LAJMI I FUNDIT:

Sot është Dita Ndërkombëtare e Lumturisë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Lumturisë

Dita Ndërkombëtare e Lumturisë është ngjarje botërore e cila festohet çdo vit qysh prej vitit 2013.

Kjo ditë festohet me 20 mars në 193 shtete të ndryshme. Fillimisht ideja ka ardhur nga Jayme Illien, që ka punuar si këshilltar i veçantë për Kombet e Bashkuara, transmeton Telegrafi.


Këtë ide, Jayme fillimisht e kishte dhënë me idenë e krijimit të një dite të re për ta festuar lumturinë e zyrtarëve të lartë të Kombeve të Bashkuara në vitin 2011.

Ideja ishte përkrahur edhe nga ish- Sekretari Gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili ishte pajtuar se kjo ditë duhej të bëhej ditë zyrtare e kalendarit të KB-së.

Jayme kishte shkruar rezolutën 66/281 që titullohej “Dita Ndërkombëtare e Lumturisë”, e të cilën e kishin pranuar të gjitha shtetet anëtare të KB-së me datën 28 qershor të vitit 2012.

Në ditën e tretë të Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë, Ban Ki Moon kishte deklaruar: “Lumturia për të gjithë familjen njerëzore është një nga qëllimet kryesore të Kombeve të Bashkuara”.

Ai gjithashtu i kishte nxitur njerëzit që të përpiqen ta mbushin botën tonë me lumturi.

Përse festohet me 20 mars?

Jayme e ka zgjedhur datën 20 mars për shkak se përkon me ekuinoksin e marsit.

Ekuinoksi i marsit është kur koha e natës dhe e ditës zgjasin pothuajse njësoj – që të dyja nga 12 orë.

Fjala ekunioks vjen nga latinishtja dhe nënkupton “natë e barabartë”. /Telegrafi/