LAJMI I FUNDIT:

Sot “fillon” fushata zgjedhore për zgjedhjet e 5 qershorit

Sot “fillon” fushata zgjedhore për zgjedhjet e 5 qershorit

Sipas kalendarit për realizimin e  veprimeve zgjedhore, sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Fushata zgjedhore duhet të zgjasë deri më 3 korrik në ora 24:00, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Fushata zgjedhore, siç qëndron në kalendar, parashikon tubime publike dhe ngjarje tjera publike të organizuara nga pjesëmarrësit në zgjedhje, shfaqje publike të pllakateve, video prezantime në vende publike, prezantim mediatik dhe në internet, shpërndarje të materialeve të shtypura dhe prezantim publik të kandidatëve të vërtetuar nga organet kompetente dhe të programeve të tyre zgjedhore.


Përndryshe, Komisioni shtetëror zgjedhor, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 5 qershorit e konfirmoi vetëm listën e kandidatëve të OBRM-PDUKM dhe partnerëve të koalicionit. Listat kandidatësh dorëzuan edhe LPM, por për shkak të parregullsive të konstatuara KShZ solli vendim ta refuzojë. Po ashtu, KShZ i refuzoi edhe listat e kandidatëve të Partisë social demokratike të  Maqedonisë (PSDM), me kërkesë të vetë partisë.

Në ndërkohë BDI ka dorëzuar iniciativë deri te Gjykata kushtetuese për rishqyrtimin e vendimit për shpërbërje të Kuvendit, ndërsa KShZ ka bërë kërkesë për ndryshim të Kodit zgjedhor, por kryetari i Kuvendit gjithnjë është arsyetuar se për një gjë të tillë nuk ka mundësi sepse thirrja e Kuvendit do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Në këtë kontekst parashtrohet pyetja logjike, nëse është në kundërshtim me Kushtetutën që të thirret Kuvendi, atëherë si kategorizohet udhëtimi “zyrtar” i Veljanoskit në Romë!?/Telegrafi/