Nga Zvicra në Ulqin: Rrugëtimi i Kolë Nushit në hoteleri dhe turizëm

Me përvojë profesionale të fituar në Zvicër dhe me angazhim prej dekadash në gastronomi e turizëm, Kolë Nushi ka zhvilluar veprimtarinë e tij në Zvicër, Kosovë dhe Ulqin
Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë
Me prejardhje nga Vranishta (ish-Vraniçi) e Gjakovës, Kolë Nushi e ka orientuar herët veprimtarinë profesionale drejt hotelerisë dhe turizmit. Formimi dhe përvoja në Zvicër i dhanë mundësi të njihej me standarde të ndryshme pune dhe organizimi në sektorin e shërbimeve.
Që nga viti 1986, ai është aktiv në gastronomi dhe turizëm, duke zhvilluar veprimtari në Zvicër, Kosovë dhe Ulqin.
Në punën e tij, gastronomia është lidhur jo vetëm me shërbimin, por edhe me elemente të mikpritjes dhe traditës shqiptare.
Vera si pjesë e ofertës gastronomike
Në restorantet e tij, vera ka pasur një vend të veçantë në ofertën gastronomike. Përzgjedhja e verërave dhe disa elemente të ambienteve lidhen edhe me traditën e vreshtarisë dhe verëtarisë në hapësirat shqiptare.
Një prej bizneseve të tij është “Noki Beach”, në bregdetin e Ulqinit.
Historia familjare pas emrit
Emri “Noki Beach” lidhet me babain e Nikollës, Noki, duke i dhënë lokalit një lidhje të drejtpërdrejtë me historinë familjare.
Në hyrje të restorantit ndodhen edhe dy fuçi të mëdha prej lisi, si element dekorativ që lidhet me kulturën e verës.
Në ofertë përfshihen edhe verëra nga varietete tradicionale shqiptare, si Katerroshi dhe Vrançi.

Përvoja në Zvicër dhe puna në turizëm
Një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit profesional të Nushit lidhet me përvojën e fituar në Zvicër dhe me përpjekjen për ta zbatuar atë në veprimtarinë e tij në gastronomi dhe turizëm.
Në këtë sektor, organizimi, cilësia e shërbimit dhe raporti me klientin janë ndër elementet që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e një biznesi.
“Noki Beach” është një nga hapësirat ku kjo përvojë është zbatuar në një mjedis turistik në bregdetin e Ulqinit.
Lokali frekuentohet nga pushues nga Kosova, diaspora shqiptare dhe vende të ndryshme europiane, përfshirë Zvicrën, Austrinë dhe Gjermaninë.
Një rrugëtim disa dekadash në hoteleri
Historia profesionale e Kolë Nushit përfshin disa dekada angazhim në hoteleri, gastronomi dhe turizëm.
Nga Vranishta në Zvicër, e më pas në Kosovë dhe Ulqin, veprimtaria e tij është zhvilluar në mjedise të ndryshme, duke ruajtur një lidhje me prejardhjen dhe traditën familjare.
Rrugëtimi i tij është një shembull i mënyrës se si përvoja e fituar jashtë vendit mund të bartet dhe të përshtatet në veprimtari të zhvilluara edhe në hapësirat shqiptare. /Telegrafi/






































