LAJMI I FUNDIT:

Stina e protestave sociale dhe retroaktiviteti i pagave të deputetëve-ministra

1.
Stina e protestave sociale po fillon. Në Kosovën të cilën e kanë lodhur për dekada problemet e mprehta politike, po fillon të zgjohet edhe ndjenja e një revolte sociale që gjithnjë është zgjatim edhe i situatës dhe problemeve politike. Kjo revoltë sado në fillimet e saj, sado e paorganizuar, po dëshmon se ne po hyjmë në një periudhë kur pakënaqësitë sociale do t’i përcjellin tensionet politike dhe ndonjëherë edhe do të dyzohen për të shpërthyer si një e vetme: si reagim ndaj garniturës politike vendore dhe ndërkombëtare që po e qeveris Kosovën dhe si reagim ndaj kornizës politiko-juridike që ia kanë veshë Kosovës.

Protestat e mjekëve, të policëve, të punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, paralajmërimet për grevat e tjera të punonjësve të institucioneve publike për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës duket qartë se do të jenë uverturë të një procesi të gjatë pakënaqësish sociale dhe politike.


Nuk ka dyshim se niveli i organizimit të këtyre pakënaqësive është ende në fazën fillestare. Ende shihet se forca e protestave përballë qeverisë është e dobët. Ende vërehet se qeveritarët mund të manipulojnë edhe me kërkesat e punëtorëve, edhe me organizimin e tyre. Gjithashtu ky organizim pakënaqësish këto ditë më shumë sesa e vuri në pah forcën e sindikatave, tregoi për nivelin organizativ ende të brishtë të tyre. Protestat e copëzuara ende po janë kafshatë e lehtë për Qeverinë.

Sidoqoftë, nuk ka dyshim se këto protesta mund të shërbejnë për një konsolidim të radhëve të punëtorëve të Kosovës, si të atyre që punojnë në institucionet shtetërore dhe publike, ashtu edhe të atyre që punojnë në sektorin privat, organizimi i të cilëve do të mund të bëhej në një të ardhme të afërt. Një organizim më koheziv jo vetëm që do të ishte më vështirë për t’u thyer e manipuluar, por do t’i kishte edhe kërkesat më të artikuluara dhe do të ishte më i pranuar nga opinioni i gjerë.

2.
Një prej argumenteve themelore të qeveritarëve tanë kur ballafaqohen me protestat sociale të punëtorëve të institucioneve publike në Kosovë është se kaq janë mundësitë buxhetore të Kosovës. Dhe nuk ka dyshim se mundësitë buxhetore të Kosovës janë të kufizuara. Por në anën tjetër, cila është porosia që qeveritarët tanë japin me mënyrën sesi sillen me paranë publike dhe me shpenzimin e saj, pra me këto të ardhura të pakëta që ne e kemi si shtet? Sigurisht që porosia është shumë e keqe.

Ajo çka qytetarët tanë shohin dhe dëgjojnë çdo ditë janë papërgjegjësia në qeverisje, nepotizmi, korrupsioni, e deri tek shpërdorimet marramendëse të parasë publike. Të kësaj paraje që ata po na thonë se është e kufizuar. Mjekët dhe punëtorët e tjerë mjekësorë, mësuesit e arsimtarët, policët e gardianët e burgut, prokurorët e gjyqtarët, shërbyesit e tjerë civilë, duhet çdo ditë t’i shohin me sytë e tyre e t’i dëgjojnë me veshët e tyre të gjitha papërgjegjësitë e eprorëve të tyre, të shohin sesi njerëzit janë pasuruar brenda natës duke keqpërdorur paranë publike dhe pozitën qeveritare, e në anën tjetër të luten të mos protestojnë për shkak të kufizimeve buxhetore.

Ata gjithashtu do t’i krahasojnë pagat e tyre me punëtorët e PTK-së, të Aeroportit e të KEK-ut, por edhe me ato të deputetëve të Kuvendit të Kosovës e të Qeverisë së Kosovës dhe nuk kanë se si të mos dëshpërohen. Thellë në vete e ndiejnë se nuk janë më të padobishëm se këta shërbyes civilë që kanë paga disa herë më të larta se ata. Megjithatë, po qe se shërbyesit civilë do ta kishin ndier se qeveritarët po i rreken me seriozitet shërbimit të interesave publike, se ata vërtet po bëjnë ç’është e mundur që me politika të përgjegjshme ekonomike e fiskale dhe me qeverisje të mirë e të përkushtuar në të gjitha drejtimet ta ngritin në këmbë këtë vend, atëherë mirëkuptimi i tyre do të ishte sërish i madh.

Seriozitetit në qeverisje dhe në menaxhimin e parasë publike ky popull do t’i përgjigjej me seriozitet në punë dhe me mirëkuptim ndaj kufizimeve buxhetore të vendit. Sidoqoftë, në Kosovë po ndodh diçka e kundërt me këtë. Qytetarët në lëkurën e vet e kanë ndier se buxheti i limituar i Kosovës për dikë ka qenë nënë e për dikë njerkë. Dhe duke u sjellë kështu me buxhetin, ai vështirë e ka të rritet me normën e duhur, dhe, si rrjedhim, gjithnjë do të mbetet buxhet i keqpërdorur nga pakica (qeveritarët e ndryshëm) në dëm të shumicës (qytetarët e Kosovës).

3.
Për ta dëshmuar papërgjegjësinë e qeveritarëve, këto ditë, në kulmin e pakënaqësive sociale u ndez debati mbi një vendim kontradiktor të Qeverisë së Kosovës, që 13 ministrat dhe zëvendësministrat që janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ta marrin edhe gjysmën e rrogës së deputetit në mënyrë retroaktive që nga janari i vitit 2008. Dhe ky vendim pason një vendim tjetër të qeverisë në fillim të vitit 2008, kur vendoset se të gjithë shërbyesit civilë, duke përfshirë edhe të emëruarit politikë, nuk mund të marrin më shumë se një pagë nga buxheti i Kosovës. Ky vendim shkaktoi edhe reagimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës që e quajti të paligjshëm.

Por ta lëmë mënjanë ligjshmërinë e këtij vendimi. Çka mund të themi për moralin e tij? Si është e mundur që buxheti i Kosovës nuk ka kufizime kur kemi të bëjmë me ministrat e zëvendësministrat, por ka kur kemi të bëjmë me mjekët, policët, mësuesit, prokurorët, gjyqtarët etj.!? E ardhmja evropiane e Kosovës është shndërruar në dogmën e re që garnitura politike ia imponon këtij populli. Po si mund të hyhet në Evropë me një mjekësi buzë kolapsit, me një arsim me dinjitet të nëpërëmbur, me një ekonomi të rrënuar dhe me gjyqtarë, prokurorë e policë të pakënaqur me pozitën e vet në këtë shoqëri.

Hyrja në Bashkimin Evropian, përtej retorikës boshe, do të duhej të ishte motiv për ta ndërruar realitetin në të gjitha fushat e jetës, për ta bërë jetën e qytetarit tonë më me dinjitet. Përndryshe, hyrja në BE si qëllim në vete nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Kështu dje protestat sociale relativizoheshin në emër të pavarësisë, sot në emër të buxhetit të limituar dhe “perspektivës evropiane të Kosovës”. Por këto motive do të fillojnë të mos çojnë peshë më.

Ndryshimi i kornizës së ngushtë juridiko-politike në të cilën është ndrydhur Kosova, fitimi i sovranitetit dhe vetëvendosjes së plotë së bashku me protestat sociale për ngritje pagash, kushte dinjitoze në punë e kundër qeverisjes së keqe që do të mobilizojnë gradualisht shumë shtresa të popullsisë do të jenë motivet e protestave të ardhshme të qytetarëve të Kosovës. Të mos habitemi kur këto dy motive do të dyzohen herë pas here në një motiv: atë për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

(Autori është anëtar i KP të Lëvizjes për Bashkim)
Kontakti: valonmurati@levizjaperbashkim.com

Në trend

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Liga e Kampionëve
Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Përfaqësueset
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Kalo në kategori