Specialja kërkon masën e paraburgimit për Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh”.
Lajmin e bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta.
Ndryshe, analisti politik Fatmir Sheholli është arrestuar ditën e enjte nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Arrestimi i Shehollit është bërë mbi dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.
"Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës", ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla. /Telegrafi/




















































