Në prag të zgjedhjeve nacionale, Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës – SPERTK u drejtohet partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t’ua rikujtuar përgjegjësitë institucionale dhe ligjore ndaj transmetuesit publik.

Përmes një reagimi për media bëhet e ditur se SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është miratuar.


“Ndërsa çështjet thelbësore që lidhen me: rregullimin e pronës së RTK-së, sigurimin e financimit të pavarur dhe të qëndrueshëm, mbesin të hapura dhe kërkojnë adresim serioz nga legjislatura e ardhshme”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim bëhet e ditur se deri në miratimin e një zgjidhjeje të re ligjore, vazhdon të zbatohet forma aktuale e financimit, sipas së cilës 0.7% e buxhetit nacional ndahet për RTK-në, si bazë për funksionimin e transmetuesit publik.

Ndryshe, SPERTK vlerëson se është paralajmëruar aplikimi i pagesës së 13-të për punëtorët e sektorit publik në Republikën e Kosovës, dhe thekson se kjo e drejtë duhet patjetër të aplikohet edhe për punëtorët e RTK-së, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.