Sot në Shkup do të protestohet kundër gjykimit të ish-luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.

Protesta e thirrur nga OVL-UÇK pritet të nisë nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.


Ajo është përkrahur nga shumë figura politike, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.

“Më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, tha ai.

Ndryshe nga Ahmeti, Gazmend Syla nga OVL-UÇK tha se pjesëmarrja e tyre paraqet rrezik serioz për arrestim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.

“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marrë atë rrugë, sepse nuk kemi garancë. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”, deklaroi Syla.

Kujtojmë se protesta ka karakter paqësor, ndaj kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha edhe pse nuk e përkrah protestën do të mundësoi siguri dhe mbarëvajtje të qetë të tubimit.