LAJMI I FUNDIT:

Stiv Sterjo drejtues i analitikës në Google të Gjermanisë, tregon për mundësitë që të rinjtë shqiptarë kanë për të punuar nga vendi i tyre

Drejtuesi i analitikës në industrinë prodhuese në Google të Gjermanisë, Stiv Sterjo në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për mundësitë që të rinjtë kanë për të punuar nga vendi dhe për rrugëtimin e tij në këtë kompani.

Sterjo thotë se menaxhon projekte milionëshe me BMW e Siemens si dhe shumë kompani të tjera prodhuese në Gjermani.


“Jam një inxhinier i shitjes, ajo që bëjë unë është se drejtoj projektet teknike dhe është një rol i trefishtë në vetvete, nga njëra anë drejtoj projektet në aspektin teknik, pjesa e dytë është se flas me klientët dhe aspekti i tretë është se bëjë koordinimin me partnerët e tjerë”, ka thënë Sterjo.

“Specifikisht merrem me klientët siç është BMW, Siemens dhe industri të tjera prodhuese, ashtu siç e dini Gjermania ka shumë firma të mëdha prodhuese, ku bëhet fjalë për projekte miliona euro”, shton Sterjo.

Ai tregon se në Google ekziston një komunitet i inxhinierëve me prejardhje nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

Stiv Sterjo, drejtues i analitikës në industrinë prodhuese në Google të Gjermanisë gjatë intervistës në emisionin “Përballje” Telegrafi.com

“Në Google nuk jam vetëm unë, ka edhe shqiptarë të tjerë. Deri tani kemi arritur deri diku, nuk i dimë të gjithë, por deri më tani jemi rreth 30 persona që kemi një grup dhe flasim e përpiqemi të kontribuojmë në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, tregon ai.

Duke folur për mundësitë e zhvillimit, Sterjo shprehet se potenciali i rajonit është i madh dhe se është koha e artë për këto vende.

“Është një faktor që e kemi në listë dhe unë personalisht po përpiqem që të organizoj disa projekte në rajon për zhvillimin dhe edukimin e të rinjve, sidomos në fushën e teknologjisë. Potenciali në të gjithë rajonin është fantastik. Kjo është koha e artë për rajonin”, shprehet Sterjo.

Ajo në këtë intervistë thotë se të rinjtë shqiptarë kanë mundësi të jashtëzakonshme për të punuar online pa u larguar nga vendi.

“Në periudhën kur ka filluar pandemia COVID-19, ka pasur aspekte negative, por në aspektin pozitiv ka pasur avantazhin për ta detyruar të gjithë botën për t’u përshtatur me punën online dhe kjo na jep mundësinë që të punojmë pa u larguar. Kjo mënyrë e punës i jep mundësi të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova që të punojnë nga shtëpia. Madje kjo jep më shumë mundësi duke qenë këtu se sa për t’u larguar”, thotë ai.

Sterjo ka ardhur në Kosovë për konventën “Suksesi është qëllimi yt“, organizuar nga Denis Gafuri.

Po ashtu, Sterjo ka folur edhe për potencialin që Shqipëria dhe Kosova në ofrimin e shërbimeve të teknologjisë dhe vizionin e Google në të ardhmen. /Telegrafi/