Strategjia
Çelësi i Strategjisë për veriun është krijimi i opinionit publik të përshtatshëm, kurse çelësi i krijimit të opinionit të përshtatshëm publik është sfidimi i mediave nacionaliste serbe. Pse është injoruar ky aspekt?
Strategjia definohet si një plan i elaboruar dhe sistematik. Strategjia për Veriun e prezantuar këtyre ditëve është gjysëm i elaboruar, e fare sistematik. Dua të ndalem në disa aspekte kryesore që bien në sy sapo të lexohet Strategjia e ICO-së dhe Qeverisë për Veriun.
E para, vihet re neglizhimi i seriozitetit të problematikës së strukturave paralele. E dyta, është e qartë se është një strategji që bazohet në qasje të butë (“soft approach”), që nënkupton pastaj aspektin e tretë të saj që praktikisht mekanizmave për zbatimin dhe imponimin e ligjit pothuaj se nuk iu kushtohet vëmendje. Thuhet, “EULEX-i duhet të rrisë vigjilencen”, por është e vështirë të kuptohet çka nënkupton vigjilenca. Vigjilenca mund të jetë që nga vigjilenca e popullit socialist gjer tek vigjilenca e trupave të EULEX-it që kujdesen për sigurinë e tyre brenda mureve të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë.
Sido që të jetë Strategjia si e tillë është e para serioze gjer më tashti dhe të pasurit e qasjes së butë vetëvetiu nuk e bën atë të pamundshme për tu realizuar. Së pari është e qartë se mbi problemin e veriut të vendit është vështirë të ketë sukses qasja ekskluzive, qoftë ajo e qasjes së butë, qoftë përdorimi i mekanizmave të dhunës kundër shkelësve të ligjit. Në këtë rast ekskluziviteti i është dhënë gati tërësisht qasjes së butë që nënkupton bërjen e institucioneve të Kosovës më atraktive kundruall strukturave paralele. Problemi kryesor nuk është vetëm qasja e butë e strategjisë, por mangësitë që kjo strategji ka si e tillë.
Qasja e butë, gjegjësisht bërja atraktive e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës për serbët e kësaj pjese, nënkupton para së gjithash krijimin e një opinioni publik të përshtatshëm brenda komunitetit serb. Deri më sot është parë se vetëm parat dhe diskriminimet tjera pozitive nuk mjaftojnë. Pa marrë para sysh sa investon Qeveria e Kosovës në këtë pjesë, opinioni publik brenda komunitetit serb gjithmonë do jetë më pran strukturave paralele sesa institucioneve të Kosovës. Dhe dështimi për ta kuptuar këtë është dobësia kryesore e Strategjisë për veriun.
Kjo strategji mëton krijimin e një opinioni pozitiv për institucionet vendore e ndërkombëtare nëpërmjet të ashtuquajtures “Shtëpia e Evropes”, dhe masave tjera, siç është Komuna veriore në Mitrovicë. Opinioni publik në mesin e komunitetit serb në këtë pjesë vështir se do të ndërrohet vetëm me këto masa. Para së gjithash Strategjia do të duhej të kishte për bazë një hulumtim paraprak që do të tregonte se kush janë faktorët kryesor që krijojnë opinionin publik në Veri. Strategjia pothuaj se nuk merret fare me mjetet e komunikimit masiv dhe në fakt ato kanë qenë burimi kryesor i helmit në këtë pjesë.
Duke qenë pra se qasja e butë kërkon patjetër krijimin e një opinioni publik të përshtatshëm pjesë e domosdoshme e Strategjisë do duhej punë më e madhe në monitorimin e mediave që përbëjnë burimin kryesor të informimit për këtë komunitet. Madje, ndoshta do të ishte ide e mirë përkrahja e ndonjë mediumi që do të sfidonte mediumet publike të Serbisë si burim kryesor i informimit për këtë rajon.
Natyrisht fortësimi i mbisundimit të ligjit duke përdorur mekanizmat që imponojnë ligjin do duhej të ishte pjesë e pandarë e kësaj strategjie, por tashmë është e qartë se nuk ekziston vullneti dhe guximi për ta ushtruar edhe këtë atribut të shtetit. Institucionet ndërkombëtare dhe vendore janë fokusuar në një qasje që nëse thjeshtëzohet nënkupton kryekëput krijimin e një opinioni publik të përshtatshëm për ndërmarrjen e mëpastajshme të masave institucionale për integrim të këtij komuniteti, duke përfshier këtu edhe krijimin e Komuniës veriore të Mitrovicës. E opinioni publik në këtë pjesë nuk krijohet prej komunës, por prej propagandës agresive që vie nga Beogradi.
Qasja e gjedhur me këtë Strategji është afatgjate dhe mundësia që ajo të shpallet e dështuar para se t’i arrijë objektivat është shumë reale. Kjo sigrisht do të ndodhi po qe se nuk kemi një sfidim të fuqisë së mediave nacionaliste serbe në krijimin e opinionit publik në Veri është. Brenda Strategjisë që është prezentuar këtyre ditëve nuk shihet ndonjë ide e tillë, por mbase ekziston ndonjë shansë që në zhvillimin e mëtutjeshëm të masave që dalin nga kjo strategji të bëhet më shumë në këtë drejtim. Çelësi i strategjisë është krijimi i opinionit publik të përshtatshëm, kurse çelësi i krijimit të opinionit të përshtatshëm publik është sfidimi i mediave nacionaliste serbe. Deri më sot është bërë një monitorim i vazhdueshëm i mediave në Prishtinë përsa i përket “gjuhës së urrejtjes”, por këto sisteme monitorimi definitivisht është koha të barten në këtë pjesë të Kosovës.
(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)



































