Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit George W. Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.

“Enough is Enough” është një vepër artit publik e artistit Alban Muja.

“Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi ‘Mjaft më! (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, ka thënë Bushi më 2007, duke i dhënë mesazh të qartë gjithë politikës ndërkombëtare, por duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhura të Kosovës e Shqipërisë.

Kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë e përbërë prej germave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë (secila germë 1,8 metra e lartë). Ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veç prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë. Nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe po pa zhurmë.

Më 15 Mars 1991, Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas, sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, e vizitoi Tiranën ku iu rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me ShBA-në, të cilën Baker e përkufizoi: “Jemi me ju, ju jeni me ne”. /Juli Prifti/atsh/