnë përvoja të ngjashme. Bisedat dhe shkëmbimi i përvojave me njerëz që na kuptojnë ndihmojnë në procesin e rikuperimit.
Po ashtu, janë të rëndësishme stili i mirë i jetesës: gjumi i rregullt, ushqimi i duhur dhe aktiviteti fizik në mënyrë që të jemi ne ata që e kontrollojmë stresin, dhe jo anasjelltas. /Telegrafi/


















































