Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka premtuar 10 milionë funte (rreth 11.5 milionë euro) shtesë në fonde sigurie për të mbrojtur komunitetet myslimane nga krimet dhe sulmet e urrejtjes, mes një rritjeje të ndjeshme të incidenteve që synojnë myslimanët dhe xhamitë në të gjithë vendin.

Starmer njoftoi fondet pasi vizitoi Xhaminë Peacehaven në East Sussex, e cila ishte shënjestra e një sulmi të dyshuar me zjarrvënie në fillim të këtij muaji, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Askush nuk u lëndua, por zjarri dëmtoi hyrjen e përparme të xhamisë dhe një makinë të parkuar aty pranë.

Policia po e trajton incidentin si një krim urrejtjeje dhe ka arrestuar dy persona, megjithëse ende nuk janë ngritur akuza.

Sipas mediave, investimi i ri do të financojë masa të përforcuara sigurie, të tilla si kamera CCTV, sisteme alarmi, gardhe të sigurta dhe staf sigurie në vend për xhamitë dhe qendrat e besimit mysliman në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, tha qeveria.

"Britania është një vend krenar dhe tolerant. Sulmet ndaj çdo komuniteti janë sulme ndaj të gjithë kombit tonë dhe vlerave tona", ka thënë Starmer.

“Ky financim do t’u ofrojë komuniteteve myslimane mbrojtjen që u nevojitet dhe që meritojnë, duke u lejuar atyre të jetojnë në paqe dhe siguri. Dua një Britani të ndërtuar për të gjithë dhe qeveria ime është e përkushtuar për të ofruar rrugë më të sigurta për të gjithë – kjo do të thotë mbrojtje e vendeve të adhurimit nga ata që kërkojnë të na ndajnë përmes urrejtjes dhe dhunës”. /Telegrafi/