LAJMI I FUNDIT:

Statusi i Kosovës përcakton statusin e presidentit

Zgjedhja e presidentit në Kosovë e ka zanafillën te marrëveshja e partive politike për zgjidhjen e krizës së krijuar pas anulimit nga Gjykata Kushtetuese të mandatit të presidentit Pacolli. Marrëveshja mes partive, që i dha vendit një president konsensual, kërkoi dhe hapi rrugën ndryshimeve kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes dhe të kompetencave të presidentit të Kosovës.

Dihet që ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit kushtëzon dhe përcakton edhe kompetencat e kryetarit të shtetit në zgjedhjen e institucioneve kushtetuese edhe në politikën e jashtme e të sigurisë së vendit. Nisur nga teoria dhe praktika e demokracisë, zgjedhja e presidentit direkt nga populli parakupton zgjerimin apo dhe fuqizim të kompetencave në raport me statusin presidencial të fituar përmes votimit në Kuvend.


Në Kushtetutën aktuale, që kërkohet dhe pritet të amendamentohet, thuhet që presidenti udhëheq politikën e jashtme të vendit. Ky përcaktim tejet i qartë është njohur dhe është zbatuar brenda kufijve të kuptimit të vet nga ish- presidenti Sejdiu, në të mirë të afirmimit të njohjes së statusit ndërkombëtar të Kosovës, në hapat e parë e të vështirë pas shpalljes së pavarësisë. Pas kësaj përvoje, presidentja Jahjaga, nën trysninë e marrëveshjes politike ndërpartiake dhe strukturës së Qeverisë, që plus rolit të njohur kushtetues të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, ka të angazhuar dhe dy zëvendëskryeministra për t’u marrë me çështjet ndërkombëtare, mendoj se nuk e ka ushtruar sa e si duhet kompetencat e njohura kushtetuese në raport me politikën e jashtme.

Sot kërkohet që ne pjesëmarrësit në politikë t’i kontribuojmë Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për “të kufizuar” disi kompetencën kushtetuese të presidentit në raport me politikën e jashtme. Versioni i propozuar nga Komisioni për Amendamentimin Kushtetues për të zëvendësuar kompetencën aktuale kushtetuese për udhëheqjen e politikës së jashtme nga presidenti me definimin që “presidenti konsultohet me qeverinë në lidhje me politikën e jashtme të vendit” më duket nonsens. Një president i zgjedhur nga populli(siç është propozuar të bëhet) do të ketë më pak rol e ndikim në politikën e jashtme të sanksionuar me Ligjin Themeltar (Kushtetutën aktuale të shtetit të Kosovës), sesa një president i zgjedhur me votën e 120 deputetëve.

Kam bindjen se jo vetëm politikanët në pushtet, por gjithë politika kosovare është e vëmendshme ndaj përvojave demokratike euroatlantike dhe u referohet atyre në çdo hap serioz e me peshë për të sotmen dhe të ardhmen e afërme të Kosovës. Prandaj, për të “përligjur” disi kufizimin e një kompetence presidenciale të kryetarit tonë të shtetit, të zgjedhur nga Kuvendi, për një president të zgjedhur nga populli, që bie ndesh me përvojat që unë njoh, do të parashtroj një veçori të shtetit tonë.

Kosova, aktualisht, është dhe nuk është një shtet subjekt i njohur dhe i ligjëruar ndërkombëtarisht. Kosova, deri sot, njihet si shtet, zyrtarisht nga 88 shtete. Për t’u anëtarësuar në OKB na duhen edhe jo pak njohje. Këto kanë vlerë për statusin shtetëror të Kosovës, ndaj kush i kontribuon dukshëm këtij procesi “ meriton” ta qeverisë dhe ta drejtojë atë. Statusi aktual i Kosovës, pasi trashëgon në mentalitet, por dhe në Kushtetutën tonë, traditën e Republikës së Kosovës nën Ibrahim Rugovën, kur presidenti konsiderohej i gjithëfuqishëm. Megjithëse një përvojë fiktive , sepse vetëm para 4-vjetësh u shpallëm shtet i pavarur, “përvoja” rugoviane vazhdon të nxisë dhe të mbajë ndezur ambiciet dhe protagonizmin e politikanëve tanë për t’u shfaqur edhe për të qenë prezent e ndikues në raportet me partnerët ndërkombëtarë. Sot kjo prirje i ka tejkaluar kufijtë personalë dhe po “infekton” edhe subjektet politike. Janë shfaqur në media, por dhe më tej ,qëndrime të partive pro dhe kundër faktorëve ndërkombëtarë.

E di që këto janë qëndrime politike, por do të dëshiroja dhe të sugjeroja që ky realitet të mbahet në konsideratë nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës. Situata e sotme e shtetit të Kosovës është e tillë: Presim, nga muaj në muaj dhe nga dita në ditë mirëkuptimin e spektrit politik për përfundimin e bisedimeve me Serbinë, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Presim, pas firmosjes së tyre nga të dy palët, shtimin e njohjeve ndërkombëtare, për të mundësuar e tejkaluar veton e Rusisë dhe të Kinës për anëtarësimin tonë në OKB. Meritojmë dhe presim, pas përfundimit të bisedimeve të fundit në Bruksel me Beogradin, të na njohin edhe 5 shtetet e BE-së. Presim realizimin e premtimeve për përshpejtimin e procedurave për njohjen dhe pranimin sa më shpejt të qytetarëve të Kosovës në lëvizjen e lirë evropiane, për anëtarësimin e shtetit të Kosovës në BQE, për fillimin e studimit të fizibilitetit të BE-së, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimin e saj me shtetin e Kosovës.

Të gjitha këto dhe të tjera, e bëjnë kompetencën dhe menaxhimin e politikës së jashtme prioritare dhe tejet të vlerësueshme. Ajo është funksion i domosdoshëm ekzistencial për shtetin. Shteti ynë “foshnjor”, ende pa qenë subjekt i barabartë në rrafshin ndërkombëtar të marrëdhënieve, po përballet me të fundmen gjë, me kompetencat e kreut të shtetit, kur mendoj se Kosovës sot do t’i vlente më tepër një president konsensual me autoritet ligjor dhe moral në spektrin tonë politik.

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)